Morati: Murinjo nuk do të largohet drejt Realit
Presidenti i Interit, Masimo Morati, reagon pas spekulimeve të mediave spanjolle, se Hoze Murinjo është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e stolit të Real Madridit. Patroni zikaltër nuk ka humbur kohë dhe menjëherë ka hedhur poshtë mundësinë e largimit të teknikut luzitan, i cili është në listën e dëshirave të Florentino Perez. Pas takimit me Murinjon në zyrat qendrore të klubit, Morati deklaroi: "Po, zërat nga Spanja erdhën shumë shpejt në Milano. Trajneri ynë më siguroi se nuk dëshiron të largohet nga Interi. Megjithatë, rreth kësaj çështjeje duhet ta pyesni vetë…". Më tej, njëshi i kampionëve të Italisë konfirmoi besimin që ka te profesionalizmi i Murinjos dhe te fjala e tij. "Pavarësisht të gjitha fjalëve që qarkullojnë, preferoj t‘i besoj fjalët e trajnerit të skuadrës time", shtoi Morati. "Në të kaluarën ai ka konfirmuar se është një profesionist i vërtetë. Asnjëherë nuk është tërhequr nga fjalët që ka thënë. Murinjo është një person shumë serioz dhe nuk do të vepronte asnjëherë prapa shpinës sonë".