E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zuleta i bindur: “Të fitosh në Ligën e Kampionëve është e bukur”



“Të luash në Ligën e Kampioneve është e bukur dhe të fitosh është edhe më e bukur. Janë të trija rezultatet. Ne jemi duke punuar për më të mirën, për të fituar. E kam thënë edhe më parë se skuadra nuk është në 100 përqindëshin e saj, por unë kam mendimin se do të dalim mirë”. Kjo ishte deklarata e parë në konferencën për shtyp e trajnerit argjentinas të Dinamos, Marselo Havier Zuleta në prag të sfidës të Ligës së Kampioneve kundër kampiones së Bosnjë-Hercegovinës, Modrica. Dinamo do të përballet të martën në “Qemal Stafa” (ora 20:00) kundër serbo-boshnjakëve të Modricës, në sfidën e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Kampioneve, me synimin për të fituar në shtëpi e shpresuar në kualifikim, ashtu siç bëri edhe në vitin 2002 kundër lituanezëve të Kaunasit, në ballafaqimin e fundit në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klubet.
“Isha duke parë disa videokaseta të kundërshtarëve. Kanë disa lojtarë mangët dhe nuk i di përforcimet që ata kanë bërë. Edhe at e dinë se ne kemi disa lojtarë që na kanë ikur, nga grupi që kanë dalë kampion. Lojtarët tanë janë mirë nga ana fizike dhe nuk kemi asnjë futbollist të dëmtuar dhe kjo e bën më të lehtë vendimin për të përcaktuar titullarët për ndeshjen e nesërme”, - shtoi trajneri i gjashtë i huaj i Dinamos në pesë vitet e fundit.
Dinamo ka kaluar një situatë jo të mirë kohët e fundit, kur janë larguar Kotori e Kuli, por trajnerin nuk e shqetëson aspak kjo situatë. “Nuk kemi asnjë problem”, - u shpreh 44-vjeçari në mënyrë kategorike, i cili më parë ka drejtuar kombëtaren e Nikaraguas. Zuleta, trajneri i tretë argjentinas i ulur në stolin blu pas Pedro Paskulit e Ramon Kabreros e nis aventurën në drejtimin e një klubi shqiptar me një ndeshje në Ligën e Kampioneve. “Nuk është shumë normale, por të gjitha ndeshjet janë të vështira, qofshin këto për kampionatet vendase apo ato ndërkombëtare. Para një ndeshje të tillë kënaqësia ime është maksimale. Kemi një grup të mirë lojtarësh, kemi punuar shumë dhe besoj se do të bëjmë një ndeshje të mirë. Ka disa gjëra për t’u riparuar, por besoj se do të dalim mirë. Nuk mendoj se do të humbim”. Formacioni i Dinamos është ende i paqartë, kur me grupin blu priten të bashkohen edhe dy lojtarë të huaj dhe disave nuk u ka ardhur ende certifikata e transferimit ndërkombëtar. “Ende nuk e kam vendosur ekipin që do të luaj. Duhet të pres edhe sot për problemin e certifikatave të transferimit. Besoj se nesër do t’i kem ato. I vetmi problem për t’u diskutuar është çështja e portierit. Gjithsesi, për lojtarët e tjerë kemi alternativa rezervë”. Zuleta, i cili zëvendësoi në mënyrë të papritur trajnerin kampion Ilir Daja, thotë se Dinamo ka një repart shumë të mirë në mbrojtje. “Ekipi e ka përmirësuar shumë punën në drejtimin taktiko-tenkik e në mesfushë, kemi një organizim të mirë lojës”.
17-herë kampionia e Shqipërisë, skuadra e tretë shqiptare me më shumë ndeshje në Europë, 34 të tilla (Tirana e Partizani kanë respektivisht nga 58 e 41), vjen në ballafaqimin kundër Modricës (4 ndeshje ndërkombëtare në Kupën UEFA: 2 fitore, 2 humbje)
me një ekip thuajse të ri, në raport me atë që i siguroi asaj titullin. Vetëm pesë lojtarë priten të jenë në formacionin e parë, nga ata që mposhtën Partizanin në sfidën e javës së fundit, ndërkohë që vetëm tre lojtarë: Pisha, Qorri, D.Xhafaj, kanë qenë pjesë e Dinamos në ballafaqimin kundër Kaunasit.
“Do të përballemi me një kundërshtar, të cilin nuk e njohim plotësisht, por ne jemi të përgatitur për të dhënë maksimumin, që kjo sfidë të kalohet me sukses”, - thotë mbrojtësi senegalezi Papa Diop, i cili luan prej katër sezonesh me Dinamon. 23-vjeçari Diop, një ish-futbollist i Zhan D’Ark Dakar, ka debutuar me blutë, më 2 shkurt 2005. Diop ka shënuar në total 9 gola për Dinamon: 1 gol (sezoni 2004-2005), 4 gola (2005-2006), 3 gola (2006-2007) dhe 1 gol në sezonin 2007-2008, ku senegalezi fitoi për herë të parë titullin kampion.
“Kemi një gjendje të mirë fizike. Një fitore kundër Modricës pa pësuar gol do të ishte pozitive, por dhe një barazim na mban shpresat gallë”, - thotë ish-mesfushori Apolonisë, Artion Poçi, i cili luan që nga viti 2003 me Dinamon. 30-vjeçari është një ndër shtatë lojtarët që i dhanë titullin e 17-të kampion Dinamos. Te Dinamo, që do të luaj kundër boshnjakëve të Modricës nga lojtarët kampionë kanë mbetur Pisha, Allmuça, Graniç, Diop, Ferraj, Poçi e Hoxha. Dinamo ka kryer stërvitjen e radhës në kompleksin e saj stërvitor, ku ka kualiduar edhe formacionin që do të hedhë kundër Modricës. Trajneri i Dinamos, argjentinasi Marselo Zuleta ka parë së bashku lojtarët disa videokasetave lojën e Modricës, duke nxjerrë edhe konkluzionet e nevojshme për ballafaqimin e së martës.

