E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet Rama: Do votojmë heqjen e imunitetit pa kushte!

Partia Socialiste do ta votojë heqjen e imunitetit pa asnjë kushtëzim. Në një intervistë për Vizion Plus, kreu i saj, Edi Rama, thotë se opozita do të bëjë gjithçka që në kohën e mbetur vendi ynë të plotësojë detyrimet e vëna nga Brukseli për statusin e kandidatit. Zoti Rama thotë se në këtë vit politik Partia Socialiste ka bërë gjithçka që Shqipëria të mos mbetet për herë të tretë në provimin e vjeshtës, por qeveria nuk i ka përmbushur detyrimet e saj karshi Brukselit. Rama ka treguar se ekipet e ekspertëve kanë nisur punën për emrat në garën për kreun e KQZ-së, ndërsa ekonomia dhe rimëkëmbja e saj do të jenë kryefjala e fushatës për zgjedhjet e ardhshme.

Ditët e fundit po e përqendroni gjithë retorikën tuaj politiket tek çështjet ekonomike. A do të jetë kjo dhe kryefjala e fushatës së ardhshme?
Pa asnjë dyshim ekonomia do të jetë në fokusin e vëmendjes dhe gjithë e rrugëtimit tonë deri në fitoren e qershorit. Sepse, në fund të fundit, është produkti bazë i qeverisjes dhe sot shqiptarët jetojnë ende më keq se katër vjet më parë nga pikëpamja e ekonomisë së tyre familjare. Ashtu sikundër ekonomia kombëtare vuan, madje lëngon në një krizë shumë të rëndë.
Cila është e reja në dialogun tuaj politik që do të nisni me shqiptarët, e keni anonçuar në disa dalje publike? Një i tillë ka ndodhur dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në 2009, ka diçka të re, apo cila do të jetë strategjia ndryshe në këtë dialog?
Së pari dua të them që shqiptarët nuk e kanë të vështirë të konstatojnë keqqeverisjen, pasi gjithçka flet për një jetë të vështirësuar ekonomikisht dhe të rënduar nga pikëpamja sociale. Nga ana tjetër do doja të ndalesha vetëm në dy shifra. Së pari, sot zyrtarisht numri i të punësuarve është po aq sa i shtatë viteve më parë, ndërkohë që numri i të papunëve është rritur në mënyrë dramatike pasi çdo vit hyjnë 65 mijë forca të reja pune në treg. Së dyti, shifrat e tremujorit të parë të këtij viti të konsumit flasin për një rënie si asnjëherë në gjithë këto vite, çka do të thotë se fuqia blerëse e shqiptarëve bie përditë dhe se rritja e atyre pagave nominale që Saliu propagandon përditë nuk i ndihmon ata që të blejnë më shumë, por përkundrazi blejnë më pak. Thënë kjo, ne padyshim do të vazhdojmë të tregojmë se keqqeverisja ka hapur shumë plagë, por nuk mjafton. Duhet të tregojmë gjithashtu sesi ne do ta rilindim ekonominë, do ta rimëkëmbim ekonominë familjare të shqiptarëve, do ta ripërtërijmë shoqërinë, do ta rivendosim demokracinë dhe do ta ribashkojmë Shqipërinë me Europën në kuptim e vlerave dhe standardeve të qeverisjes në radhë të parë. Kemi një program të ri, i cili po pasqyrohet në vijimësi nga një rrugëtim me plot stacione ku kemi qëndruar dhe vazhdojmë të qëndrojmë për tu konsultuar me grupe interesi, me komunitete, me qytetarë në fshat dhe në qytet. Kemi një alternativë për tua bërë shqiptarëve sa më të qartë zgjedhjen e 10 muajve më vonë; Mes një Shqipërie ku ka punësim real dhe jo rritje papunësie; Ku ka taksim të ndershëm dhe jo një taksë të sheshtë që privilegjon vetëm 1% të popullsisë dhe në tërësi, bën që vetëm 5% e shqiptarëve të ndjehen sot më mirë, ndërkohë që 95% paguajnë më shumë taksa se 7 vjet më parë; Për një Shqipëri ku të ketë një fshat që prodhon dhe shet duke jetuar normalisht, e jo një fshat të braktisur në mëshirën e fatit; Për një Shqipëri ku shërbimi shëndetësor jepet sipas nevojës së secilit dhe jo sipas xhepit, ku sot ky sistem shëndetësor lë jashtë të gjithë ata që janë të papunë sepse janë të pasiguruar. Pra, rreth 1 milion njerëz që për të marrë shërbimin shëndetësor duhet të paguajnë mbi dhe nëndorë; Për një Shqipëri me arsimim më të mirë, sigurisht, pa korrupsion dhe pa falsifikime dhe jo me një sistem arsimor të korruptuar që në fund prodhon dhe diploma pa asnjë vlerë; Një Shqipëri ku të ketë shtet që garanton sigurinë e jetës dhe të pronës dhe jo një Shqipëri ku vetëm në tre muajt e fundit ka një bilanc vrasjes, plagosjesh, gjymtimesh të atillë që është më i madh sesa ai i Irakut dhe Afganistanit të marra së bashku.
