E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria do të zërë vendin që i takon në BE. Gjermania në listën e vendeve inkurajuese”

Kancelarja Merkel garanton Kryeministrin Berisha dhe sqaron problemin teknik për marrjen e statusit të kandidatit

Gjermani sqaron pozicionimin e saj zyrtar ndaj proceseve të integrimit evropian të Shqipërisë, duke konfirmuar renditjen e saj në listën e vendeve që po japin kontribut të çmuar në këtë drejtim. Këtë përgjigje ka marrë dje kryeministri Sali Berisha, gjatë takimit të zhvilluar në Bruksel me Kancelaren gjermane Angela Merkel. 
Kreu i qeverisë shqiptare u angazhua denjësisht në samitin e PPE-ve që të zhvillonte një takim konstruktiv me kryetaren e ekzekutivit gjerman, Merkel, nga e cila mori garancinë se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e sigurt dhe e pandalshme.
Nga ana e saj, Kancelarja gjermane Angela Merkel e siguroi kryeministrin Sali Berisha se do të bëjë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen më të shpejtë të mundshme të problemit teknik lidhur me konstituimin e Parlamentit gjerman, Shqipëria do të jetë më pranë marrjes së përgjigjes nga BE, për kërkesën e statusit kandidat.
“Në këtë Samit, unë pata rastin të takohesha dhe të bisedoja me shumicën dërmuese të të pranishmëve. Interesi im më i madh ishte që të takohesha dhe të bisedoja me Kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila më premtoi se problemi teknik për konstituimin e Parlamentit gjerman do të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjykata Kushtetuese gjermane ka vendosur që duhet ta konstituojë Parlamentin para çdo vendimi që ka të bëjë më Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri.
Berisha theksoi se Shqipëria është në pritje të momentit të rëndësishëm, të mbledhjes së parlamentit gjerman ndërkohë, që edhe Presidenca suedeze është në pritje të një sinjali pozitiv nga qeveria gjermane.
“Pasi e urova Kancelaren Merkel për fitoren e madhe dhe historike, për mbarë Evropën, në zgjedhjet e shtatorit, i bëra të ditur problemin se Shqipëria është në pritje të këtij momenti dhe se Presidenca suedeze pret që të ketë dritën jeshile nga qeveria gjermane, në mënyrë që të diskutojë në Këshill statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, pasi vendet e tjera nuk kanë ndonjë rezervë”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit bëri me dije se ka marrë garancinë nga Kancelarja Merkel për konstituimin e shpejtë të parlamentit gjerman.
“Kancelarja Merkel më informoi se dje ishte mbledhur Parlamenti dhe në ditët apo javët në vazhdim do të vazhdojë konstituimi. Ajo më siguroi se do të bëjnë çdo gjë për ta realizuar këtë në kohën më të shkurtët të mundshme. Këto ishin fjalët me të cilat unë u ndava me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, për të cilat duhet ta falënderoj me shumë mirënjohje”, nënvizoi Berisha.
Duke iu referuar samitit të Partive Popullore Evropiane, Berisha tha se aty u diskutua gjerësisht për Traktatin e Lisbonës dhe Samitin e klimës në Kopenhagen.
“Ky ishte një Samit i mrekullueshëm, në të cilin u diskutua gjerësisht për Samitin e Kopenhagenit dhe për Traktatin e Lisbonës”, tha kryeministri. 
Gjithashtu, kreu i qeverisë Sali Berisha, gjatë qëndrimit në Bruksel, ka zhvilluar takime të rëndësishme me personalitete të larta, krerë qeverish dhe shtetesh. Berisha përmendi si të veçantën e këtij samiti, pjesëmarrjen e tij të parë pas fitores së Partiëe Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit.
“Natyrisht, gjatë qëndrimit në Samitin e Partive Popullore Evropiane pata takime të shumta, por dua të theksoj një moment që u prit me duartrokitje të mëdha, fakti i fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse ky ishte Samiti i parë që unë merrja pjesë pas fitores. Unë mbajta një fjalim të shkurtër, ku pasi theksova se fryma e Samitit të PPE-ve në Varshavë ndriçoi mbarë Evropën dhe qendra e djathtë ulet sot në këtë sallë më e fuqishme se kurrë në pushtetin e saj, në vendet e Parlamentit dhe në Komisionin Evropian, i shpreha një mirënjohje të thellë Presidentit Wilfried Martens për fjalimet e tij inspiruese për zgjedhësit shqiptarë në Durrës dhe Tiranë, në ditën e fundit të fushatës elektorale, si dhe shpreha dëshirën time për të vazhduar së bashku për fitoren në zgjedhjet e vitit 2013-të, dëshirë e cila gjeti mirëkuptim të madh dhe mbështetje të fuqishme në sallë”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha, pas përfundimit të punimeve të Samitit të Partive Popullore Evropiane.
Në këtë takim të nivelit të lartë morën pjesë Presidenti i Këshillit të Evropës, Fredrik Reinfeldt, Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, si dhe liderët evropianë si François Fillon, Angela Merkel, Jan-Peter Balkenende, Jean-Claude Juncker, Herman Van Rumpuy, Andrius Kubilius, Laërence Gonzi, Donald Tusk, Traian Bsescu, Boyko Borisov, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›