Zyrtare: Milito rikthehet tek Independiente

Barcelona ka lejuar largimin e mbrojtësit të qendrës Gabriel Milito, i cili ka nënshkruar për Independiente.
Argjentinasi është lejuar të kërkojë klub të ri, pavarësisht se kishte edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me kampionin e Evropës. 30-vjeçari ka pranuar një ulje të dukshme të pagës për t`u rikthyer te Independiente, ku luajti nga viti 1997 deri në vitin 2003, pasi dëshiron të jetë më afër fëmijëve të tij.
“Jam shumë i lumtur që rikthehem në vendin tim dhe shtëpinë time. E ndjeva të patjetërsueshme të kthehem te Independiente. Ne kemi qëndruar së bashku dhe kemi biseduar për këtë mundësi, dhe përfundimisht kjo mund të kompletohet”.
“Sot është një ditë shumë e veçantë dhe emocionale për mua, jam larguar nga klubi tetë vite më parë dhe e vërteta është se gjithmonë kam ëndërruar për rikthim, prandaj kjo është realizim ëndrre. Shpresoj se kjo periudhë e imja të jetë po aq e mirë sa e para”, ka thënë lojtari.