E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare, Shqipëria kundër Irlandës së Veriut më 3 mars

Sipas kërkesave të Josip Kuzhe, miqësorja do të luhet në Tiranë
Irlanda e Veriut do të jetë kundërshtarja e ardhshme e Shqipërisë. Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar skuadrën me të cilën përfaqësuesja e drejtuar nga Josip Kuzhe do të luajë më 3 mars. Takimi do të zhvillohet në Tiranë, në stadiumin “Qemal Stafa”, duke qenë se kjo ishte një prej kërkesave kryesore të “timonierit” të stolit kuqezi. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga zyra e shtypit në institucionit që drejton sportin më popullor në vend. Sfida me irlandezët do të jetë e para për Kombëtaren në vitin 2010 dhe ajo cilësohet si një test mjaft i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Euro 2012. Së fundmi, si alternativa për këtë ndeshje kanë qenë Rusia, Turqia, por edhe mjaft skuadra të tjera në rajon. Megjithatë, Irlanda e Veriut shihet si një kundërshtar cilësor, me të cilin Kuzhe do të kolaudojë Shqipërinë e edicionit të ardhshëm. Skuadra e trajnerit Najxhëll Uorthington ka një reputacion mjaft të mirë në arenën ndërkombëtare: ata renditen në vendin e 40-të në klasifikimin e FIFA-s, duke lënë mbrapa ekipe me emër si Turqia, Suedia, Japonia, Kosta Rika e Skocia. Pjesa më e madhe e lojtarëve militojnë në kampionatin anglez dhe atë skocez, ndërsa elementët më të rëndësishëm janë portieri Tejlor i Birmingam, Hjuxhs e Baird të Fulham, MekKartnei e Heili të Sandërlendit, Dejvis e Laferti të Rejnxhërs dhe dyshja e Sëlltikut, MekGin dhe MekKort. Kundërshtarët u renditën në vendin e katërt në Grupin 3 eliminator të Botërorit 2010, pas Sllovakisë (së kualifikuar), Sllovenisë (në play-off) dhe Republikës çeke, me 15 pikë të grumbulluara në dhjetë takime.
Shqipëria dhe Irlanda e Veriut janë ndeshur tetë herë në histori dhe statistikat flasin dukshëm në favor të kundërshtarëve. Kuqezinjtë kanë arritur vetëm një fitore, dy herë ndeshja është mbyllur në barazim, ndërsa në pesë raste kanë fituar irlandezët. Triumfi i vetëm i Kombëtares sonë është regjistruar në ndeshjen e fundit, të luajtur në shtator të vitit 1997, në fushën asnjanëse të Zyrihut (për shkak të trazirave në Shqipëri), e cila ishte e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 1998. Skuadra e drejtuar në atë periudhë nga Astrit Hafizi fitoi 1-0 falë një goli të Altin Haxhit. Ndërsa nga dy barazimet e arritura, ai i 24 nëntorit 1965 sjell një fakt mjaft interesant: me rezultatin 1-1 në Tiranë, ku rrjeta për Shqipërinë u realizua nga Medin Zhega, përfaqësuesja irlandeze humbi të drejtën për të marrë pjesë në finalet e Botërorit 1966, i cili u zhvillua në Angli.
Në ndeshjen me Irlandën e Veriut pritet që me kuqezinjtë të debutojë edhe mbrojtësi i Bokumit në Bundesligë, Mërgim Mavraj. Lojtari i ka konfirmuar trajnerit Kuzhe gatishmërinë për të qenë pjesë e skuadrës, gjatë një takimi që ata kanë pasur në gjysmën e dytë të nëntorit në Gjermani.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›