E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zviceranët: Shqipëria, rivalja e jonë e vetme

Jehona e ndeshjes me Norvegjinë duket sikur nuk ka mbaruar ende. Vijojnë diskutimet, tifozët bëjnë kalkulimet e pikëve, por edhe rivalët e grupit japin opinionin e tyre për ecurinë jo vetëm të skuadrës së tyre, por edhe për Shqipërinë, për risinë që në grup, duke qenë e dyta në grup pas 6 ndeshjesh eliminatore të Botërorit. Norvegjezët e provuan në dy ndeshje forcën e Shqipërisë, por nëse herën e parë në Oslo ia lanë fatit të keq për humbjen 0-1, në Tiranë ata u bindën plotësisht se ekipi shqiptar është i fortë dhe një kandidat potencial për të marrë të paktën vendin e dytë në grup, çka do të çonte në ndeshjet e "play-off" dhe një shans për të shkuar në "Brazil 2014".
ZVICRA
Por jo vetëm Norvegjia na ka vlerësuar. Fitorja e minutës së fundit ndaj Qipros i ka bërë zviceranët të ruajnë vendin e parë në grup, duke thelluar për më tepër në katër pikë diferencën me ndjekësin më të afërt, Shqipërinë. Por katër ndeshje nga përfundimi, edhe helvetët, ashtu si ne, bëjnë llogaritë për një vend në Botërorin "Brazil 2014", duke iu trembur pikërisht kuqezinjve të De Biazit, të cilët i etiketojnë si rivalët kryesorë në garën për vendin e parë. Në analizën e gazetës më të madhe zvicerane "Blich", teksa bëhen llogaritë me ndeshjet e mbetura, shkruhet se ndjekësi më i rrezikshëm për helvetët është Shqipëria, e cila sipas zviceranëve, është e vetmja skuadër në garë për kreun e Grupit E, duke qënë se Norvegjia është e distancuar tashmë gjashtë pikë.
TRANSFERTAT
Media zvicerane thekson gjithashtu se Zvicra ndeshjen e parafundit në grup e luan pikërisht në Tiranë dhe kjo do të jetë një sfidë jo e vogël për helvetët, por ngushëllohet me faktin që kuqezinjtë e De Biazit do të luajnë tri sfida në transfertë dhe kjo mund të favorizojë Zvicrën në garën për vendin e parë, që do t'i siguronte dhe biletën direkt për në Brazil. Kujtojmë që Shqipëria në fillim të shtatorit do të ndeshet me Slloveninë dhe me Islandën, të dyja ndeshjet në transfertë. Pas fitores me Islandën, sllovenët kanë marrë zemër dhe ndoshta ata verbërisht besojnë në një vend të dytë. Vështirësia shtohet kur tashmë e drejton skuadrën një trajner i ri, i cili është i etur për sukses. Shqipëria fitoi me Slloveninë me vështirësi në Tiranë, ku atje vështirësia dihet. Më pas Kombëtarja pret Zvicrën brenda, një takim tjetër delikat dhe më pas transferta e fundit me Qipron, që do të luhet në tetor. E vetmja gjë pozitive në ndeshjet e shtatorit është rikthimi i mungesave që ishin në ndeshjen e fundit me Norvegjinë, ku do të jenë gati Cana, Roshi, Lila, pse jo edhe të dëmtuarit Curri, Meha dhe Kukeli. Edhe ndonjë mungesë tjetër nuk do të jetë më problem për stafin dhe trajnerin De Biazi, pasi tashmë ai ka në dispozicion 35 futbollistë, ku mund të zgjedhësh dhe jo të vuash nga alternativat.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›