Anëtarësia e PS: Me Edi Ramën, s’i fitojmë asnjëherë zgjedhjet

Alternativa konkurrente brenda kryesisë së PS-së,
deputeti Ben Blushi ka komentuar në një intervistë mediatike, qëndrimet politike, vetëm dy javë para kongresit, duke përsëritur se PS-ja e ka humbur rrugën dhe se e majta e nesërme duhet të jetë pa Edi Ramën, nëse shpreson në ndonjë rezultat pozitiv
Ben Blushi, anëtar i kryesisë së PS, evidenton dy javë para Kongresit të PS-së, se “jo vetëm që PS nuk ka një shofer, por ka humbur dhe rrugën...”. Mendimi i Blushit duket më i pashpresë, po të kihet parasysh se pak ditë më parë ai e konsideronte PS-në, thjesht dhe vetëm si “një autobus ku nuk i flitet shoferit” Në një intervistë të tijën, Ben Blushi nuk pranon të komentojë nëse do të pranonte bashkëpunim me Edi Ramën (nëse ky i fundit rizgjidhet si kryetar i PS) për të qenë kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie. Nga ana tjetër, thotë se si duhet të jetë në PS, dhe si duhet të reagojë Edi Rama me largimin dhe mosrikthimin e tij. Sipas tij Edi Rama nuk ishte një fëmijë, që gjithë të tjerët i treguan se ç’duhet të bënte dhe tani nuk duhet zgjuar nga gjumi. Përmes notave ironike me figura dhe statuja, Blushi rrëfehet për mënyrën se si koncepton të majtën pa Edi Ramën, duke këmbëngulur në moskandidimin e tij, sepse këtë nuk ia lejon as statuti.
Siç është vendosur në 29 gusht do të mbahet kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së. Cilat janë përgatitjet tuaja para këtij forumi? Ky nuk është një Kongres i zakonshëm, por një Kongres i Jashtëzakonshëm i cili thirret pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit dhe në këtë kuptim, edhe ajo që pritet nga ky forum nuk është një gjë e zakonshme. Dua të them se Kongresi duhet të shënojë ditën e parë t
euml; punës në opozitë duke përcaktuar një qëndrim të qartë për zgjedhjet, për arsyet e humbjes si dhe për peshën dhe përgjegjësinë personale që secili prej nesh pati në këtë rezultat. Ne kemi humbur zgjedhjet dhe prandaj Kongresi nuk mund të jetë një festë dhe aq më pak një miting. Në Kongres shkohet për të folur dhe për të dëgjuar dhe jo për të duartrokitur apo për të qarë. Por nga ana tjetër, Kongresi nuk mund të jetë një funeral sepse jeta vazhdon dhe PS duhet të ecë përpara duke ndryshuar dhe duke korrektuar veten. Në këtë logjikë unë do shkoj në Kongres për të folur për zgjedhjet, për shkaqet e humbjes dhe sigurisht për daljen nga kjo situatë ku jemi. Kam pasur kohë të mendoj për atë që ndodhi dhe besoj se ashtu si shumë të tjerë, sot jam më i ftohtë dhe më realist se ditët e para pas 28 qershorit dhe prandaj do flas më shumë për atë që vjen, se sa për atë që ka ikur.
A keni filluar kontaktet me bazën e partisë dhe me delegatët e Kongresit? Këto kohë kam takuar shumë delegatë dhe anëtarë të PS të të gjitha rretheve apo qarqeve. Më shumë se sa kam folur, i kam dëgjuar për të kuptuar se pse kemi humbur. Çuditërisht, shumica më kanë thënë atë që mendoj: se ne kemi humbur kryesisht për arsyet tona, pra për paqartësinë e programit dhe mungesën e ideve për qeverisjen e vendit, për aneminë e koalicionit tonë, për personalizimin egoist të fushatës, për dobësitë organizative të Partisë Socialiste në disa zona, për mungesën e eksperiencës së disa kandidatëve, natyrisht edhe për shkak të presionit, deformimeve të sistemit apo blerjes së votës në disa zona të tjera. Zonat e ndryshme, në fshat, në qytet, në periferi, në mal, në fushë, në jug apo në veri, kanë specifikat e tyre, por kryesisht këto arsye qëndrojnë gjithandej pak a shumë. Pra dominon mendimi se Partia Socialiste ka humbur në një palë zgjedhje të cenuara dhe jo se Partia Socialiste ka fituar në një palë zgjedhje të vjedhura.
