Sot, 10 vite panair libri në Vlorë
Rreth 50 shtëpi botuese me 6000 tituj librash janë bërë pjesë e edicionit të 10-të të Panairit të Librit "Vlorë 2009", një aktivitet që organizohet çdo verë në këtë qytet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, Bashkia, shoqata e Shkrimtarëve "Petro Marko" dhe Biblioteka Publike "Shevqet Musaraj". Në panair marrin pjesë 50 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, të cilat kanë sjellë rreth 6000 tituj librash, prej të cilave 600 tituj të rinj, mes tyre, autorë shqiptarë e të huaj, letërsi për të rritur dhe fëmijë, botime historike e enciklopedike, metoda e fjalorë për mësimin e gjuhëve të huaja, katalogë e botime specifike për profesione të ndryshme, që po priten me interes nga lexuesit vlonjatë. Numri i madh i titujve të prezantuar bashkë me prurjet e emrave të rinj në krijimtarinë artistike etj, vlerësohen prej organizatorëve si risitë e Edicionit të 10-të të Panairit të Librit "Vlorë 2009", krahasuar me atë të zhvilluar vjet. Vëmendjen e lexuesve e kanë tërhequr botimet me karakter historik dhe ato për çështjen kombëtare. Një numër i madh krijuesish të njohur për auditorin e lexuesve, por dhe të rinj, janë pjesë e këtij Panairi i cili është çelur përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë, në një vend të dukshëm dhe të përshtatshëm për dimensionet e aktivitetit. Prej 3 ditësh nga çelja stendat e Panairit janë vizituar nga qindra qytetarë nga Vlora, emigrantë të kthyer për pushime në vendlindje, pushues nga qytete të tjera të vendit dhe turistë të huaj. Panairi i Librit në Vlorë, pason atë që u zhvillua para disa javësh në Ulqin (Mali i Zi) dhe do të qëndrojë i hapur deri në datën 20 gusht. Gjatë këtyre ditëve, janë planifikuar të organizohen edhe aktivitete të ndryshme promovuese për një numër botimesh.
...