Nis projekti për rikonstruksionin e Kalasë së Durrësi
Prej mëse tre javësh Kalaja historike e qytetit bregdetar të Durrësit po i nënshtrohet një rikonstruksioni sipas projektit të dy autorëve, Valter Struga dhe Latif Lazimi, financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Shef i sektorit të Arkitekturës Antiko-Mesjetare në Institutin e Monumenteve, Latif Lazimi, tregon disa prej hapave ku kanë kaluar punimet për këtë restaurim deri sot. "Qëllimi kryesor i restaurimit është evidentimi dhe ruajtja e vlerave kulturore të monumenteve të rëndësishme të historisë së vendit tonë", tha Lazimi. Rikonstruksioni ka përfshirë një pjesë kryesore të kalasë së Durrësit duke filluar nga Torra deri tek porta kryesore, që cilësohet si prej pjesëve më të mirëmbajtura të të gjitha kohëve. Projekti me vlerë 7 milionë lekë konsiston në pastrimin e muraturave nga gjelbërimet e tepërta si myshqet, prishjen e ndërtimeve të reja të krijuar në muret e kalasë në vitet e fundit si dhe plotësimi i muraturave në pjesët ku vihen re dëmtime apo rrëshkitje. Sipas Latif Lazmit, gjithçka synon rikompozimin e mirë të Kalasë. "Ndërhyrjet që do të bëhen nuk do të kenë për qëllim të ngjajnë me ndërtimet e kohës së krijimit të Kalasë, por të dallohen si ndërhyrje të reja pa prishur estetikën e saj", shton Lazmi. Një ndër pjesët ku po punohet aktualisht është një prej mureve që gjendet në krah të Bashkisë së Durrësit. Ndërhyrjet në këtë zonë po bëhen në disa fragmente të murit që ka pësuar çarje dhe rrëshqitje gjatë viteve, në të cilin vendosur një kontrafort që ndihmon në fortësimin e murit për të shmangur rrëzimin e tij. Në ditët në vijim, tregon Latif Lazmi, do të ndërhyhet në pjesën e sipërme të muraturës së Kalasë duke e veshur me pllaka qeramike për të shmangur lagështirën, pasi dëmton muraturën, ndërsa në ditët në vijim do të punohet edhe në hyrjen e rrugës Egnatia. Gjatë të gjitha punimeve i është kushtuar një rëndësi e veçantë dhe anës estetike", tha Lazmi.
Projekti për rikonstruksionin e Kalasë së Durrësit është parashikuar të përfundojë pas dy muajsh.
Lazmi u shpreh se po bashkëpunohet edhe me Bashkinë e Durrësit për të vendosur pranë restaurimeve tabela shoqëruese me historikun e Kalasë dhe të dhëna të nevojshme për orientimin e turistëve të huaj dhe shqiptarë. Bashkia e Durrësit do të ndihmojë këtë projekt restaurues duke shtuar hapësirat e gjelbërta pranë Kalasë së qytetit.
Kalaja e Durrësit nisi të ndërtohej në periudhën helene dhe më pas ajo u fortifikua disa herë, veçanërisht në shekujt 4-6-të të erës sonë. Muret e saj u ringritën në periudhën e perandorit bizantin Anastasi I (491-518) me origjinë nga Durrësi, i cili e shndërroi atë në një nga qytetet më të fortifikuara në Adriatik. Riparime në mure janë kryer edhe pas tërmetit shkatërrues të vitit 1273.
...