Mourinjo i gëzohet Interit “special”
Nesër në mbrëmje Interi do të udhëtojë drejt Barit për të luajtur takimin e parë të fazës së dytë, një sfidë delikate të cilën ekipi nga Milano duhet ta përballojë me shumë mungesa. Situata është e ndërlikuar, sidomos në mesfushë dhe trajneri portugez duket se do të hedhë në fushë një formacion sulmues.Megjithatë, për Hoze Mourinjon ky nuk është një problem shqetësues, sepse “kemi mentalitetin e një skuadre speciale”. Më tej ai u ndal tek “benjamini” i tij, Mario Baloteli: “Shumë herë kam folur mirë për të dhe më pas jam detyruar të bëj hapa prapa, ashtu siç kam folur keq dhe më vonë më është dashur ta mendoj edhe një herë. Pas ndeshjes me Kievon thashë se do t’i harroj kartonat dhe deklaratat e tij. Sepse kur luan si në atë ndeshje, është një potencial i madh që mund ta shtyjë trajnerin të zgjedhë skemën më të përshtatshme për të”.