Zyrtarët me pushime “të zgjatura”

Durrës, 9 maj - Shumë zyrtarë qeveritarë të Kosovës ia kanë mësyrë Durrësit për ta kaluar fundjavën, e cila si jo rrallëherë për ta është e “zgjatur”, pasi e hëna është lidhur me një festë zyrtare.
Gazetari e Express Online, i cili ka rastisur në bregdetin shqiptar, ka parë një numër automjetesh zyrtare nga Kosova, përfshirë edhe këtë autobus, sikurse shihet në foto, i parkuar para një hoteli.
Autobusi me targa (zyrtare) 3Z-102-11, i takon Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Por nga kjo ministri, megjithë përpjekjet, të hënën nuk mund të merrej asnjë informacion se për çfarë qëllimi ndodhej ky autobus në Durrës, nëse “udhëtarët” ndodheshin atje për punë apo qejf, nga kush është paguar qëndrimi i tyre etj.
Megjithëse kosovarët janë të vetmit qytetarë në rajon, të cilët ende nuk mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian, punonjësit e institucioneve të vendit, sot e kanë pasur pushim, për nder të 9 Majit - Ditës së Evropës.
Për këtë arsye, në MPMS, sot ishte e pamundur të kontaktohej në telefon ndonjë zyrtar.
Kosova mund të krenohet se është ndër shtetet me numrin më të madh festave zyrtare, të përcaktuara me ligj. Ligji për Festat Zyrtare ka përcaktuar të jenë 12 festa zyrtare dhe 8 festa jozyrtare.
Për më tepër, ligji e përcakton që nëse festa ka rënë në ditë pushim, pra të shtunën ose të dielën, dita e pushimit të bartet të hënën.
Sipas një përllogaritje, përfshirë këtu edhe ditët e pushimit të javës (e shtuna dhe e diela) dhe 13 ditët e 12 festave zyrtare, del se në Kosovë prej 365 ditëve të punës, janë mbi 110 ditë pushimi. (fo)