FORMACIONI
Dinamo pritet të luajë me skemën klasike 4-4-2. Argjentinasi Borto në portë, Paladinjo, Pisha, Diop e Sina në mbrojtje. Poçi, Allmuça, Tapia e Çaushaj në mesfushë, ndërsa vija e parë sulmuese do të formohet nga dyshja Xhafaj-Kampazano.

GRUMBULLIMET
Ndërsa klubi boshnjak ka zgjedhur Hotel “Tirana International” në qendër të kryeqytetit shqiptar, Dinamo ka preferuar grumbullimin në periferi të Tiranës, në kompleksin e njohur “Chateau-Linza”, pronë e grupit “Mak-Albania”.

Maksimoviç: “Shpresojmë për rezultat të mirë në Tiranë”

Kundërshtari i 17-herë kampionëve të Shqipërisë në Ligën e Kampionëve, FK Modriça, prej të dielës në mbrëmje ndodhet i akomoduar në hotel “Tirana International”, të shoqëruar edhe nga një ekip i televizionit shtetëror boshnjak, që do të bëjë edhe një reportazh në lidhje me ndeshjen e parë të Modricës në Ligën e Kampioneve. Paradite lojtarët shfrytëzuan “lirinë” për të njohur kryeqytetin shqiptar, teksa thuajse të gjithë lojtarët të veshur me bluza blu kanë blerë diçka nga dyqanet artistike të Tiranës. “Është një qytet i bukur, shumë i madh në raport me Modricën (rreth 36 mijë banorë), ka shumë gjëra për të parë dhe nga dhomat tona (të hotelit) pamja nga lart është fantastike”, - thotë sulmuesi 19-vjeçari Peter Matoviç, i cili duke qenë se nuk është pjesë e formacionit shartues, kërkon ta shijojë në maksimum kohën.
MAKSIMOVIÇ- “Ne e dimë se Dinamo e Tiranës është një ekip i mirë, por ne shpresojmë për një rezultat të mirë, kështu që ne besojmë se mund të bëjmë diçka pozitive në Tiranë, për të shpresuar më pas në ndeshjen e kthimit e për të shkuar më tej”, - thotë për “Albania”-n mbrojtësi 25-vjeçar Bojan Maksimoviç, i cili sapo kthehej nga një shoping i shpejtë në Rrugën e Durrësit. “Kemi parë video të Dinamos, por ne e dimë se disa lojtarë kanë ikur, kështu që ne shpresojmë “to do ëell here” (të bëjmë mirë këtu)”, - thotë me një anglishte perfekte Maksimoviç. Modriça nga fundi i muajit maj nuk ka në drejtim trajnerin që e shpalli kampion, Slavisha Bozhiçiçin, i cili ka marrë tashmë bankinën e skuadrës serbe, Bezanjinjës, ekipi beogradas që u eliminua sezonin e kaluar nga Besa e Kavajës në turin e parë të Kupës UEFA. “Trajneri Mitar Lukiç ka ardhur te ne gjatë kësaj vere, por ai na ka drejtuar edhe më parë. Ne e njohim atë dhe ai na njeh shumë mirë, pasi me të kemi fituar edhe Kupën e Bosnjës”, - shprehet