Inaugurimet, KQZ rrëzon PS-LSI
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzon kërkesën e PS-së, që aktivitetet e transmetuara nga ana e televizioneve të Kryeministrit Sali Berisha të llogariten si fushatë elektorale në favor të subjektit politik PD-së. Gjithashtu, KQZ-ja rrëzoi dhe kërkesën e PS-së dhe LSI-së për rikuperimin e kohës nga ana e televizioneve që kanë transmetuar më shumë për PD-në se sa për partitë tjera politike. E gjithë kjo çështje është diskutuar mes anëtarëve të KQZ-së për më shumë se pesë orë, duke bërë që të jetë mbledhja më e gjatë e zhvilluar ndonjëherë. Shumica e Bordit të Monitorimit, që i përket së djathtës, ka shprehur mendimin se kjo nuk duhet të llogaritet në kohën e PD-së, por si pjesë e qeverisë. Ndërsa pjesa e tre anëtarëve të tjerë të Bordit, përfaqësues të opozitës shprehen se duhet të cilësohet si pjesë e fushatës për faktin se në inaugurime janë vërejtur simbole të fushatës së PD-së. Anëtarja e Bordit, Iris Luarasi deklaroi dje në mbledhje se “Bordi është ndarë në çështjen e inaugurimit të punimeve nga ana e qeverisë, siç është rruga Rrëshen-Kalimash, përurimet e kaskadës së Devollit. Ne e cilësojmë si pjesë të fushatës, pasi aty janë vendosur flamujt e PD-së, simbolet e saj, si dhe është përdorur kolona zanore. Përplasje kemi edhe për çështjen e kartave të identitetit”. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti kontestoi një vendim të tillë, duke u shprehur se një llogaritje e tillë synon ta dëmtojë partinë e tij. “Kjo është një mënyrë tinëzare që i bëhet për të llogaritur kohën e qeverisë ndaj partisë. Sa për dijeni, qeveria punon, është në punë deri në ditën e fundit. Dhe slogani i sotëm ‘Shqipëria po ndryshon’ është i qeverisë dhe ia ka marrë partia, PD-ja, qeverisë”, tha Kosovrasti. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi se e sheh të pamundur të ndahet në sekonda një gjë e tillë, se kur është pjesë e fushatës elektorale ose jo. “Pa ditur një të dhënë të tillë nuk mund të votoj, prandaj do të votoj kundër në lidhje me kërkesat e paraqitura nga ana e subjekteve politike”, theksoi Ristani. Më pas janë hedhur për propozim kërkesat e partive si PS, PD dhe LSI për shtim të kohës televizive për disa televizione. Kërkesat e PS dhe të LSI dolën me tre vota pro dhe tre vota kundër, duke bërë që të mos kalonin. Ndërsa edhe për kërkesën e PD-së, Ristani mbajti të njëjtin qëndrim duke votuar kundër. Kjo ka bërë që 6 anëtarët prezentë të KQZ-së të votonin kundër kërkesës së demokratëve.