E Diel, 1 Nëntor 2026

Kliko ketu per video Të nderuar zotërinj ministra! Më lejoni që në këtë mbledhje të parë të Qeverisë së re të ndaj me j

Kliko ketu per video

Të nderuar zotërinj ministra!
Më lejoni që në këtë mbledhje të parë të Qeverisë së re të ndaj me ju kënaqësinë për vlerësimin që na bëri Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet një vote të gjerë përfaqësuese dhe angazhuese. Ky votbesim maksimal parlamentar, si instrument politik dhe legjitim i vullnetit të maxhorancës së zgjedhësve na obligon të gjithëve së bashku si ekip, por edhe secilin prej jush veçmas për të përqëndruar veprimtarinë tonë qeverisëse në thellimin e reformave që përshpejtojnë integrimit evropian të vendit.
Ndarja e qartë e përgjegjësive, rritja e nivelit të koordinimit të punës ndërdikasteriale dhe monitorimi i vazhdueshëm i rezultateve qeverisëse do të na duhet t'i ngrejmë së bashku në një sistem dhe praktikë që adaptohet dhe për cdo dikaster veçmas. Mbi këtë bazë do të sigurojmë frymën e punës në ekip, që është jetike për mbarëvajtjen e qeverisjes.
Më lejoni të kujtoj për të gjithë ne se kontrata që keni nënshkruar me Kryeministrin e Shqipërisë është angazhim i mjaftueshëm kushtetues dhe ligjor për të vlerësuar në çdo kohë efektivitetin e cdo titullari dikasteri dhe të qeverisë në tërësi. Pra, përpara detyrës për realizimin e prioriteteve dhe objektivave qeverisëse, llogariten interesat prioritare të përfaqësimit në realizimin e programit në raport me ato individuale të cdo anëtari të kabinetit ekzekutiv.

Të nderuar kolegë,

Ky muaj i parë i punës sonë do të përqendrohet tërësisht në hartimin e programeve të detajuara të punës për çdo dikaster, që ju tashmë drejtoni. Ju kërkoj që në këto programe, bazuar në prioritetet qeverisëse të programit, të përfshini dhe të reflektoni në mënyrë kritike edhe vlerësimet apo sugjerimet konstruktive përmirësuese, që u shfaqën gjatë debatit parlamentar me rastin e votëbesimit të qeverisë dhe të programit të saj në Kuvend. Pra, me një fjalë, të përfshini gjithçka që i shërben përshpejtimit të reformave transformuese dhe integrimit të cdo kontributi të mundshëm për një zhvillim sa më të shpejtë të procesit europian në vend.

Paketa e reformave, që ne si maxhorancë politike, por edhe si Qeveri e këtij koalicioni kemi marrë përsipër, është e gjerë dhe e gjithanëshme. Bërthama e saj është forcimi i shtetit të së drejtës dhe institucioneve të tij demokratike; transformimi i ekonomisë drejt asaj legale përmes një sistemi financiar dhe bankar të kohës; konsolidimi dhe profesionalizimi i administratës publike më tej; rritja e nivelit të sigurisë për shtetasit dhe sipërmarrjet; thellimi i luftës institucionale kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit; rritja e nivelit arsimor dhe kujdesit shëndetësor ndaj shtetasve; dhe, më në fund, rritja e efikasitetit në marrëdhëniet partneriale me aleatët dhe organizatat ndërkombatëre që na asistojnë.
Rikonfirmoj në këtë mbledhje të parë të Qeverisë së re vullnetin për një bashkëpunim institucional me opozitën për të konsoliduar më tej institucionet e shtetit evropian që ndërtojmë. Progresi i bërë në drejtim të respektimit të institucioneve kushtetuese dhe atyre shtetërore nga ana e opozitës vazhdon të shprehë gjithashtu vullnetin e Qeverisë së re për kontribute konsensuale drejt konsolidimit të tyre sipas standarteve euroatlantike.

