E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qerim Vrioni: “Ministria e Kulturës shpërfill artin e fotografisë”



Petrika GROSI
Ai është pensionist dhe nëse merret me studimin e fotografisë shqiptare e asaj të huaj, madje e bën këtë gjë në mënyrë mjaft dinjitoze dhe profesioniste. Nuk e ka as për profesion dhe as për të fituar para këtë punë. Është një pasion për të cilin studiuesi Qerim Vrioni shpenzon orë të tëra me kokën ulur mbi libra e katalogje nëpër bibliotekat e vendit dhe ato të huaja, jashtë shtetit. Dhe, Vrioni është i vetmi që ka botuar një studim për fotografinë shqiptare, historikun e saj dhe emrat më në zë që e përbëjnë atë. Është për të ardhur keq në fakt, ky neglizhim që i bëhet fotografisë shqiptare, e cila ka emra si Gjon Mili e Marubi, të cilët kanë një famë që i kalon kufijtë e Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës. Gjatë bisedës së sotme me Vrionin, trajtojmë pikërisht këtë harresë të pashpjegueshme që i bëhet një fotografi të famshëm shqiptaro-amerikan, siç është Gjon Mili nga Korça (shumë më i famshëm nga çdo fotograf tjetër shqiptar). E si me të qeshur dhe mos harroni, shakaja është shpesh gjysma e së vërtetës, Qerim Vrioni thotë se nëse Gjon Mili do të kishte kushëri ndonjë politikan apo pasanik, edhe ai do ta gëzonte famën këtu... Është e trishtueshme, në fakt, të përballesh sot me fenomene të tilla, sidomos kur menefregizmi i Ministrisë së Kulturës nuk pyet as për këtë rast.

Para pak kohësh jeni kthyer nga SHBA-të. A mund të na tregoni se për çfarë ishit atje?
U bë gati një muaj që jam kthyer në Tiranë. Që prej vitit 2006 një pjesë të kohës e kaloj në ShBA. Aty kam dy vajzat, njëra nga të cilat më ka bërë gjysh me dy nipër. Jam i pajisur me “green card”, si bashkim familjar dhe mendoj të marr edhe qytetarinë amerikane. Përgjithësisht edhe atje merrem me studimin e fotografisë, kryesisht asaj shqiptare. Frekuentoj një librari të madhe ku mund të lexosh me orë të tëra. Aty ka mjaft albume dhe revista për fotografinë, ku gjithashtu shërbehet edhe kafe ekspres.

Ndëkaq, si i apasionuar pas studimeve dhe historisë së fotografisë, në veçanti asaj shqiptare, a po merreni me ndonjë projekt?
Jo, nuk kam ndonjë projekt të veçantë, kam përfunduar diçka dhe po i jap dorën e fundit. Në maj botova në një nga revistat shqiptare një shkrim përkujtimor për Gegë Marubin, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes, ndërsa këtë muaj do botoj një tjetër shkrim për fotografin e njohur nga Korça, Vani Burda, me rastin e 60-vjetorit të vdekjes. Do të më dukej braktisje e plotë e tyre, që të paktën me ndonjë shkrim të mos i kujtonim, ndonëse këto figura meritojnë shumë më tepër.

Keni qene i vetmi specialist i fushës, që u kujtua për Gjon Milin në përvjetorin e tij, si mendoni, pse kjo harresë për një figurë kaq të madhe?
Ashtu është, më 25 shkurt 2009 u mbushën 25 vite që Gjon Mili është ndarë nga jeta. Atëherë isha jashtë vendit, ndoshta po të isha këtu edhe mund të kisha sajuar ndonjë gjë. Prej andej botova në suplementin e një të përditshmeje këtu, një artikull studimor për jetën dhe veprën e Gjon Milit, me të dhëna të reja, të nxjerra nga hulumtimet e mia atje. Kam shfletuar rreth 30 libra dhe albume fotografie që e përmendin emrin e tij, gjithmonë si amerikan i lindur shqiptar. Rreth viteve ’70, ai ka kërkuar disa herë që ta vizitonte Shqipërinë, por regjimi komunist ja refuzoi vizën. Këtu, sivjet nuk e kujtoi njeri, por po të kishte ndonjë nip a mbesë në pushtet, ose me para të madhe, me siguri puna do të ishte ndryshe. Unë kam shkruar 13-14 artikuj për Milin dhe fotografitë e tij dhe e ndjeja si detyrim t’a kujtoja të paktën me një shkrim. Jetën dhe krijimtarinëe tij e trajtoj në një kapitull të veçantë në librin tim “Fotografia një grusht diell”, të botuar para katër vjetësh. Ndonëse Mili ka punuar në Amerikë, e për 60 vjet ka qenë edhe qytetar amerikan, ai nuk e ndryshoi asnjëherë emrin e tij Gjon, për të cilin thoshte se e shkruajnë dhe e lexojnë kështu vetëm shqiptarët. Eshtë në nderin e vendit të respektojë njerëz të tillë me famë ndërkombëtare, të cilët për hir të të vërtetës nuk janë shumë.

