S`ka rinumerim - Mbyllen ankesat, Rama thërret Asamblenë e PS
Aristir Lumezi
Partia Socialiste do të mbledhë ditën e martë Asamblenë Kombëtare për zgjedhjet e 28 qershorit.
Mbledhja e Asamblesë Kombëtare, për herë të parë mblidhet pa kalimin më parë të rendit të ditës në Kryesinë socialiste. Duket se diskutimi i hapur ditët e fundit për fatin politik të kryetarit socialist pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit, ka detyruar Edi Ramën të shmangë një debat të pritshëm në mbledhjen e kryesisë. Në mbledhjen e fundit të kryesisë, atë të 6 korrikut, Ben Blushi i kërkoi kreut socialist të njohë rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa premtoi se në mbledhjen e ardhshme do kërkonte një analizë se pse PS-ja nuk arriti të mbante premtimin për të sjellë shqiptarët në pushtet. Në mbledhjen e së martës, Edi Rama pasi do të kërkojë miratimin e një rezolute për këto zgjedhje, që do të lidhet me qëndrimin e PS-së ndaj zgjedhjeve, do të propozojë dhe thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm, i cili pritet të mbahet brenda muajit gusht. Do të jetë kongresi që do të bëjë dhe analizën e rezultatit zgjedhor për PS-në, por dhe fatin e kryetarit socialist, nëse do të qëndrojë apo do të largohet pa të drejtë rikandidimi. Për t’i paraprirë mbledhjes së Asamblesë, por dhe një fushate të re zgjedhore në PS të kryetarit të saj, Edi Rama ka ftuar ditën e hënë në të njëjtin ambient te “Xibraku” drejtuesit vendorë socialistë. Sekretarët e këshillave socialistë të rretheve dhe kryetarët e PS-së në komuna dhe bashki, rreth 400 përfaqësues, do të jenë në një takim me Ramën, ku ai pritet të marrë prej tyre opinionet dhe frymën që ekziston në bazën socialiste për rezultatin e zgjedhjeve. Në këtë takim Rama do të shoqërohet dhe nga përfaqësues të lartë të PS-së, si Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, njerëz me influencë të lartë në bazën socialiste.
Diferencimet
Zyra pranë kryetarit të PS-së ka nisur dje të lajmërojë anëtarët e Asamblesë Kombëtare, por duke bërë diferencime. Mësohet se një pjesë e deputetëve aktualë të PS-së, mandati i të cilëve përfundon në 3 shtator, nuk janë lajmëruar për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Madje as dy anëtaret e kryesisë, Eva Allushi dhe Edlira Haxhiymeri nuk kanë marrë asnjë njoftim.
Haxhiymeri mban ende postin e sekretares socialiste për Shanset e Barabarta. Por ajo që bën përshtypje është se listës së anëtarëve të Asamblesë Kombëtare i mungojnë deputetët aktualë, Musa Ulqini, i cili është dhe sekretari rajonal i PS-së në Tiranë, Besnik Dervishi, Elmaz Sherifi, Rajmonda Stefa, Flamur Hoxha, Pilo Kerri, Rrapush Tola, ndërsa janë lajmëruar të marrin pjesë në mbledhjen e parë pas zgjedhjeve kandidatët për deputetë, mandati i të cilëve fillon me seancën e parë të Parlamentit të ri në muajin shtator. Një pjesë e ish-deputetëve, por dhe kryetarë të degëve socialiste kanë kërkuar në media, pasi ende nuk ishin mbledhur forumet e PS-së, zbatimin e statutit të PS-së nga ana e kryetarit Edi Rama, pas rezultatit humbës që ai mori nga zgjedhjet e 28 qershorit.
STATUTI I PS
Neni 25
Funksionimi i Asamblesë Kombëtare
1. Asambleja Kombëtare i zhvillon punimet e funksionon në bazë të Rregullores, e cila miratohet prej saj.
2. Asambleja Kombëtare mblidhet jo më rrallë se një herë në 3 muaj. Mbledhja e AK thirret me kërkesë të Kryesisë, të Kryetarit të PSSH, ose të jo më pak se 1/3 të anëtarëve të saj.
3. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare kanë të drejtë të marrin pjesë deputetët socialistë jo anëtarë partie, kryetari i KGS, kryetari i KZP, kryefinancieri, kryetari i KQR.
4. Asambleja Kombëtare me propozim të kryetarit të Partisë zgjedh kryetarin e saj. Kryetari i AK drejton mbledhjen, ndjek zbatimin e vendimeve dhe koordinon veprimtarinë e AK dhe të komisioneve të përhershme pranë saj.