Maksimoviç, i cili luan prej pesë vitesh me Modriçën. Kundërshtari i 17-herë kampionëve të Shqipërisë, Fk Modriça është shpallur sezonin e fundit, për herë të parë kampion i Bosnjë-Hercegovinës, një kompeticion i cili ndryshe nga Superliga shqiptare me 12 skuadra, Premier Liga boshnjake numëron 16 të tilla. “Po është hera e parë që ne fituam titullin kampion, por më parë kemi fituar Kupën e Bosnjës në vitin 2004. Ne jemi një ekip serb i Bosnjës. “Niveli i futbollit boshnjak është i përafërt me atë shqiptar, kështu që do të jetë një ndeshje interesante midis dy ekipeve”, - shton Maksimoviç.
MILJKOVIÇ – “Ne nuk e njohim shumë mirë ekipin e Dinamos, por nga ndeshja që kemi parë në videokasetë, ajo kundër Partizanit, duket se është një ekip që luan shpejt me topin ”, - thotë për “Albania”-n, mesfushori 24-vjeçar i Modricës, Vladimir Miljkoviç në hollin e hotelit “Tirana International”, ku dhe është akomoduar kampionia e Bosnjë-Hercegovinës. “Nga ato që kemi parë, them se sulmuesi kroat (Pero Pejiç) është shumë i rrezikshëm. Një tjetër lojtar që na është dukur i mirë është qendërmbrojtësi i Dinamos (Pisha)”, - shton lojtari i formacionit bazë, pa e ditur se Pero Pejiç nuk do të jetë pjesë e Dinamos. “Ka nënshkruar në Austri? Atëhërë, më pak punë për ne”, - thotë me të qeshur, numri 16 i Modricës, teksa mëson rishtazi informacionin.
FK MODRIÇA - Kampionati i Bosnjë-Hercegovinës me formatin e sotëm zhvillohet që nga sezoni 2000-2001, kohë edhe kur Bosnjë-Hercegovina u shkëput zyrtarisht nga ish-Republika e Jugosllavisë, një shtet që nuk ekziston më. Zheljeniçar është kampioni i parë (ka fituar 2 tituj), ndërsa Modriça, e themeluar zyrtarisht në vitin 1921 fiton për herë të parë. Listën e kampionëve boshnjakë e kompletojnë kundërshtari i Partizanit në Kupën UEFA, Shiroki Brijeg (2-herë kampion), Leotar Trebinje e Zrinjski Mostar (të dyja nga 1-herë). Ndeshja e dytë (më 23 korrik) do të luhet në stadiumin “Maxima” (4000 shikues). Modriça ka një eksperiencë të vogël ndërkombëtare, vetëm katër ndeshje, por duhet theksuar fakti se në pjesëmarrjen e parë të saj në Kupën UEFA (2004-2005) i fitoi dy takimet e para kundër Santo Koloma të Andorrës, por u eliminua në turin e dytë nga Levski e Sofjes. Në gjirin e skuadrës kampionë e Bosnjë-Hercegovonës ka dhjetë lojtarë serbë të Bosnjës, ndërsa pjesa më e madhe e skuadrës përbëhet nga futbollistë me origjinë boshnjake.

