Zvicër, modeli që duhet kopjuar
Bindi plotësisht republikanin Mitt Rommney, kur ishte guvernator i Masaçutesit dhe tani po bën për vete edhe administratën "Obama", për t‘u dhënë zgjidhje një prej çështjeve më të diskutuara të politikës amerikane: reformës shëndetësore. Është kthyer në një objekt zilie sistemi shëndetësor që Zvicra përdor prej më shumë se 13 vjetësh e që bazohet në detyrimin për të paguar siguracionin shëndetësor në ndonjë kompani private dhe një çmimi të përcaktuar në bazë kantonesh dhe i barabartë për të gjithë: burra, gra, pleq, të rinj, të pasur dhe të varfër. Kjo zgjidhje, që ka lënë gojëhapur shumë sisteme shëndetësore në Evropë, mendohet se do të jetë rruga e vetme për të garantuar një asistencë të njëjtë edhe në SHBA. "Ne zviceranët, ashtu si amerikanët jemi plotësisht kundër idesë se shteti është shumë i përfshirë në zgjedhjet tona personale, si për shembull te shëndeti", shpjegon Beatrice Schaad, përgjegjëse e komunikimit në spitalin e Lozanës, që me këtë argument është marrë edhe në shkollën e Harvardit për shëndetin publik. "Edhe te ne para reformës nuk ishte e detyruar të siguroheshe. Mbulimi bëhej pjesërisht nga punëdhënësi. Por, nëse një kompani falimentonte dhe njerëzit ishin të detyruar të kërkonin një mbulim privat, mund të shfaqeshin pabarazi të mëdha: gra, të moshuar, të sëmurë që përfundonin duke paguar çmime shumë të larta. Ndaj iu hap rrugë debatit për ndryshim". Sistemi aktual zviceran parashikon që çdo rezident i vendit, qoftë ky edhe i huaj të nënshkruajë një siguracion shëndetësor që mbulon një sërë shërbimesh që sigurohen nga shteti. Kompanitë janë të detyruara t‘i ofrojnë paketën bazë kujtdo që ua kërkon. Çmimi është llogaritur në bazë kantonesh, por ndryshon mes shoqërive të sigurimeve. Diferencat mund të jenë edhe shumë të mëdha. Për shembull, një i rritur mbi 25 vjeç në Gjenevë mund të paguajë një shumë mujore që mesatarisht shkon nga 242 dhe 344 euro. Në Ticino, mesatarja është 237 euro, ndërsa në Appenzell rreth 142 euro. Një shumë e konsiderueshme nëse merret parasysh fakti se në Zvicër rroga mesatare është rreth 1950 euro në muaj. Njerëzit që fitojnë shumë pak dhe që nuk janë në gjendje të paguajnë sigurimin e detyruar kanë të drejtën e një ndihme të përcaktuar në bazë të kantoneve. Në Zvicër, zakonisht, për t‘u vizituar mund të shkosh direkt te një specialist pa pasur nevojën e recetës nga mjeku i familjes. Në çdo vend, ambulancat janë si lloj klinikash të vogla. "Në zyrën time bëj radiografi, elektrokardiogramë, eko, por edhe analiza dhe ndërhyrje të vogla kirurgjikale. Në disa kantone kolegët e mi kanë edhe mundësinë e furnizimit me ilaçe", shpjegon doktor Jean-Marc Savioz. Pacientët i paguajnë mjekët në momentin e vizitës dhe më pas rimbursohen nga kompanitë e sigurimeve. Për më tepër, janë të lirë t‘u nënshtrohen kontrolleve ose të shtrohen në strukturën që preferojnë, mjafton që të jetë pjesë e kantonit ku janë rezidentë. "Por, nëse nuk kanë mundësi të kurohen aty, mund të shkojnë në një tjetër kanton. Në çdo rast lista e pritjes për një ekografi ose analiza të tjera vështirë që ta kalojë një javë, maksimumi dhjetë ditë". Ai që dëshiron shërbime më shumë nga ato bazë, si dhomë private në spital apo ndonjë gjë shtesë duhet të nënshkruajë dhe të paguajë ekstra. "Në SHBA janë punëdhënësit ata që mbulojnë sigurimin shëndetësor për nëpunësit", shpjegon Peter Zweifel, profesori i ekonomisë në Universitetin e Zyrihut. "Në Zvicër është ndryshe, ky është një vendim që i takon vetëm individit, që zgjedh se cilën politikë duhet të nënshkruajë, nga e cila është e sigurt se do të marrë atë që dëshiron. Një sovranitet absolut i konsumatorit, nga shkalla më lartë në atë më të ulët të pasurisë". Megjithatë, sistemi ka disa elementë shumë kontradiktorë që nga njëra anë janë të lidhura me federalizmin dhe nga ana tjetër me faktin që kostot e politikës së detyruar për sigurimin shëndetësor merren nga paga. "Faktikisht kemi 26 nënsisteme shëndetësore, me kosto të ndryshme dhe një gamë të ndryshme ofertash në bazë të densitetit, shtretërve, asistencës së shërbimit në shtëpi etj. Pabarazi që përcaktojnë diferencat e mëdha në çmimet e kompanive të sigurimit nga një kanton në tjetrin", qartëson Massimo Filipini, pedagog ekonomie në Politeknikun e Zyrihut dhe në Universitetin e Luganos. "Megjithatë, e vërteta qëndron në faktin se çmimi është unik dhe rëndon shumë mbi atë pjesë të popullsisë që nuk është shumë e pasur, por as e varfër deri në atë pikë sa të përfitojë nga ndihmat". Në të vërtetë, saktëson Zweifel, askush nuk paguan për sigurimin më shumë se 10 për qind mbi të ardhurat e tyre. Studimet e ndryshme kanë treguar se pika e dobët e sistemit shëndetësor zviceran është mungesa e një konkurrence efektive mes kompanive të sigurimeve, por edhe mes mjekëve dhe spitaleve. E gjithë kjo çon në rritjen e kostove. "Kompanitë e sigurimit janë të detyruara të pranojnë marrëveshje me të gjithë profesionistët që vendosin të punojnë në sistemin e detyrueshëm shëndetësor, të subvencionuar nga kantonet. Kështu që, është e pamundur të krijosh rrjete mjekësh, ambulancash, apo klinikash në konkurrencë të vërtetë mbi kostot dhe shërbimet për t‘u ofruar në paketën e kompanive të sigurimit. Në këtë pikë për shembull, SHBA-ja, qëndron më lart", shton më tej Zwefel. Amerika gjithashtu qëndron disa hapa më lart edhe për sa u përket zakoneve të konsumatorëve për të ndryshuar kompanitë e sigurimeve. "Zviceranët kanë treguar se janë pak dembelë për të ndryshuar kompanitë e sigurimit. Ata vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtën kompani edhe pse tregu ofron mundësi të mira për të kursyer", përfundon Filipini. Ndryshe nga zviceranët, amerikanët kanë një kulturë konkurrence më të spikatur. Në një sondazh të bërë me shumë mjekë në Amerikë, ata kërkojnë që të gjithë amerikanët të jenë të siguruar në një kompani të vetme sigurimi. Pikërisht zgjidhja që zviceranët e rrëzuan me një referendum dy vjet më parë.