Cili është ekipi që do ta shohim krah jush në këtë dialog me shqiptarët?
Ne kemi një ekip që njihet, që dihet, kemi një ekip me eksperiencë, por sigurisht do të vazhdojmë të jemi të hapur dhe për prurje të reja sepse duam që ta qeverisim Shqipërinë me kualitete më të mira dhe me harmonizimin më të mirë mundshëm mes eksperiencës dhe energjive të reja të talenteve dhe të mendjeve pjellore të këtij vendi.
Do jetë dialog klasik, tryeza, takime, bisedime, mitingje apo do të ketë diçka ndryshe? Si është menduar?
Do të jetë një rrugëtim i yni në Shqipërinë që sot ka nevojë për ndryshim. Do të jetë një bashkëbisedim dhe një komunikim intensiv në të gjitha rrugët dhe format, me të gjithë ata shqiptarë që e dëshirojnë ndryshimin dhe që janë të gatshëm të bëhen pjesë e ndryshimit.
Shumica përmes kryetarit të grupit parlamentar zotit Patozi ka kthyer një përgjigje të qartë se nuk do të votojë paketën e opozitës për reformën në drejtësi. A do të jetë vota kundër e mazhorancës për propozimet e PS, një kushtëzim për votën tuaj në parlament për çështjen e imunitetit? Apo janë dy çështje të ndara?
Më lejoni tju them që në vitin e sapo mbyllur politik, Partia Socialiste ka bërë për hir të marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe të mos dështimit për herë të tretë radhazi me turp të Shqipërisë, aq sa asnjë forcë politike nuk ka bërë këta 20 vjet, e aq më tepër pastaj në opozitë. E kemi bërë me vetëdije të plotë. Kemi marrë edhe kosto politike të ditës pasi përfaqësojmë një popull opozitar me të drejtë të revoltuar çdo ditë nga keqqeverisja. Nuk do të lëmë pa bërë asgjë që duhet dhe që ne mund të bëjmë për ti dhënë Shqipërisë shans deri në minutën e fundit që të marrë statusin e vendit kandidat. Nuk ka kushtëzim, aq më tepër që varianti i miratuar për kufizimin e imunitetit është variant i propozuar nga ne. Nuk ka surprizë do të thosha se nuk mundet dot që Saliu dhe të tijët ta pranojnë që të humbasin monopolin e përzgjedhjes së gjyqtarëve, të cilët u duhen pastaj për tu mbrojtur nga ligji. Nga ana tjetër është e pamundur të parafytyrohet që ata të pranojnë njëkohësisht që të gjykohen, jo në Gjykatën e Lartë, por si gjithë qytetarët e këtij vendi në të gjitha nivelet e gjykimit dhe po ashtu të pranojnë që Rregullorja e Kuvendit të jetë konsensuale. Por ka një gjë, që këtu ndahemi, ky është një vizion diametralisht i kundërt me vizionin e tyre për shtetin dhe është një tjetër moment ku njerëzit mund të shohin se ne nuk jemi njësoj. Së fundmi, në këtë paketë nuk e kemi propozuar si një opozitë që sapo është ulur në radhët e opozitës në parlament, por si një opozitë që pas dhjetë muajsh do të jetë në qeveri. Me vetëdijen se do ta qeverisim Shqipërinë pas 10 muajsh ne, njëkohësisht, kemi paraqitur një paketë që i heq qeverisë disa fuqi të panevojshme për të dhe të dëmshme për sistemin demokratik të vendit dhe i jep më shumë fuqi drejtësisë dhe më shumë fuqi zgjedhësve dhe qytetarëve të këtij vendi, që sot vuajnë dyfish. Nga njëra anë nga një drejtësi tërësisht e korruptuar, nën ombrellën e marrëveshjes së heshtur me pushtetin, që kur vjen fjala për ti rënë qytetarëve gjyqtarët mund ti bien sa të duan, sepse qytetarët si mbron kush, e kur vjen fjala për të mbrojtur pushtetarët  gjyqtarët janë aty për të mbrojtur pushtetarët.
A ka shanse Shqipëria për të mos rrezikuar statusin e kandidatit për herë të tretë? Çfarë duhet të bëjë, konkretisht nëse ka shanse, mazhoranca në këto pak ditë të mbetura?
Është e domosdoshme që Shqipëria ta bëjë këtë hap përpara. Është e domosdoshme që Shqipëria të mos mbetet për herën e tretë në provimin e vjeshtës. Është e domosdoshme që Shqipëria të hapë rrug

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›