Zyrtarët do deklarojnë edhe faturat e pushimeve dhe spitalit
Krahas të ardhurave vjetore dhe pasurive të paluajtshme që zotërojnë, politikanët do të duhet të deklarojnë edhe shpenzimet e bëra për arsim, spital apo edhe pushime. Ndryshimet e reja në ligjin për deklarimin e pasurive i detyrojnë të gjithë zyrtarët e lartë të publikojnë çdo faturë që e kalon shumën 500 mijë lekë të reja në vit; qoftë kjo për shkollimin e tyre apo të familjarëve; mjekimin, mobilimin dhe arredimin e banesës apo faturat e pushimeve vjetore.
Deklarimi
Publikimi i shpenzimeve nga zyrtarët në një vit kalendarik parashikohet në ndryshimet e reja në ligjin për Deklarimin e Pasurive, që u diskutuan në komisionin e Ekonomisë. “Shpenzimet janë të specifikuara vetëm për një lloj të vetëm. Nëse shpenzimet gjatë vitit për arsimin kapin vlerën mbi 500 mijë lekë të reja, atëherë këto shpenzime duhet të deklarohen bashkëlidhur dhe me faturat e tyre. Nëse shpenzimet e avionit arrijnë shifrën mbi 500 mijë lekë të reja, atëherë ato duhet të deklarohen. Të gjitha këto janë shpenzime të deklarueshme”, tha dje Rozarta Rragallime, përfaqësuese e ILDKP-së. Deklarimi i shpenzimeve shtohet për të parë nëse zyrtarët kanë harxhuar para mbi mundësitë e tyre paguese.
Dhuratat
Ata po ashtu duhet të deklarojnë edhe dhuratat ndërsa edhe dhuruesit do të bëhen objekt i ligjit të deklarimit të pasurisë. “Në rastet që kemi pasur në dhurata në shuma të cilat konsiderohen të mëdha, gjithmonë është kërkuar dokument justifikues, ndërsa për personin i cili ka bërë dhuratën, ai person kalon person i lidhur me zyrtarin dhe Inspektoriati i Lartë i kërkon të bëjë deklarim me kërkesë, pra ai kalon subjekt i Inspektoriatit të Lartë”, deklaroi përfaqësuesja e ILDKP-së.
Familjarët
Objekti i deklarimit janë edhe bashkëshortja dhe fëmijët madhorë të zyrtarit të lartë. Një ndryshim tjetër që i bëhet ligjit është edhe përfshirja në deklarimin e pasurive edhe e drejtorëve në pushtetin vendor. Ndryshimet në ligj u miratuan me unanimitet nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë.