Zvicra 1.2 mln euro për sistemin shëndetësor shqiptar
Zvicra do te mbështesë reformimin e sistemit shëndetësor ne Shqipëri. Qeveria e këtij vendi do te financoje një shume prej 1,2 milionë euro për një program 3 vjeçar për ngritjen e një sistemi të formimit të vazhduar për personelin shëndetësor në Shqipëri. Marrëveshja për këtë ndihme u nënshkrua sot nga ministri i shëndetësisë Nard Ndoka dhe Ambasadorja e Konfederatës së Zvicrës në Shqipëri, Yvana Enzler. Kjo iniciativë i përgjigjet nevojave të sektorit shëndetësor dhe është një nga fushat prioritare të MSH. Kjo ka për qëllim forcimin e kompetencave profesionale të personelit shëndetësor, duke kontribuar kështu në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në rritjen e efektivitetit të sistemit shëndetësor. Ky program do të mbështetet në eksperiencën e Bashkëpunimit Zviceran në sektorin e shëndetësisë, të tilla si trajnimi i infermiereve dhe i drejtuesve shëndetësorë, por edhe trajnime të tjera cilësore që ekzistojnë në vend. Sistemi shëndetësor në Shqipëri përballet me vështirësi që lidhen me aksesin dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore, të cilat shkaktohen pjesërisht edhe nga mungesa e një formimi të vazhduar për personelin shëndetësor. Bashkëpunimi Zviceran ka mbështetur sektorin e shëndetësisë në Shqipëri qysh prej vitit 1993, nëpërmjet programeve të ndryshme, të cilat përfshijnë rehabilitimin e spitaleve dhe disa qendrave shëndetësore, si edhe trajnimin e infermiereve, mamive dhe drejtuesve të shëndetit publik.