Çajkovski vjen me Arrëthyesin
Orkestra e RTSH zhvilloi mbrëmë në skenën e Akademisë së Arteve një koncert të veçantë, i cili pati dhe vepra të cilat u ekzekutuan për herë të parë nga kjo orkestër. E veçanta e kësaj mbrëmjeje muzikore ishte pjesëmarrja e dirigjentit rus Leonid Nikolayev, që është një nga artistët më në zë të kohës, nën drejtimin e të cilit solisti Aristidh Prosi, (violonçel) interpretoi pjesë të zgjedhura nga veprat e kompozitorëve të njohur, me famë botërore si Rossini dhe Shostakovich, nga të cilët ishin përkatësisht Vilhelm Tel, Uverturë dhe Koncert Nr.1 për violonçel dhe orkestër.
Gjithashtu është performuar edhe një suitë simfonike, Arrëthyesi, nga Çajkovski. Ky është bashkëpunimi i tretë që orkestra simfonike e RTSH ka me dirigjentin Nikolayev, një trashëgimtar direkt i traditës romantike ruse të shekullit të 19 dhe njëkohësisht ai është dirigjent i zgjedhur i shumë kompozitorëve të elitës ruse. Në një prononcim dhënë për gazetën Drejtori Artistik Qleg Arapi tregon se koncerti është një premierë simfonike për të gjithë artin shqiptar. Është një premierë absolute dhe mos harrojmë se luhen pjesë, që janë shumë të vështira. E para është koncerti nr.1 i Shostakovich për violinçel dhe orkestër, i cili si nga ana profesionale dhe ritmike është shumë i vështirë. Gjëja më e bukur është bashkëpunimi me dirigjentin rus dhe violonçelistin shqiptar, i cili është spalë në Orkestrën e RTSH dhe shumë i mirë. E dyta vjen vepra tjetër, e cila është premierë absolute në Shqipëri, suita e baletit të Çajkovskit Arrëthyesi, e cila është një vepër shumë e bukur. Po kështu dhe uvertura e operës Vilhem Tel e Rosinit. Është një vepër shumë e bukur dhe mënyra se si dirigjenti e realizoi këtë vepër është e veçantë, theksoi ndër të tjera Arapi. Arrëthyesi (Schelkunchik) Op. 71, është një balet i mbështetur mbi një përrallë me dy akte në tre skena dhe e kompozuar në 1891-1892 nga Çajkovski. U luajt në Teatrin Imperial të Rusisë në vitin 1892. Në perëndim baleti Arrëthyesi u bë ndoshta baleti më popullor veçanërisht në periudhën e Krishtlindjeve. Kompozitori bëri një ndarje duke veçuar tetë numra nga baleti përpara premierës së dhjetorit 1892, duke formuar suitën Arrëthyesi Op. 71 a, duke e menduar si shfaqje koncertore. Ajo u luajt për herë të parë nën drejtimin e vetë kompozitorit më 19 mars 1892 në Shën Petersburg. Leonid Nikolayev është një nga dirigjentët më në zë të kohës. Një trashëgimtar direkt i traditës romantike ruse të shekullit të 19, Nikolayev është i njëjtë edhe me partiturat kontemporane dhe është dirigjent i zgjedhur i shumë kompozitorëve të elitës ruse. Në vitin 1974 ai fiton Grand Prix të Fondacionit Herbert von Karajan për dirizhim në Konkursin Ndërkombëtar të Orkestrave Simfonike në Berlin. Eksperienca e tij si dirigjent përfshin të gjitha orkestrat kryesore të Rusisë dhe në veçanti Orkestrën e Televizionit Qendror dhe Radios së Rusisë. Ai është Dirigjent i Parë i Orkestrës së Konservatorit të Moskës, ku është njëkohësisht edhe profesor. Regjistrimet e tij përfshijnë vepra të Çajkovski, Beethoven, Berlioz, Schostakovich, Weber,etj. Përveç koncerteve të rregullta dhe turneve në të gjithë Rusinë, ai ka drejtuar në Francë, Itali, Spanjë, Zvicër, Brazil, Kubë, Belgjikë, Hungari, Bullgari, Çeki, Rumani, Japoni, dhe SHBA. Ky është bashkëpunimi i tretë i tij me Orkestrën Simfonike të RTSH.