E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtari i Bashkisë heq posterat e PD

 

Etleva Delia

Policia e Tiranës shpalli në kërkim drejtorin e Task-Frocës së Gjelbërimit të Bashkisë së kryeqytetit, Vladimir Peshkëpia. Pas një procedimi të mëparshëm penal që filloi ndaj tij disa ditë më parë për urdhrin e heqjes së banderolës së takimit elektoral të Jozefina Topallit në Kombinat, ai ka kryer sërish të njëjtin veprim. Sipas burimeve nga policia, mësohet se Peshkëpia në bashkëpunim me Osman Çaçën kanë hequr banderolat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim përgjatë Unazës së Re dhe rrugës së Kombinatit. Veprimi është konstatuar dje rreth orës 10:00 nga përfaqësuesit e këtyre dy partive, të cilët kanë denoncuar në Komisariatit nr. 6 të policisë. Fillimisht është shoqëruar njëri nga autorët, Osman Çaça, për të cilin ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë dhe më pas është zbuluar se në heqjen e banderolave elektorale ka marrë pjesë edhe drejtori i Gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës. Aktualisht, Peshkëpia kërkohet nga policia për akuzën e “pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”.
PROCEDIMI I MEPARSHEM
Vladimir Peshkëpia, drejtori i Task-Forcës së Gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës u përfshi në një incident elektoral më 3 qershor, kur urdhëroi për heqjen e banderolave që njoftonin takimin elektoral në Kombinat të Jozefina Topallit. Tre punëtorë të Sektorit të Gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës përfunduan në polici, pasi me urdhrin e Peshkëpisë hoqën banderolën njoftuese të takimit elektoral të numrit 2 të Partisë Demokratike. Incidenti ndodhi mëngjesin e 3 qershorit në orën 10:00 të mëngjesit në rrugën “Llazi Miho” të kryeqytetit. Sapo kanë konstatuar heqjen e banderolës, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kombinatit kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr. 6. Sipas burimeve nga policia menjëherë janë identifikuar autorët e ngjarjes, të cilët akuzohen për “pengimin e subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”. Ata ishin 3 punëtorë të gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, Agim Hyseni, polic bashkiak, Saimir Neza dhe Osman Çaça, të cilët u shoqëruan për të dhënë sqarime në Komisariatin nr. 6. Sipas deklarimeve të tyre mësohet se udhëzimet për heqjen e banderolës, që njoftonte takimin elektoral të numrit 2 të Partisë Demokratike, i kishin marrë nga shefi i tyre, Vladimir Peshkëpia. Gjithashtu ata kanë treguar se në momentin që ata po hiqnin banderolën, pranë tyre kanë qenë edhe punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët kanë parë të gjithë skenën, por nuk i kanë penguar për të vazhduar “punën”. Madje, ata i kishin përkrahur. Policia nisi procedim në gjendje të lirë për 3 punëtorët e gjelbërimit, me akuzën e pengimit të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›