Themeli i reformës, tashmë të programuar në fushën ekonomike dhe financiare, synon krijimin e një hapsire më të gjerë për sipërmarrjen e ligjshme dhe fitimprurëse duke minimizuar tregun informal dhe forcuar kapacitetet zbatuese të ligjeve në fuqi nga shërbimi civil, duke kuruar pra dhe dizinsetivat që shkakton ndërhyrja administrative e shtetit në ekonomi për operatorët vendas dhe të huaj. Përsëris me autoritetin e Kryeministrit angazhimin e kësaj Qeverie për të ndërtuar një partneritet afatgjatë me komunitetin sipërmarrës vendas. Në këtë funksion ne angazhohemi që brenda një periudhe të shkurtër, duke u konsultuar, basjkëpunuar dhe negociaur ngushtë partnerët ndërkombëtarë, vecanërisht me institucionet financiare, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të hedhim hapat e duhura që çojnë në realizimin e kësaj reforme, në thjeshtimin e procedurave administrative, në moderimin e barrës fiskale duke shtuar garancitë e të ardhurave publike dhe duke bllokuar arbitraritetin burokratik të administratës fiskale dhe doganore ndaj sipërmarrësve. Përmirësimi i qeverisjes në nivel qëndror, natyrshëm, nuk do të arrinte të shtrinte efektet e veta në të gjithë territorin e Republikës pa një reformë substanciale të konceptit dhe të praktikave qeverisëse edhe në nivel vendor.
Pra, decentralizimi i autoritetit, i pushtetit, i administrimit të territorit dhe i financave publike duke adaptuar modelin evropian të rajoneve ekonomiko - administrative, nuk do të thotë në vëmendjen tonë aspak shthurrje e vertikalitetit dhe zbehje e vendimarrjes koherente, nuk do të thotë aspak lëshim apo shmangie nga përgjegjësitë përballë komuniteteve vendore, përkundrazi kjo do të kërkojë një konceptim të ri të kohës për këtë vertikalitet dhe vendimarrje sipas kushtetutës. Kjo do të kërkojë, të nderuar kolegë, që edhe në dikasteret që ju do të drejtoni, mbështetur në këtë mentalitet të ri, që sot gjithçka të rrjedhë me një ritëm tjetër, konceptuar ndryshe, me një shkallë më të lartë përgjegjësie dhe në mënyrë komplementare me autoritetet vendore.
Një administratë publike profesionale dhe funksionale; një sistem drejtësie i bazuar vetëm në ligj; një sistem sigurie që garanton parametra evropianë të lëvizjes; një sistem arsimor që krijon oportunitete reale për brezat e rinj; një sistem shëndetësor më pranë shtetasve; një syistem vlerash dhe institucionesh kulturore që evokon traditat dhe nxit globalizimin e shoqërisë janë sfidat me të cilat ne të nderuar Ministra do të përballemi.
Shqipëria, pra, ndodhet para evenimenteve historike të ngritjes së stadit integrimit ta saj në Bashkimin Evropian. Ky nivel i ri, për shkak dhe të klimës së re politike në vend, më shumë se gjithçka kërkon në radhë të parë nga ne që të krijojmë një atmosferë konvergjente dhe komplementare me mendimin ndryshe dhe me opsionet që na vijnë nga opozita, nga shoqëria civile, nga komuniteti i sipërmarrjes, nga partnerët social dhe sindikatat si dhe nga partnerët tanë euroatlantikë.
Më lejoni të shpreh bindjen time e patundur se ky ekip qeveritar i ka të gjitha vlerat dhe mundësitë për të realizuar programin ambicioz me të cilin u votbesuam dhe për të rritur besimin e shtetasve te shërbimet shtetërore, të komuniteteve përfaqësuese dhe partnerëve ndërkombëtarë tek Qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Punë të mbarë së bashku!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›