Zyrtare, Taçi blen Bolonjën dhe premton super-ekip
Rezart Taçi është zyrtarisht aksioneri kryesor i klubit të Bolonjës. Ai ka blerë 80% të aksioneve për vlerën e 24 milionë eurove. Biznesmeni shqiptar e ka konfirmuar një lajm të tillë zyrtarisht ditën e djeshme dhe mbi të gjitha ka premtuar të investojë fuqishëm në klubin italian, për ta rikthyer atë në nivelin që meriton dhe të mos luftojë më vetëm për qëndrimin në Serinë A. Firma “Aktiva Spa”, e cila është në pronësinë e familjes Menarini e që kishte pronësinë e plotë të klubit të Bolonjës, ka bërë të ditur zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me biznesmenin shqiptar Rezart Taçi, me anë të një komunikate për shtyp. “’Aktiva Spa’ bën të ditur se ka arritur një marrëveshje për pjesën më të madhe të aksioneve të klubit sportiv të Bolonjës me grupin industrial që kryesohet nga inxhinieri Rezart Taçi. Marrëveshja hyn në fuqi më datë 3 gusht”, – është thënë në komunikatën për shtyp. Vlera është rreth 24 milionë euro, ndërkohë që do të bëhet edhe një pagesë prej 19 milionë eurosh për “Lega Calcio”, e cila e çon shifrën në 43 milionë. Biznesmeni i suksesshëm shqiptar ka folur për herë të parë si aksioneri kryesor i klubit italian dhe ka premtuar se do investojë fuqishëm për të mos lejuar që Bolonja të luftojë vetëm për qëndrimin në Serinë A. “Marrëveshja u arrit të enjten në mbrëmje dhe hyn në fuqi më 3 gusht. Së pari, dua të theksoj se është një kënaqësi të jem pjesë e futbollit italian. Synimi im është që të investoj e të formoj një skuadër të fortë, e cila të mos luftojë në vendet e fundit të tabelës”, – është shprehur Taçi. Në bashkëpunim me trajnerin Papadopulo, presidenti Taçi do mundohet të realizojë objektivat e merkatos. Ndërkaq, megjithëse marrëveshja mes biznesmenit shqiptar dhe familjes Menarini nuk ka shumë orë që është arritur, media ka filluar menjëherë të përmenda emra të mundshëm për të veshur fanellën e Bolonjës. Dy prej përforcimeve më të mundshme janë pikërisht mbrojtësit e Milanit, Masimo Odo dhe Luka Antonin. Sipas “Goal.com” edhe Jahmir Hyka mund të transferohet te skuadra kuqeblu.