45 minutat e mëdha, që i sollën kontratën Jahmir Hykës

Loja e bukur në testin kundër Polonisë i solli shqiptarit një kontratë me Maincin

Jahmir Hykës i mjaftuan 45 minuta, për të lënë një përshtypje që të merr mendjen, dhe tashmë ndodhet me Mainz 05 në fazën përgatitore në Herzlake duke u djersitur e bërë gati për të treguar cilësitë e tij në Ligën e dytë gjermane. “Falë Zotit gjatë kësaj kohe ka ndodhur gjithçka për mua”, - thotë shqiptari 20-vjeçar. “Driblime, pasa perfekt. Po, ishte një debutim i mirë për mua”,- kujton mesfushori trupvogël, vetëm 1.68 metra.
Hyka tregoi aftësi të mrekullueshme në ndeshjen miqësore kundër pjesëmarrëses në finalet e Kampionatit Europian në stadiumin “An der Kreuzeiche” në Reutlingen në humbjen 0-1 të Shqipërisë, kur me ndëryrjet e tij të shpejta dhe me shkathtësinë e tij për të zotëruar topin, duke bindur menaxherët e pranishëm, por para së gjithash vëzhguesit e skuadrave të Bundesligës së dytë gjermane, përkatësisht Mainz 05, Frajburgut dhe TSV 1860 Mynchen. Nga klubi i Maincit ishte i pranishëm trajneri i portierëve, Stefan Kuhnert. “Ai më bëri përshtypje mua para së gjithash, ato që ia bëri me mbrojtësin më të mirë të djathtë polak”, - citohet Kuhnert nga gazeta gjermane “Allgemeine Zeitung”.
Kush e sid, ndoshta Hyka shfrytëzon në javët e ardhshme shansin, që tekniku mund t’i japë atij pas pezullimit të Elkin Sotos deri më 14 shtator. Ndoshta e fillon ai rrugën e tij nga zero të njëqindta. Trajneri Jorn Adersen thotë me sytë që i shkëlqejnë: “Hyka është një tip. I njëllojtë si futbollisti i Mënshenglabahut, Marko Marin. Për lojtarë të tillë kemi nevojë ne në Gjermani”. Marin kishte të gjithë bazën për një lojë të shpejtë dhe plot ide, aq sa tërhoqi edhe vëmendjne e trajnerit të Kombëtares gjermane Johakim Lëv për finalet e Kampionatit Europian. Andersen thotë: “Jahmiri mëson ditë pas dite. Ai nuk ka të njëjtin mentalitet, që unë e kam parë te shqiptarët e tjerë”. Detyrat mbrojtëse duket nuk janë për të, por Andersen shton: “Jahmiri nuk është tipi për duele fizike, por ai megjithatë ai nuk i shmang dyluftimet”.
Hyka është para së gjithash një profesionist. Ai është një anglishtfolës shumë i mirë. “Dinamo e Zagrebit dëshironte të më angazjonte menjëherë pas ndeshjes testuese (me Poloninë). Por unë dëshiroja fillimisht të njihesha me ofertën e tyrë”, - thotë Hyka për gazetën gjermane. Menaxheri i TSV 1860 Munchen e çoi atë në “Alianz Arena”, ndërkohë që menaxheri i Mainc 05, Kristian Heidel piu më të një kafe në Mainc. “Unë u kisha thënë atyre, që unë do të pranoja ofertën më të mirë. Kjo është e gjitha në këtë çështje”. Nga ana tjetër i ai ishte i informuar nga kolegët e tij në ekipin kombëtar, Ervin Skela (Energie Kotbus), Altin Lala (Hanover 96) dhe Edmond Kapllani (Karlsruhe) mbi ekipet gjermane. Frajburg kërkonte me shpejtësi ta bënte të vetin, por dhe TSV Munih e humbi për pak atë.
