E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori amerikan Uidhers: “Mediu më kërkoi të bëja çudira”



Habjon Hasani
Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, e ka mohuar kategorikisht dhënien e ndihmës ministrit shqiptar Mediu për fshehjen e provave ndaj gazetarit të “Neë York Times”-it. Në një letër dërguar kongresmenit Uaksman, Xhon Uidhers e mohon kategorikisht implikimin e tij. Por në një prononcim për gazetën “Los Angeles Times” Uidhers ka shkuar edhe më tej duke u shprehur se Mediu i kishte bërë kërkesa të çuditshme. “Uidhers ka thënë se ishte Mediu që i kërkoi takim urgjent ambasadorit amerikan. Uidhers thotë se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për ndonjë çështje të ndjeshme terrorizmi. Por Mediu, siç thotë Uidhers, në një gjendje emocionale i sugjeroi gjëra të “çuditshme” si të ndalonte reporterin e “Neë Jork Times”-it të vizitonte Aeroportin e Rinasit, ku bëheshin ripaketimet e municioneve me origjinë kineze. Por Uidhers shton se asnjë nga anëtarët e Ambasadës nuk dha ndonjë shenjë se mbështeste idetë e çuditshme të Mediut, por i kërkuan që të përgatiste një reagim në rast se shkrimi botohej. Uidhers tha se gjithë ai takim është keqkuptuar nga majori Lerri Herrison, mbi bazën e të cilit janë ngritur akuzat e kongresmenit Uaksman”, - shkruante dje gazeta “Los Angeles Times”. Megjithatë, kongresmeni Uaksman ka komentuar për të njëjtën gazetë deklarimet e ambasadorit Uidhers, duke u shprehur se komisioni hetimor ka vepruar në mënyrë profesionale dhe transparente.
Dëshmia
Implikimin e ambasadorit amerikan në Tiranë e denoncoi dëshmia e atasheut ushtarak në këtë ambasadë, Leri Herrison. Ai citoi gjatë intervistës së tij se ministri shqiptar i Mbrojtjes ishte i shqetësuar nga fakti se një reporter i "Neë York Times"-it planifikonte të hetonte mbi dërgesat në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, ku “AEY” po ndërmerrte operacionin e tij të ripaketimit të municionit kinez përpara se ta dërgonte atë në Afganistan, një proces që përfshinte heqjen e municionit nga paketimi i tij origjinal kinez. Vizita e reporterit ishte e programuar për të nesërmen. Sipas majorit Herrison, ministri shqiptar i Mbrojtjes, "shumë i shqetësuar, më kërkoi mua të lija një takim për të parë ambasadorin apo zv/shefin e misionit për reporterin e ‘Neë York Times’-it”. Majori Herrison citoi se ministri i Mbrojtjes ishte i shqetësuar se reporteri do të hapte akuza korrupsioni kundër tij. Sipas majorit Herrison, shqetësimi kryesor i ministrit që tërhoqi vëmendjen e tij ishte se "Neë York Times"-i do të shkruante një artikull për korrupsionin shqiptar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe arsyeja për shqetësimin e tij ishte se... çfarë do të ndodhte me reputacionin e tij personal dhe atë të Shqipërisë? Major Harrison citoi se në përgjigje të kërkesës së ministrit shqiptar të Mbrojtjes, ai kontaktoi zv/shefin e misionit, Stefën Kristina, i cili rregulloi mënyrën që takimi të mbahej në rezidencën e tij private në Tiranë po atë pasdite.
Akuza
Sipas majorit Herrison, takimi zgjati të paktën disa orë dhe përfundoi rreth mesnatës. Majori Harrison u shpreh për Komitetin se gjatë takimit ministri shqiptar i Mbrojtjes i kërkoi ndihmë ambasadorit amerikan. "Ai bëri disa komente mbi efektin se si Mediu kishte qenë një mik i SHBA-ve, ai i kishte ndihmuar SHBA-të...", - vijon Herrison. Ai ndjehej sikur SHBA-të i detyrohej diçka atij. Majori Herrison ka cituar se zyrtarët më pas kanë diskutuar si të manovronin me reporterin e "Neë York Times"-it. Ai citoi se këshilla e tij ishte të mos ta lejonin reporterin të vizitonte vendin e punës, por këshilla e tij nuk ishte pranuar. Në vend të kësaj, ministri shqiptar i Mbrojtjes thirri gjeneral komandantin e forcave shqiptare ushtarake dhe e instruktoi atë të hiqte të gjitha kutitë e municionit kinez nga vendi i ripaketimit, në mënyrë që "reporteri të mund të mos shihte asgjë".
"Ambasadori ra dakord se kjo do të lehtësonte dyshimet mbi shkeljen e ligjit, nëse z. Vud (reporteri i ‘Neë York Times), ndërsa vizitonte Rinasin, nuk i shihte kutitë kineze të municioneve", - shtoi majori Herrison. Ai u shpreh gjatë intervistës së tij për Komisionin e Kongresit se ishte ndjerë shumë në siklet me këto veprime, pasi për aktivitetin e “AEY”-së në Shqipëri kishte nisur një hetim kriminal.

