Zvicër-Shqipëri, ‘sherr’për 2 lojtarë kosovarë
ZVICER- Zvicra ka nisur të frikësohet se mund të humbasë vëllezërit kosovarë Granit e Taulant Xhaka, shkruan gazeta “Blick” të mërkurën. Federata Shqiptare e Futbollit është duke biseduar me vëllezërit Xhaka, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe vetë Graniti 18-vjeçar. “Është e vërtetë se zyrtarë nga federata janë interesuar për ne. Ata po bëjnë presion. Ëndrra ime është të luaj për Zvicrën. Por, derisa nuk kam një ftesë nga Zvicra, atëherë natyrisht se do të merrem edhe me Shqipërinë”, ka thënë Granit Xhaka. Graniti dhe Taulanti janë pjesë të skuadrës kampione të Zvicrës, Bazel dhe po ashtu luajnë për grupmoshat e reja të vendit helvetik. I pari luan në mesfushë, ndërsa Taulanti 20-vjeçar është mbrojtës. Një vit më parë, Granit Xhaka fitoi titullin kampion bote me Përfaqësuesen U-17 të Zvicrës, ç’ka duket se i penalizon edhe për të luajtur me Shqipërinë. Vetë gazeta “Blick” ka zbuluar se dy lojtarët me origjinë kosovare nuk mund të luajnë për Shqipërinë për shkak se kanë veshur fanelën e një skuadre tjetër, pa pasur njëkohësisht pasaportën shqiptare. Një rast i ngjashëm ndodhi edhe me Migjen Bashën, tepër i kërkuar nga Josip Kuzhe. “Në bazë të nenit 15 të statutit të FIFA-s, futbollistët që kërkojnë të ndërrojnë përfaqësuesen, duhet të kenë pasur në posedim pasaportën e asaj përfaqësueseje para se të zhvillonin ndeshje zyrtare me një kombëtare tjetër. Graniti e Taulanti kanë zhvilluar ndeshjen zyrtare me përfaqësueset zinxhirë të Zvicrës, ndërsa ata edhe sot kanë në posedim vetëm pasaportën zvicerane”, ka komentuar gazeta "Blick". Muaj më parë, Zvicra nuk kishte mirëpritur një grumbullim të Federatës Shqiptare të Futbollit me talente kosovarë që luajnë në këtë vend. Ky vend, në shumë forma, pengoi shumë prej të ftuarve nga trajneri Kuzhe dhe FSHF, që të marrin pjesë në këtë grumbullim 3-ditor, kryesisht me talente nga Kosova.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)