Zyrtare: Artan Hoxha është kandidati për president të Republikës

Përfundojnë negociatat mazhorancë-opozitë në kryesinë e Kuvendit. Zyrtarisht është konfirmuar se kandidati i paraqitur nga mazhoranca si konsensual për president të Republikës, është Artan Hoxha. Tryeza e palëve sapo ka përfunduar dhe merret vesh se Edi Rama sërish ka ngritur bllokadën, duke mos e pranuar as propozimin që nesër do të formalizohet në seancë plenare. Kjo u konfirmuar edhe në deklaratën e tij për mediat, kur tha se, "edhe Artan Hoxha vjen nga oborri i Saliut". Rama s‘kurseu as kërcënimet se, mungesa e konsensusit për presidentin e ri, do i kushtojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha vlerësoi se kandidatura e z.Hoxha është e standardeve më të mira.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Nesër në orën 10:00 kandidati i mazhorancës, Artan Hoxha do votohet në parlament. Për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm në raundin e katërt, mjaftojnë 71 vota.
Takimi, ora 19:30
-- “Presidenti”, nis takimi mazhorancë-opozitë
-- Shefi i mazhorancës, Berisha shoqërohet në këtë takim nga aleatët e koalicionit, Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi, ndërsa Rama nga kreu i grupit të PS, Gramoz Ruçi
UPDATE- Ka nisur në këto momente në ambientet e kryesisë së Kuvendit, takimi i fundit negociator mes mazhorancës dhe opozitës. Shumica parlamentare përfaqësohet nga kryetari i PD-së dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha i shoqëruar nga aleatët e koalicionit, Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi. Ndërsa Edi Rama shoqërohet vetëm nga Gramoz Ruçi. Takimi mes disa prej partive parlamentare në vend vjen vetëm dy ditë pas dorëheqjes së kandidatit të mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori, që u refuzua që në fillim nga opozita si një kandidaturë e njëanshme. Ditën e hënë do të zhvillohet edhe raundi i katërt dhe i parafundit për votimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.
Kandidati për President, Berisha takon aleatët në Kryeministri
Pak minuta përpara se nisnin negociatat me opozitën, kryeministri Berisha ka takuar në Kryeministri, aleatët e koalicionit qeveritar. Mazhoranca ka diskutuar në lidhje me kandidaturat për postin e kreut të ri të shtetit, por pa konkretizuar identiktin final.
Në takim kanë marrë pjesë, kreu i LSI-së Ilir Meta, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe nënkryetar i Partisë Republikane Neritan Alibali për shkak se kreu republikan, Fatmir Mediu, ndodhet jashtë shtetit.
...