Zvarritja, kreu i PS-së takon ambasadorët, Sekui: Reformat duhen përshpejtuar

Ambasadorët Sekui, Volfart, Arvizu në takim me kreun e PS-së Rama dhe deputetët Bushati dhe Gjiknuri
Ambasadorët e BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së janë takuar me kryetarin e Partisë Socialiste. Ky takim vjen pas shqetësimeve të shprehur publikisht nga PS lidhur me zvarritjen e reformës zgjedhore nga ana e mazhorancës.
Takimi mes Aleksandër Arvizut ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Etore Sekuit kreu i delegacionit të Komisionit Evropian dhe Eugen Volfart me Edi Ramën kryetar i Partisë Socialiste, Ditmir Bushatin deputeti i PS-së që është kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin dhe Damina Gjiknurit i cili është kryesuesi i PS-së për zhvillimin e negociatave me PD-së për reformën zgjedhore është mbajtur në selinë e PS-së dhe në qendër të diskutimeve ka pasur plotësimin e kushteve të Shqipërisë për statusin kandidat.
Ky takim u zhvillua me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur afërsisht 60 minuta. Pas takimit, Sekui në prononcimin e tij dha mesazhin se reformat nuk duhen penguar dhe se dehet respektuar marrëveshja PD-PS e arritur në nëntor të vitit të kaluar.
Në këtë takim diskutuam për perspektivën e integrimit si dhe për ecurinë e reformave. Në nëntor kishte një marrëveshje për reformën zgjedhore. Tani është koha e duhur për përshpejtimin e reformave. Ne jemi të gjithë të angazhuar për reformat. Duhet përshpejtuar ritmi, Sekui.
Takimi i Ramës me tre ambasadorët vjen në një kohë kur ka një “ngecje” në reformat e përbashkëta mazhorancë – opozitë dhe kryesisht në atë zgjedhore. Me konsensusin PD-PS, u ra dakord për realizimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare si edhe miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Kreu i PS-së dje dhe sot ka dalë në deklarata për shtyp ku ka shprehur shqetësim lidhur me prishje të njëanshme të marrëveshjes opozitë-mazhorancë.
F.Stafa