Letra e plotë e ambasadorit Uidhers për Kongresin

Kongresmenit Henry A. Uaksman
Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA
Ndërtesa “Rayburn” 2157
Uashington DC 20515 6143

I dashur z. Kongresmen,

Në letrën tuaj të datës 23 qershor drejtuar Kondolesa Rajsit, bëni një sërë akuzash, sipas të cilave unë dhe anëtarët e stafit tim kishim bërë një sërë gabimesh të rënda lidhur me hetimet për veprën penale ndaj kompanisë “AEY”. Ju siguroj se të gjitha akuzat e lëshuara janë të gabuara në tërësinë e tyre. Pavarësisht kësaj, ajo letër iu dha gazetarëve përpara se të mbërrinte te sekretarja amerikane e Shtetit, te pala tjetër apo te mua. Ndaj asnjeri nuk pati mundësi të përgjigjej përpara se këto akuza të rënda të publikoheshin në “Neë York Times”, apo në mediat e tjera kryesore.

Në shenjë respekti do të dëshiroja një takim ballë për ballë me ju, për të prezantuar historinë e vërtetë të aktiviteteve të Ambasadës Amerikane lidhur me kompaninë “AEY” dhe për të hedhur poshtë akuzat e lëshuara ndaj reputacionit të një kuadri të përkushtuar që shërben në Ambasadën Amerikane në Shqipëri.

Duke qenë se jam në lëvizje, për qenë më praktik, e kam dërguar këtë letër nëpërmjet avokatit tim, z. J. Majkëll Hanon. Pa ju bezdisur, për një përgjigje kontaktoni atë në numrin (202)232-1907

Ju falënderoj paraprakisht për marrjen në konsideratë prej jush të kërkesës time.

Me respekt

Xhon L. Uidhers II
Ambasadori i SHBA në Shqipëri

REZULTATET E HETIMIT TË KOMITETIT DEMOKRAT

Në datën 9 qershor 2008 stafi i Komitetit e pyeti majorin Leri Herrison, i cili kryen detyrën e shefit të Zyrës për Bashkëpunimin Ushtarak në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Sipas major Harisonit:

- Më 19 nëntor të vitit 2007 ambasadori amerikan në Shqipëri dhe ndihmësit e tij kryesorë u takuan me ministrin shqiptar të Mbrojtjes për të diskutuar për mënyrën se si do t’i përgjigjeshin një kërkese të bërë nga ”The Neë York Times”-i për të vizituar vendndodhjen në të cilën kontraktori i Ushtrisë Amerikane, “AEY”, po u ndryshonte ambalazhin municioneve kineze përpara se t’i çonte në Afganistan.

- Si rezultat i këtij diskutimi, që përfundoi natën vonë, ministri shqiptar i Mbrojtjes urdhëroi një nga gjeneralët e tij kryesorë për t’i zhvendosur të gjitha municionet kineze të riambalazhuara përpara se vendndodhja të inspektohej një ditë më vonë. Majori Herrison i tha Komitetit: ”Ambasadori e aprovoi këtë si një ndërhyrje që do të zbehte dyshimet lidhur me atë që ndodhte në të vërtetë”.

- Në kohën e këtij takimi firma “AEY” ishte nën hetim për trafikim të paligjshëm të armëve kineze. Major Herrison i tha Komitetit se ai nuk ishte dakord me vendimin për zhvendosjen e municionit kinez dhe u shpreh se ishte ndjerë ”tejet i sikletosur” gjatë këtij takimi.

- Për më tepër, duket se zyrtarët e Ambasadës nuk ia kanë vënë në dispozicion Komitetit këto informacione. Komiteti i ka kërkuar me kohë Departamentit të Shtetit të vinte në dispozicion çdo të dhënë dhe informacion në lidhje me takimet mes zyrtarëve të Ambasadës dhe atyre të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, që kanë lidhje me ripaketimin e municioneve kineze. Për më tepër, majori Leri Herrison urdhëroi zyrtarët e Ambasadës të informonin Komitetin në lidhje me takimin e 19 nëntorit, por zyrtarët e Ambasadës harruan t’i referoheshin takimit në përgjigjen e tyre.

15 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›