Ju dhe një grup mbështetësish jeni duke përgatitur një paketë me ndryshime statutore. Ku konsistojnë ato? Ne i kemi bërë publike dhe i kemi shpërndarë nëpër rrethe ndryshimet që kemi propozuar. Bëhet fjalë për disa amendime të Statutit të PS të cilat synojnë një parti më liberale, më të hapur dhe më të bashkuar, një parti që i jep dhe i garanton më shumë pushtet forumeve të zgjedhura sesa njerëzve. Këto ndryshime janë kryesisht një reflektim i 28 qershorit dhe synojnë t’i japin më shumë fuqi dhe autonomi Kongresit, Asambleve të bashkive dhe komunave, strukturave të qarqeve, duke zbutur diferencën mes fshatit dhe qytetit si dhe duke sqaruar disa nene të diskutueshme për mendimin e disave, siç është fati i kryetarit në rast humbjeje dhe detyrimi i tij për të kandiduar në listën e deputetëve, ndryshe nga precedenti i 28 qershorit kur çeta shkoi në betejë ndërsa oficeri nuk doli nga çadra. Në Kongres do kërkojmë që kjo paketë të votohet në çdo rast dhe zgjidhjet procedurale, sipas të cilave ndryshimet kërkojnë kohë dhe komisione ekspertësh do ta fusnin Kongresin në ngërç duke e nxjerrë PS më të dobët dhe më të përçarë në publik. Asnjë delegati nuk mund t’i hiqet e drejta për të propozuar dhe votuar dhe në këtë pikë Kongresi është autonom në vendimet që merr. Do ishte fatale nëse delegatët thirren nga gjithë Shqipëria për të legalizuar shkeljen e statutit, në rastin e rikandidimit të Edi Ramës dhe nga ana tjetër u mohohet me procedurë e drejta për të përmirësuar statutin e tyre. Dikur, unë me Edi Ramën, talleshim me të gjithë ata që i zgjidhnin krizat e PS me procedure, ndërsa tani nuk di me kë duhet të qesh dhe a duhet të qesh në fund të fundit. Jeni shprehur gjatë kësaj kohe për mosrikandidimin e Edi Ramës në krye të PS-së, bazuar kjo në statutin e partisë. Aty thuhet shprehimisht që “Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative”.
Vetëm kjo, mendoni se argumenton mosrikandidimin e tij? Unë i mbetem deri në fund asaj që kam thënë. Edi Rama nuk duhet të rikandidojë. Jo vetëm për shkak të statutit që ia ndalon këtë gjë në frymën e vet, jo vetëm për shkak të precedentit të Fatos Nanos, jo vetëm për shkak të precedentëve të shumë politikanëve në Evropë që këtë gjë e konsiderojnë një normë të panegociueshme, jo vetëm sepse atë nen të statutit ai e ka propozuar vetë dhe do ishte si të shkelësh veten me këmbë në rast se nuk e respekton, jo vetëm sepse deklaroi dorëheqjen në rast humbjeje të zgjedhjeve përpara zgjedhjeve, jo vetëm sepse politika ndërtohet mbi lavdi dhe jo mbi zvarritje, jo vetëm sepse ai nuk mund të prishë imazhin e një politikani modern mbi të cilin gjithë shoqëria ka investuar besim dhe shpresë në më shumë se 10 vjet, jo vetëm për shkak të kostos që do t’i sillte ky rikandidim Partisë Socialiste, jo vetëm sepse shumë nga idetë mbi të cilat ai ndërtoi projektin e tij nuk kanë funksionuar në masën që pritej, jo vetëm për shkak se ai do ta ketë të pamundur të frymëzojë dhe të angazhojë veten në radhë të parë dhe gjithë opozitën pas kësaj humbjeje, jo vetëm për shkak të pamundësisë që ka për të