Jahmir Hyka nuk ka asnjë problem me stërvitjen, edhe pse ajo është shumë e rëndë për të, siç e pranon ai vetë. Në sezonin e tij të fundit te Tirana, ai ishte i lirë në detyrat taktike, një lloj shefi në mesfushën qendrore. “Loja atje (në Shqipëri) nuk ishte aq e shpejtë dhe intensive, kaq fizike si në Gjermani”, - thotë ai. Lojtari i ri i Maincit në vitin 2006 ishte pjesë e Rozernborgut, ku drejtor i përgjithshëm ishte Rune Bratseth, një ish-lojtari i Bundesligës. Por Hyka nuk mundi të vazhdonte atje, pasi në ekipin norvegjez lejoheshin vetëm tre lojtarë jo-europianë, ndërkohë që Hyka kishte vetëm një vizë turistike. Gjatë asaj kohe ai nuk arriti dot të ishte në formacionin bazë, ndërkohë që më pas u detyrua të linte dhe vendin. Megjithatë ajo kohë i vlejti diçka shqiptarit të ri. Nga njëra anë ai mësonte shumë mirë anglisht, nga ana tjetër e rriti atë nga ana futbollistike. “Unë mësova si të luaja në skemën 4-3-3 si gjysmësulmues i majtë, pasi më parë kisha luajtur si mesfushor në skemën 4-4-2. Por pata mundësinë të provohesha edhe në rolin e një mbrojtësi shkatërrues”, - thotë Hyka. Kundër kundërshtarëve ë fortë. Kështu që 57-kilëshi Jahmir Hyka atje në Herzlake, nuk i largohet as presionit të shtypit.
Jahmir Hyka jeton që nga mosha 17-vjeç ëndrrën e tij. “Fillimi natyrisht që është i vështirë, të jesh larg familjes e miqve”. Pas kohës në Norvegji ai kaloi te Olimpiakos i Pireut në Greqi. Por edhe atje nuk arriti të nënshkruante një kontratë. Në Greqi ai njohu sulmuesin e Mainc 05, Feliks Borja. Ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç, e mori në përfaqësuesen shiptare. “Për këtë unë duhet ta falënderoj atë. Në Shqipëri bazohen më shumë te lojtarët e vjetër”. Në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian në grupin G, ku bënin pjesë Holanda e Rumania, ai luajti si zëvendësues në ndeshjet kundër Rumanisë e Sllovenisë. “Deri tani unë kam luajtur në pesë-gjashtë ndeshje, përfshirë edhe ato miqësore”, - thotë ai. Trajneri i ri i Shqipërisë është Ari Han. Për momentin mendimet e Jahmir Hykës janë vetëm te Mainci. “Ne kemi këtu lojtarë mesfushorë shumë të mirë”, - thotë 20-vjeçari. “Do të jetë shumë e vështirë te futem në 11-shin e parë”. Por, me pezullimin e Elkin Sotos, dera hapet për të pak më e gjërë. Deri në fundjavë nuk e dinte shqiptari për fatin e keq të konkurrentit të tij. “Soto nuk ka pasur shumë fat te Mainci”, - thotë ai. “Ndoshta Hyka ka më shumë”, - përfundon shkrimi i “Allgemeine Zeitung”.

Edgar Cani kërkohet nga Askoli

Edgar Cani është gjithmonë e më afër ekipit të Askolit. Tek Palermo duket se nuk më vend për lojtarin, të cilit nuk i mbetet gjë tejtër veccse të largohet për disa kohë. Dhe ndaj sulmuesit shtalartë shqiptar ka shumë skuadra të interesuara. Askoli është e para në garë për të marrë shërbimet e lojtarit. Duke arritur të kalojë disa ekipe të tjera të interesuara. Edgar Çani, konsiderohet si një nga talentet shqiptarë të Peskarës. Sezonin e kaluar ai befasoi jo pak ambientin sportiv italian me paraqitjet e tij dhe realizoi një hap të madh në karrierën e tij të re sportive, atë të kalimit nga Peskara e Serisë C1/B në Serinë A, te Palermo. Shqiptari etiketohet nga media sportive italiane, si një sulmues me të ardhme dhe thirret “Bobo Vieri Xhunjior”.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›