Remitencat, shenjë e varfërisë
Remitencat, apo të ardhurat që vijnë në Kosovë nga emigrantët, në 12 vjetët e fundit kanë qenë me shumë domethënie për qytetarët kosovarë.
Por, megjithatë, ato janë sinjalizuese të varfërisë që ekziston në vend, vlerësojnë ekspertët e çështjeve të ekonomisë.
Sondazhi i Institutit të Hulumtimeve Gallup, pas anketimeve të zhvilluara në 135 vende të botës, tregon se Kosova radhitet lart në listën e vendeve që marrin remitenca, me 23 për qind apo me më së shumti në rajon.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Bedri Selmani, tha për Radio Evropa e Lirë se remitencat janë burimi kryesor për një numër të madh të familjeve kosovare.“Në qoftë se një vend ka eksport të fuqisë punëtore, ose siç quhet në terminologjinë ekonomike ‘ikje të trurit’, ai vend ka varfëri.
Remitencat, apo dërgimi i parave nga emigracioni ynë, janë baza kryesore e krijimit të të ardhurave”, thotë Selmani.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest, thotë se kjo përqindje e remitencave tregon se Kosova nuk po arrin të mbështesë zhvillimin ekonomik në burimet e brendshme.
“Përqindja e lartë e remitencave nënkupton se vendi ynë ende nuk mund të shkëputet nga ndihmat e tilla nga jashtë dhe ta mbështesë zhvillimin ekonomik në burime të brendshme - me theks të veçantë në sektorin privat. Kështu do të duhej të ishte për një vend në zhvillim”.
Sipas Abdixhikut, përqindja e lartë e remitencave nuk duhet të jetë fakt me të cilin duhet të krenohen kosovarët. Kjo përqindje, shton ai, pasqyron zhvillimin e ulët ekonomik të vendit.