Keni propozuar kohë më parë që emri i Gjon Milit t’i vihej një rruge në Korçë. Çfarë ka ndodhur që atëherë?
Po, para 2-3 vjetësh me nismën time, Galeria e Kombëtare e Arteve i dërgoi një propozim zyrtar Bashkisë së Korçës për përjetësimin e emrit të Gjon Milit, në ndonjë rrugë a shesh të qytetit. Deri tani ende nuk është bërë asgjë për këtë. Ndoshta ai ka, deri tani, emrin e korçarit më të njohur në botën e jashtme dhe emërtimi i një rruge do të përbënte vetëm një minimum respekti e nderimi për Milin.

Se fundi, si i shikon Qerim Vrioni, zhvillimet e sotme të fotografisë shqiptare, sidomos të asaj artistike?
Fotografia shqiptare, vitin e kaluar mbushi 150 vjet, me këtë rast organizova një veprimtari në Galerinë e Arteve, e cila u ndoq ftohtë nga ky institucion, sikur bëhëj fjalë për diçka private dhe jo kombëtare e, aq më tepër për një jubile që lakmohet nga veprimtaritë e tjera kulturore dhe artistike të vendit. Pra, fotografia shqiptare është mjaft e vjetër, të huajt po tregojnë përherë e më shumë interes të veçantë për të, sidomos për atë të shekullit XIX. Sot në vend, fotografia po lëvrohet nga një numër gjithnjë e më i madh njerëzish, po në mënyrë të paorganizuar. Prej katër vitesh në Galerinë e Arteve nuk po zhvillohet konkursi i përvitshëm i fotografisë “Marubi”, një veprimtari që grumbullonte pjesën më të madhe të fotografëve të vendit, madje kishte edhe pjesëmarrje ndërkombëtare. Aty, provonin aftësitë krijuese fotografët pavarësisht nga mosha, niveli arsimor e kulturor, rëndësi kishte sa nivel estetik kishin fotot e paraqitura. Moszhvillimi i këtij konkursi është shkaktuar nga oreksi i drejtuesve të Galerisë, por edhe nga mungesa ndoshta e një politike konstante kulturore të Ministrisë së Kulturës. Në vend ka shumë fotografë të rinj që krijojnë foto me vlera të dalluara estetike, por nuk gjejnë mbështetjen e duhur institucionale për të ecur edhe më tej. Por edhe fotot e arrira, të themi të para 30-40 vjetëve, ende nuk i janë ekspozuar publikut ashtu siç meritojnë, autorët e tyre përbëjnë brezin e tretë të fotografëve tanë dhe ndoshta u takon një ekspozitë e përbashkët retrospektive. Me fotografi sot merren edhe artistë që e shfrytëzojnë aparatin për të krijuar vepra artistike, duke e ndërthurrur atë me pikturën, grafikën, videon, duke shpërfaqur kësisoj idetë dhe mendimet e tyre. Në shtypin e shkruar, shpesh shikohen foto mjaft të goditura nga pikpamja artistike, por gjithmonë pa emër autori, thua se janë marrë nga interneti, në të vërtetë janë fryt i punës së fotoreporterëve të rinj e të talentuar. Çdo vit në vend, organizohen edhe dy veprimtari (konkurse) private për fotografinë, një në Korçë, tjetra në Fier, që janë shumë pak për atë numër të madh njerzish që merren me fotografinë. Me një vëmendje më të kujdesshme nga institucionet, fotografia e sotme shqiptare mund të evidentoj shumë më mirë vlerat e saj, që faktikisht i ka, madje dhe në rrafshin ndërkombëtar.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›