5. Selia e Asamblesë Kombëtare të PSSH është në Tiranë.
Malaj për Kolegjin: Nuk ka standarde me kuti të mbyllura
Anëtari i kryesisë socialiste, Arben Malaj, shprehu shqetësimin e tij për vendimin e dhënë nga Kolegji Zgjedhor, i cili la në fuqi vendimin e KQZ-së për moshapjen e kutive të Beratit dhe rivlerësimin e votave të pavlefshme. “Standarde evropiane pa institucione apelimi jashtë influencave partiake nuk mund të ketë. Standarde të zgjedhjeve me kuti të mbyllura nuk mund të ketë. Kjo mund të na mbyllë qoftë edhe përkohësisht optimizmin tonë për integrimin evropian”, tha Malaj. Sipas tij, koha në dispozicion deri në shtator për krijimin e qeverisë së re krijon hapësira të plota, që apelimi të jetë sa më transparent dhe të mos ketë asnjë ngutje. “Respektimi i vendimeve të gjyqësorit është shumë i rëndësishëm, por pavarësia e gjyqësorit dhe standardet e zgjedhjeve janë jetike për të ardhmen evropiane të vendit”, tha Malaj.
Milo: PS të mos braktisë Kuvendin
Kreu i PDS-së, Paskal Milo, u shpreh dje se Partia Socialiste nuk duhet të mungojë në Kuvend me çeljen e tij në shtator. Ai e cilësoi një veprim të tillë kthim prapa në skema të së kaluarës dhe u shpreh se nuk beson se një veprim të tillë, deputetët e selisë rozë do ta ndërmarrin realisht. “Unë jam i mendimit se, pavarësisht defekteve të mëdha që mund të ketë nga këto zgjedhje, ku edhe Partia Socialiste ka përgjegjësinë e saj, nuk është bojkoti i Kuvendit, rruga e zgjidhjes së kontestimeve”, u shpreh Milo.
Ristani
“Të hënën rezultati përfundimtar”
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, tha dje se të hënën do të shpallen mandatet edhe për tre qarqet e fundit, Tiranën, Shkodrën dhe Fierin, të cilët në total nxjerrin 59 deputetë. “Komisioni Qendror i Zgje-dhjeve ka mandatuar listat shumëemërore të kandidatëve që kanë fituar në listat shumëemërore të subjekteve zgjedhore për nëntë qarqe të vendit deri tani, dhe kanë ngelur vetëm fituesit nga listat shumëemërore për qarqet e Shkodrës, Tiranës dhe Fierit. Unë mendoj se ditën e hënë do mbyllen të gjitha qarqet, duke shpallur rezultatet përfundimtare nga KQZ dhe në këtë formë duke e mbyllur procesin me sukses”, tha dje kreu i KQZ-së Ristani, në përfundim të mbledhjes së këtij institucioni, ku u shpallën mandatet e qarkut të Durrësit.
Grabitet banesa e gjyqtares së Kolegjit Zgjedhor
Tirane – Gjyqtarja e Kolegjit Zgjedhor Entela Prifti dha dje dorëheqjen dhe u largua për arsye “familjare” pasi banesa e prindërve të saj në Vlorë ishte grabitur gjatë natës. Gjyqtarja e Apelit të Vlorës e emëruar nga KLD edhe në Kolegjin Zgjedhor, do të merrte pjesë dje në shqyrtimin e ankesave të partive politike për rezultatet e zgjedhjeve në Tiranë dhe Shkodër. Megjithatë gjyqtarja Prifti dje, në orët e mëngjesit është larguar në drejtim të Korçës, ndërsa vendi i saj është zëvendësuar në Kolegj. Shkak ka qenë ngjarja e ndodhur gjatë orëve të natës në banesën e prindërve të Entela Priftit në Korçë. Burime zyrtare nga policia e Korçës, thanë se janë njoftuar për ngjarjen në ora 03:00 të natës. Një person me precedentë penalë, ka lidhur litarin nga tarraca e pallatit e më pas ka zbritur poshtë në ballkonin e apartamentit në katin e katërt. Ai ka hyrë në banesë nga ballkoni, por është pikasur nga babai i gjyqtares Viktor Prifti. Ai është zgjuar dhe ka lëvizur në shtëpi për të parë çfarë po ndodhte. Pronari i shtëpisë është përplasur me grabitësin në një nga dhomat e banesës, duke tentuar ta ndalonte. Në ndihmë të babait të gjyqtares ka shkuar edhe bashkëshortja, por grabitësi i ka shtyrë pasi është përleshur me ta dhe ka arritur të dalë nga banesa duke u larguar me vrap. Në këtë kohë, rreth orës 03:00 të mëngjesit është bërë njoftimi me telefon i policisë së Korçës. Forca të policisë lokale kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe sipas hetimeve të para, objektivi i hajdutit ka qenë banesa e gjyqtares, e cila ndodhet një kat më poshtë apartamentit të prindërve të saj në të njëjtin pallat. Banesat ndodhen në lagjen 10, pranë Stadiumit “Skënderbeu” në qytetin e Korçës. Policia ka marrë në pyetje të zotët e shtëpisë, por për ta grabitësi ishte person i panjohur. Kjo shkaktoi vështirësi për policinë në identifikimin e autorit, i cili gjithsesi është zbuluar nga shenjat e lëna në vendin e ngjarjes si dhe nga fakti se ishte i skeduar edhe më parë në krime kundër pasurisë. Dje në orët e drekës, policia e Korçës njoftoi zyrtarisht se autor i ngjarjes ishte Daniel Dauti, 20 vjeç banues në të njëjtën lagje me gjyqtaren dhe prindërit e saj. Policia ka bërë menjëherë arrestimin e të dyshuarit për ngjarjen, i cili mësohet se kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu pas një tjetër dënimi të dhënë ndaj tij për vjedhje.
