Zviceranët me “Pasionet e botës”, në Tiranë
Trioja zvicerane “Broken Dreams” bën zbulimet poetike në Tiranë. Më 21 mars, ora 19:00, trioja zviceran “Broken Dreams” do të jetë në sallën e koncerteve të Akademisë së Arteve në Tiranë me një koncert të quajtur “Pasionet e botës”. Bëhet fjalë për një ansambël unik dhe origjinal të zbulimeve poetike – një lloj “serenatë e pasioneve”. Tre pjesëtarët e “Broken Dreams”, këngëtarja Alexandra Prusa, kompozitori dhe pianisti irlandezo-zviceran John Wolf Brennan dhe Peter Gossweiler ndjekin një dialog artistik, objektivi i të cilit është gjetja e formave të reja të interpretimit rreth temës qendrore të pasioneve. Në programin “Pasionet e botës” gjenden këngë franceze, disa këngë italiane, por gjithashtu tango argjentinase. Kjo përzierje e llojeve muzikore prodhon një formë të çuditshme të interpretimit të “këngëve-jazz” kozmopolite, në të njëjtën kohë, kjo formon një kaleidoskop të pasioneve njerëzore që rrjedhin midis burrave dhe grave. Me zërin e saj karakteristik, Alexandra Prusa i bashkëngjit përpunimeve dhe kompozicioneve një improvizim që nuk lë asnjë person indiferent.
Veglat e tunxhit në kinema
Banda muzikore e orkestrës së Toskanës dhe “Maggio Musicale Fiorentino” do të japin një koncert në Akademinë e Arteve në Tiranë. Aktiviteti “Veglat e tunxhit në kinema” do të vijë nga Orkestra e Toskanës (ORT), me pjesëmarrjen e Andrea Dell’Ira dhe Donato De Sena në trombë, Paola Faggi në Korno, Antonio Sicoli në trombon, Ricardo Tarlini në tube dhe Roberto Bichi në bateri. Kuinteti i tunxhit dhe baterive të ORT është një bandë e veçantë, e cila bashkon vegla të tilla muzikore si tromba, trombona, korno, tube dhe bateri, ku bëjnë pjesë muzikantë dhe ekspertë të afirmuar të ardhur nga Orkestra e Toskanës dhe nga “Maggio Musicale Fiorentino”. Pjesëtarët e ansamblit, të cilët kanë bashkëpunuar me dirigjentët më të mëdhenj, duke filluar nga Muti e Berio tek Metha e Chung, kanë zhvilluar koncerte të shumta si në Itali ashtu edhe jashtë vendit, duke përcjellë gjithmonë entuziazëm tek publiku. Në Tiranë ata do të paraqesin një repertor shumë tërheqës, që do të përçojë tek publiku kolonat e paharruara zanore të filmave, kolona këto të shkruara nga kompozitorët më të mëdhenj si Morricone, Rota, Williams, Piovani dhe të përshtatura nga Donato De Sena, trombë e parë e ORT dhe trombetist me famë. Spektakli, nën regjinë e Angelo Del Rosso, do të paraqesë dhe pjesë nga filmat përkatës të shoqëruara me një sfond muzikor. Koncerti, i cili organizohet nga Instituti Italian i Kulturës, me rastin e Sezonit IX Ndërkombëtar të Muzikës Klasike do të organizohet nesër në orën 19:00.