E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja modeli i fushës ideale

Klubet kosovare nuk e çajnë fort kokën për rregullimin e stadiumeve. Fusha në gjendje të mjerueshme e stadiumit të Prishtinës, në miqësoren Kosova-Renova, shpalosi problemin kryesor të sportit kosovar – infrastrukturën. Eksperti i ndërtimit të fushave të futbollit, Luan Buçaj vlerëson se kompletimi i një fushe profesionale të stadiumit kushton rreth 120 mijë euro. Kurse, për një fushë ndihmëse nevojiten 35 mijë euro. Nga Moral Pozhegu moral.pozhegu@gazetaexpress.com më 30 mars 2011 në ora 14:41

Infrastruktura e papërgatitur dhe e keqe vazhdon të jetë njëri prej problemeve kryesore të sportit në Kosovë, e veçanërisht futbollit. Rasti i fundit, kur u shpalos ky problem, ishte ndeshja miqësore ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe Renovës. Në fakt, fusha e stadiumit të Prishtinës ishte në gjendje të mjerueshme, me plot gunga, të cilat ia pamundësuan lojtarëve që ta shfaqin atë që e dinë.

Në Kosovë, përveç KF KEK-ut të Kastriotit, asnjë klub tjetër nuk ka fushë ndihmëse. Futbollistët janë të detyruar që stërvitjet t’i zhvillojnë herë në fushën kryesore e herë pas
portës së kësaj fushe. Disa dalin edhe nëpër parqe, duke u munduar t’i kursejnë fushat e stadiumeve të tyre.

Këto klube, deri sot, nuk kanë menduar ta bëjnë drenazhimin e fushës së lojës. Ose kanë menduar, por kjo ka mbetur vetëm si një ide, për shkak të problemeve financiare.

Sipas parashikimeve të NTP “Lulishtja Labi” nga Prishtina, ndërtimi i një fushe ndihmëse përafërsisht mund të kushtojë 35 mijë euro, kurse drenazhimi i fushës kryesore kushton afro 120 mijë euro.

Drenazhimi i fushës kryesore

“Për të qenë një fushë e futbollit e drenazhuar mirë nevojitet: të thellohet toka 1-1.20 metra, ku në shtresën e parë duhet të vendosen gurë të diametrit 4-5 cm dhe kjo shtresë duhet të jetë 25-30 cm.

Më pas, 25 centimetra duhet të jenë të drenazhuara me rërë të diametrit 2-3, ku në këtë pjesë vendosen edhe gypat e drenazhimit, me të cilët bëhet përcjellja e ujërave nga terreni sportiv deri në vendin e caktuar. Pastaj vjen shtresa e rërës me diametër 0-1, ku kap shtresën prej 20 centimetrash.

Shtresa tjetër që duhet të shtrohet është dheu i klasës së parë, i përpunuar me diametër 1 cm, e më pas fillon të ngjishet me qëllim që të nivelizohet. Mbi këto pjesë vendoset një
lloj i dheut me rërë, që duhet të jetë i trashë 0.5 cm. Ky dhe duhet të përpunohet me pleh ushqyes, NPK 3X15 e pastaj duhet të vendoset fara e barit ose rrollja”, shpjegon bashkëpronari i NTP “Lulishtja Labi”, Luan Buçaj.

Sa u përket fushave ndihmëse, ato mund të përfundohen për dy deri në tri javë, nëse klubi i futbollit ka një menaxhim të mirë financiar.

Fusha ndihmëse

“Që të ndërtohet fusha ndihmëse, së pari nevojitet thellimi i tokës prej 35 centimetrash, më pas futen gypat e drenazhimit, të cilët funksionojnë si në formë kanalizimi për ruajtjen e fushës dhe bëhen për arsye se, nëse bie shi, përmes këtyre gypave vjen deri te kullimi i tokës. Pastaj vendoset një shtresë e zallit me diametër 1-2 me gjerësi deri 15 cm, e më pas shtrohet shtresa tjetër me rërë të klasës së parë, e kombinuar me plehra ushqyes, që duhet të jetë 15 centimetra, dhe në fund bëhet plehërosja e barit. Fusha ndihmëse shërben për mbrojtjen e fushës kryesore, sepse dihet që fusha kryesore duhet të jetë e rezervuar vetëm për ndeshje kampionale, që do të thotë se fusha ndihmëse e kursen atë kryesore për stërvitje, lojëra lokale, etj”, vazhdoi Buçaj.

Sipas tij, përfundimi i punës së fushës ndihmëse do të duhej të përfundonte për dy deri në tri javë. Por, këtyre fushave që janë të parapara të mbillen me bari natyral, iu nevojitet një mirëmbajtje e vazhdueshme. Kjo, sipas Buçajt, nuk ekziston në asnjë klub në Kosovë.

Mirëmbajtja e fushave

“Tek ne nuk ekziston ndonjë bashkëpunim me ekspertë që dinë të bëjnë ujitjen e fushës aty ku ka nevojë, ta prejnë barin, të bëhet ruajtja e barit nga dëmtimi, që mund të shkaktohet nga stërvitjet apo lojërat që i zhvillojnë futbollistët, si dhe ushqimi i barit, që duhet të bëhet me pleh artificial”, tha ai.

Sistemi i ujitjes

“Sistemi i ujitjes është i ndarë në dy mënyra. Mënyra e parë është ujitja për fundi tokës, që dmth, censorët ose matësit, automatikisht aktivizohen dhe e ujisin tokën kur ka mungesë të lagështisë. Mënyra e dytë është jashtë në natyrë, me vendosjen e fluturave”, theksoi Buçaj.

Mbjellja e barit

“Mbjellja e barit bëhet në dy mënyra: me rollne, me gjerësi 50 cm dhe gjatësi 2 metra, që
do të thotë 1 metër në katror, dhe lloji i dytë është hedhja e barit në fushë. Mënyra e parë ose shtruarja e barit me rollne bëhet vetëm nga ndonjë kompani e specializuar e terreneve sportive e, nëse këtë e merr përsipër ndonjë kompani pa përvojë, atëherë vjen deri te defektet e fushës pas disa ditësh. Kjo vlen edhe për mënyrën e dytë ose mbjelljen e barit me farë. Në qoftë se nuk bëhet përpunimi i tokës, drenazhimi i tokës, gypat e drenazhimit dhe vendosja e kualitetit të barit, mund të vjen deri te dëmtimi i fushës”, thotë Luan Buçaj.

Llojet e barit

“Ndër llojet e barit që kanë kualitet veçohen: bari holandez, kanadez, italian, anglez, etj. Por, më së shumti, në përgjithësi preferohet bari italian dhe kanadez. Kjo preferohet edhe këtu te ne, për arsye se kushtet klimatike në sezonin e dimrit janë më të ulëta, ku temperatura mund të bie deri në -20 gradë të Celsiusit. Bari italian dhe kanadez mund t’i rezistojnë kësaj temperature”, përfundoi Buçaj.

Klubeve të futbollit, medoemos, në të ardhmen u duhen këto fusha. Atyre u mbetet t’i gjejnë mundësitë financiare që ta zgjedhin problemin e tyre të infrastrukturës, një
herë e përgjithmonë.

Ose të përcjellin përvojën e Serie A të Italisë, ku shoqata e klube ka marrë vendim se fushat e stadiumeve mund të mbulohen edhe me bar të sintetikes. Në Kosovë, kjo do të mund të jetë një nga zgjidhjet më të shpejta dhe më të lira se ato të barit natyral.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›