E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atmosferë festive për përvjetorin e Orkestrës Simfonike

Përvjetori i 30-të i Orkestrës Simfonike të qytetit të Vlorës do të organizohet mes një atmosfere festive, e cila do të zhvillohet në datën 15 maj. Nga drejtuesit e Qendrës Kulturore të qytetit mësohet se është caktuar kjo datë, pasi përkon me 30 vjetorin e krijimit të kësaj orkestre. Në këtë ditë do të zhvillohet një takim jubilar dhe një koncert i madh, me pjesëmarrjen e instrumentistëve të njohur nga Vlora, të cilët për motive të ndryshme ushtrojnë aktivitetin artistik në qytete të tjera, jashtë vendit, apo kanë dalë në pension. Aktivitetet që do të organizohen nga Qendra Kulturore në bashkëpunim me një nga emrat më të njohur në historinë e artit në Vlorë, Thanas Caçi, do të evokojnë vlerat më të mira të krijuara nga breza artistësh në këtë qytet. Pjesë e koncertit do të jenë dhjetëra instrumentistë, mes të cilëve oboisti Thanas Qirnxidhi, i njohur për aktivitetin e tij në Greqi, violinisti Mjaltin Zhezha, apo dirigjentët Thanas Caçi, Oleg Arapi e Edi Banushi. Një element i rëndësishëm i aktivitetit jubilar do të jetë dhe formacioni aktual i orkestrës simfonike të Qendrës Kulturore të Vlorës, që u rikrijua dy vjet më parë pas një periudhe ndërprerjeje prej 17 vjetësh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›