Zuma: Gadafi e ka pranuar planin për mbylljen e konfliktit

Presidenti i Afrikës Jugore, Jakob Zuma, ka deklaruar se Muamer Gadafi ka pranuar propozimin për planin e arritjes së përfundimit të konfliktit tetëjavor në Libi.
Këtë deklaratë presidenti Zuma e bëri mbrëmë, meqë kishte udhëhequr delegacionin e liderëve afrikanë në bisedimet me Gadafin në Tripoli.
Presidenti Zuma, gjithashtu i ka bërë thirrje NATO-s, që të ndalë sulmet ajrore ndaj trupave të qeverisë së Libisë, për t`i dhënë “një rast” armëpushimit ndërmjet forcave të Gadafit dhe kryengritësve, që po synojnë përmbysjen e Gadafit nga pushteti.
Raportohet se plani i propozuar përfshinë armëpushim dhe bisedime ndërmjet kryengritësve dhe qeverisë së Gadafit.
Kryengritësit më herët kanë thënë se ata do të pranojnë vetëm përfundimin e sundimit 40 vjeçar të Gadafit.
Qeveria tha se Gadafi nuk do t`i pranoj kërkesat e kryengritësve që ai të tërhiqet.
Delegacioni i Unionit Afrikan pritet që sot të takohet edhe me shefat e kryengritësve, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e armëpushimit.