E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës/ Tragetet transportojnë 265 mijë udhëtarë dhe 67 mijë automjete

Që nga fillimi i muajit Korrik numurohen 255 tragete me rreth 193 mijë udhëtarë shqiptarë dhe të huaj që kanë mbërritur këtë vit në portin detar të Durrësit nga mbi 80 shtete të botës, duke tejkaluar me rreth 8 % numrin e udhëtarëve që kanë lundruar me tragete në të njejtën periudhë të një vit më parë. Sezoni veror ka sjellë në portin më të madh dhjetëra mijë bashkëatdhetarë që kanë kaluar pushimet pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni. Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e Policisë së kufirit dhe migracionit, bënë të ditur se gushti ka shënuar një numër rekord udhëtarësh dhe automjetesh. Sipas tyre, vetëm gjatë 17 ditëve të para të muajit gusht janë përpunuar më shumë udhëtarë se sa gjatë gjithë muajit korrik të këtij viti. Burimet shtuan se 22 sportele të kontrollit kufitar kanë qenë në dispozicion të udhëtarëve, ndërsa koha e përpunimit të dokumentave ka qenë mjaft e shkurtër. Megjithëse sipërfaqja e sheshit të trageteve është kufizuar me rreth 35 përqind si pasojë e punimeve për ndërtimin e terminalit të ri, bashkëpunimi me autoritetet doganore dhe ato të kapitenerisë së portit e kanë rritur rendimentin e veprimtarisë në dobi të udhëtarëve duke ruajtur të pandryshuara parametrat e sigurisë.

Futja në tregun e kompanive të lundrimit e 6 trageteve dhe katamaranëve të tjerë e ka lehtësuar udhëtimin nga portet e Barit, Ankonës dhe Triestes në brigjet italiane drejt Durrësit-nënvizuan burimet e policisë. Vetëm gjatë muajit gusht në pikën e kalimit kufitar në portin e Durrësit janë regjistruar 24.750 shtetas të huaj me prejardhje nga 74 vende të ndryshme të botës. Burimet thanë se mjaft turistë të huaj në mënyrë individuale apo të organizuar me grupe kanë shfrytëzuar gjatë muajit gusht tragetet për të vijuar më pas udhëtimin në brendësi të vendit me automjete. Në "hartën" e regjistrave të kontrollit kufitar bëjnë pjesë shtete nga të gjitha kontinentet e globit, ndërsa nuk mungojnë edhe emra vendesh pak të njohura si Kaledonia e Re, Kepi i Gjelbërt, ishujt Kokos, Komoros apo Montserrat. Rreth 44 përqind e udhëtarëve me pasaportë të huaj janë shtetas kosovarë, me punë dhe banim në vende të ndryshme të Eropës, ndërsa një pjesë tjetër përbëhet nga emigrantë që janë larguar pas viteve 1990 nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Nga përvoja e viteve të shkuara, pjesa më e madhe e udhëtarëve në stinën e verës prenotojnë bileta vajtje-ardhje dhe fluksi i atyre që kthehen pas pushimeve drejt vëndeve të Evropës perëndimore pritet të vazhdojë deri në mesin e muajit shtator. Që nga fillimi i muajit korrik të këtij viti numri i përgjithshëm i udhëtarëve në portin e Durrësit arrin në rreth 265 mijë vetë me rreth 67 mijë automjete gjithsej, bënë të ditur burimet nga porti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›