E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria po anashkalon ekonominë e Kosovës

Përfaqësuesit e biznesit në Kosovë thonë se marrëveshja e Shqipërisë me Serbinë, për lehtësirat tregtare, po e bllokon ekonominë kosovare. Nga Express më 09 maj 2011 në ora 20:30

Vazhdojnë reagimet për bllokadën nga Shqipëria të mallrave nga Kosova dhe heqjen e barrierave në transportin e mallrave me Serbinë.

Njohësit e çështjeve ekonomike, arritjen e kësaj marrëveshjeje e konsiderojnë të pakuptimtë, sidomos për shkak se një marrëveshje e tillë nuk ekziston ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Ata thonë se me këtë marrëveshje po anashkalohet ekonomia e Kosovës dhe po i jepet përparësi ekonomisë së Serbisë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për Kosovapress se me këtë trajtim që po e bën Shqipëria ndaj Kosovës, po e anashkalon ekonominë e Kosovës.

”Shqipëria është duke u hapur me të madhe ndaj Serbisë, ndërsa ndaj Kosovës paraqet probleme të shumta, barriera të shumta. Kemi rastin e patates, rrushit dhe produkteve tjera që vështirë e kanë të depërtojnë në tregun e Shqipërisë. Kjo për qarqe të caktuara në Shqipëri, Kosova ende llogaritet si një fshat mes Shqipërisë dhe Serbisë”, thotë Gërxhaliu.

Ai ka shprehur besimin se në të ardhmen do të dominojë një qasje pozitive dhe ky anashkalim apo kjo ftohje e avancimit të prioriteteve mes bizneseve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë do të avancohen. Komentet nga pala e Shqipërisë bëjnë të ditur se nuk ka pasur iniciativa nga pala kosovare, por Gërxhaliu thotë që kjo ka pasur tentativa dhe iniciativa për dialogim në këtë drejtim nga pala kosovare.

Madje ai përmend edhe kontributin e ish- ministrit të Financave, Ahmet Shala, ku në praninë e komunitetit të biznesit i ka telefonuar ministrit Ridvan Bode dhe Genc Rulit për të bashkëpunuar më shumë. Por, sipas Gërxhaliut, problemi i krejt kësaj është se në sy dhe në dialogim thonë krejt diçka tjetër, ndërsa veprojnë krejt diçka tjetër.

Për këtë anashkalim të shtetit shqiptar që po i bën Kosovës, profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skenderi e quan një nonsens, për faktin se, siç thotë ai, me këtë po bëhet një komplot kundër ekonomisë së Kosovës.

“Mendoj që kjo është një nonsens dhe nuk do koment, sepse anashkalimi i Kosovës, respektivisht i shtetit të Kosovës, nga ana e shtetit të Shqipërisë nuk do duhej të ndodhte. Përkundrazi, ajo do të duhej të jepte dorën e parë në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës dhe në funksionalitetin e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thotë Skenderi.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet t’ia bëjnë me dije Shqipërisë se Kosova ka nevojë në këtë fazë substanciale të zhvillimit ekonomik. Për më tepër, profesor Skenderi këtë e quan një lojë të Serbisë që po e bën me Kosovën dhe Shqipërinë. “Serbia në një farë mënyre po bën lojë me dy shtete shqiptare, respektivisht një ekonomi të hirtë me ekonominë e Kosovës dhe një ekonomi të bardhë, e cila është në dobi të saj të zhvillimit ekonomik me Shqipërinë dhe anashkalimi i saj nga ana e Shqipërisë e dëmton jo vetëm imazhin e ekonominë, por edhe imazhin politik ndaj vendeve tjera”, ka theksuar ai.

Ndërsa ditë më parë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i pyetur nga mediet se përse Kosova dhe Shqipëria ende nuk kanë një marrëveshje për heqjen e tatimeve, kur dihet se tashmë Shqipëria ka realizuar një marrëveshje të ngjashme me Serbinë, tha se kjo çështje më tepër i përket Ministrisë së Financave.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›