Zyrtarë të Kosovës homazhe Jasharajve

Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, partive politike dhe shumë qytetarë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Prekaz, me rastin e 11-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe manifestimit "Epopeja e UÇK-së". Homazhe kanë bërë presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë Nexhat Daci. Presidenti Sejdiu, duke e çmuar lart sakrificën sublime të Jasharajve, ka thënë se qytetarët e Kosovës falë sakrificës së dëshmorëve tani janë të lirë."Qytetarët e Kosovës falë sakrificës së dëshmorëve tani janë të lirë, por përveç kësaj atyre u duhet një jetë më e dinjitetshme në situatë dhe në kushte që ta ndjejë lirinë e vet edhe me mirëqenie sociale, por natyrisht edhe me ecje të fuqishme drejtë integrimeve atlantike apo bashkëpunimit të thellë me miqtë e Kosovës", ka thënë në Prekaz presidenti Fatmir Sejdiu. Edhe kreu i qeverisë kosovare Hashim Thaçi u shpreh se kur kujtohen dëshmorët, drejtuesit e institucioneve marrin energji për punë më të madhe dhe më të çmueshme drejt zhvillimit të vendit. "Sakrifica e komandanti Adem Jashari dhe të gjithë Jasharëve ishte mesazh i bashkimit, mesazh i sakrificës, mesazh i lirisë, i rendit demokratik dhe shtetit të pavarur sovran e demokratik të Kosovës. Ne çdo herë që vijmë në Prekaz kujtojmë Komandantin Legjendar Adem Jashari, kujtojmë të gjithë dëshmorët e lirisë dhe marrin energji të reja për punë më të mirë dhe më të çmueshme në shtetin tonë lirë", u shpreh Thaçi. Ndërsa kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi deklaroi se vitet e luftës së UÇK-së kanë kuptim shumëdimensional për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur pas luftës çlirimtare dhe në të gjitha zhvillimet që po ndodhin në Kosovën e pavarur.