Kolegji mbyll ankesat, rrëzon PS
ADI SHKEMBI
Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesat e fundit për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në qarkun e Tiranës dhe Shkodrës, duke i hapur rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shpallë rezultatin përfundimtar. Në dy mbledhje brenda një dite, trupa e gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit ka hedhur poshtë kërkesat e PD, PS, PDK dhe LZHK për këto dy qarqe.
Shkodra dhe Tirana
Fillimisht Kolegji Zgjedhor ka marrë në shqyrtim kërkesat e PS, PD dhe PDK për qarkun e Shkodrës, nga i cili do të dalin 11 deputetë. Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Saliani, kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave në të gjithë qarkun, me argumentet se në qendrat e votimit kanë ndodhur parregullsi gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit. Gjithashtu PS kërkoi ndryshimin e vendimit të KQZ-së për tabelat e këtyre KZAZ-ve. Nga ana tjetër, Partia Demokratike kërkoi përfshirjen në tabelën përfundimtare të rezultatit në një qendër votimi 0342, në të cilën sipas saj nuk kishte pasur parregullsi gjatë procesit. Përfshirja e kësaj qendre në tabelën e rezultateve për Shkodrën, gjithsesi nuk sillte ndryshime në ndarjen e mandateve. Ndërsa kërkesa e PDK-së ishte për rinumërim dhe rivlerësim të votave në të gjithë qarkun. Pasi u tërhoq për të marrë vendim, Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e të tre kërkesave. Në mesditë Kolegji mori në shqyrtim kërkesat e PS-së dhe LZHK-së për qarkun e Tiranës. PS kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave në 79 qendra votimi në gjashtë KZAZ që kanë të bëjnë me rrethinat e Tiranës dhe qytetin e Kavajës. Ndërsa LZHK, pjesë e koalicionit “Poli i Lirisë”, kërkoi rinumërim dhe rivlerësim në të gjitha KZAZ-të e qarkut të Tiranës. Por Kolegji i rrëzoi kërkesat e këtyre dy forcave, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së. “Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, bazuar në nenin 158 pika 3 e Kodit Zgjedhor, vendosi rrëzimin e kërkesë padisë së paditësit Partia Socialiste e Shqipërisë, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të komisionit qendror të zgjedhjeve nr. 574 datë 14.07.2009 dhe për rinumërimin e votave të KZAZ-ve nr. 55, 56, 57, 58, 59, 60”, thuhet në vendimin e Kolegjit Zgjedhor.
KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje ndarjen e mandateve të deputetëve për qarkun e Durrësit. Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar kërkesën e Partisë Konservatore, e cila kërkonte rinumërim dhe rivlerësim të votave, KQZ u mblodh për të ndarë mandatet në qarkun me 13 deputetë. Vendimi i miratuar nga KQZ përcakton ndarjen e mandateve; 7 për koalicionin “Aleanca e Ndryshimit”, të kryesuar nga Partia Demokratike, 5 mandate për koalicionin “Bashkimi për Ndryshim”, të drejtuar nga Partia Socialiste dhe 1 mandat për koalicionin “Aleanca Socialiste për Integrim”, të udhëhequr nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas vendimit të sotëm, KQZ shpalli kandidatë fitues nga lista shumëemërore e PD-së për qarkun Durrës: Ferdinand Xhaferri, Albana Vokshi, Gazmend Oketa, Ylli Lama, Osman Metalla, Eduard Halimi dhe Igli Cara. Ndërsa kandidatë fitues nga lista shumëemërore e PS-së për këtë qark janë: Blendi Klosi, Rudina Seseri, Hazir Gashi, Gazmir Bizhga dhe Klodiana Spahiu. Kandidati fitues i koalicionit “Aleanca Socialiste për Integrim” u shpall Lefter Koka.