bashkuar PS dhe të majtën rreth një projekti të ri fitues, jo vetëm për shkak të sedrës së lënduar të një njeriu që investoi kaq shumë besim dhe nuk mori atë që ëndërronte, por në radhë të parë për shkak të vetes. Edi Rama sot nuk e ka problemin as me statutin e PS, as me mua, as me ata që mendojnë ndryshe nga ai, as me shoqërinë, as me precedentin, por vetëm me veten e tij. Jam i bindur që për arsyet e veta nuk duhet të rikandidojë dhe nuk do rikandidojë, sepse çdo kthim pas do ulte shkallën e besimit jo vetëm te kryetari i PS-së, por sidomos tek Edi Rama. Nëse ai beson se ekziston dhe pranohet nga shoqëria vetëm kur është kryetar i PS atëherë kjo do të thotë se ka një mendim të keq për vetveten. Edi Rama është një investim politik dhe kulturor të cilin Edi Rama nuk duhet ta shkatërrojë. Jam i bindur që e mendon kështu, pavarësisht nga vendimi që do të marrë në ditët në vijim. Rikandidimi do ta nxirrte në çdo rast më të dobët dhe çdo kundërshtar i tij do uronte pikërisht këtë gjë: një njeri që ringrihet për të mos u ngritur.
A e keni marrë vendimin për të hyrë në garën për kryetar përballë Edi Ramës? Nëse jo, për cilat arsye? Dhe nëse po, çfarë ju shtyu? Unë mund të them se ajo që më intereson më shumë sot është Partia Socialiste dhe pastaj Kryetari i saj. Nëse kjo ju duket një lojë fjalësh për të mos thënë të vërtetën apo për të mos u përgjigjur, merreni si të doni. Por unë besoj se PS dhe opozita kanë nevojë të gjejnë një projekt bashkimi, kanë nevojë të ecin majtas dhe jo djathtas, kanë nevojë për një start të ri dhe mbi të gjitha kanë nevojë për një rrugë të re. Meqë dikur e kam krahasuar PS-në me një autobus, po e vazhdoj aty ku e kam lënë duke thënë se, sot PS ka nevojë të gjejë rrugën dhe pastaj shoferin. Rruga është vetëm një, ndërsa shoferët mund të jenë më shumë se kaq dhe kjo është ajo që më dallon nga shumë kolegë që mendojnë se ka vetëm një shofer dhe asgjë tjetër.
Cili do të jetë qëndrimi nëse Edi Rama merr sërish kreun e PS-së pas votimit në bazë? Trishtim, për një njeri me të cilin kam ndarë shumë ide të bukura për mënyrën se si nuk duhet të jesh një politikan i zakonshëm afro-ballkanik dhe skepticizëm për një parti, e cila zëvendëson rrugën me shoferin. Por sigurisht që do pranoja vendimin e shumicës edhe pse do më dukej i papërshtatshëm. Morali dhe e drejta jo gjithmonë përcaktohen nga numrat. Koha ka treguar se numrat edhe nëse të japin pushtet, nuk të japin të drejtë.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Ramën, a keni folur me të pas zgjedhjeve? Apo PS vazhdon të jetë një parti ku “nuk i flitet shoferit”? Apo në këtë moment PS nuk ka fare shofer? Pa dyshim që kam folur me Edi Ramën pas zgjedhjeve. I kam thënë pak a shumë ato që kam thënë edhe në shtyp. Nuk do kisha folur publikisht nëse nuk do ta kisha konsumuar me të këtë arsyetim. Dhe sigurisht që kam folur edhe për shoferin, edhe për rrugën, edhe për autobusin. Për hir të së vërtetës nuk kam folur për pasagjerët dhe prandaj një pjese prej tyre u janë errur sytë, por kjo është normale dhe ndodh sa herë që autobusi hyn në tunel.
...