Çamëria, krahu i ndarë, por jo i tharë i trupit Shqiptar
Nga Azgan Haklaj
Pa dashur të proklamoj pamflete politike, apo të bëhem pjesë e ndonjë parade folklorike nacionaliste, me sinqeritet kërkoj t’i qasem një shqetësimi mbarëkombëtar, një pjesë dhimbjeje por edhe krenarie, Çamërisë. Çamëria, fati i saj i kobshëm i mbi 6 dekadave më parë edhe sot rënkon e apelon. E sidomos tani, këtë fillimshekull kur bota demokratike përballet me terrorizmin. E për t’i bërë ballë kësaj gjëme që kërcënon kozmosin duket se refleksioni shkon më tutje në histori tek rrënjët, tek ngjarjet. E në këtë kujtesë s’ka si të mos kthehet Çamëria, terrori shtetëror me të cilin u përball popullsia e saj shqiptare, terror e genocid që për nga makabëriteti konkuron edhe kryqëzatat. Askush s’mund ta mohojë kontributin e komunitetit të sotëm çam për ndriçimin dhe sensibilizimin deri në instanca të njohura ndërkombëtare me genocidin shtetëror grek ndaj popullsisë së pafajshme çame. Por kam qenë dhe vazhdoj të jem i mendimit që çështja çame nuk mund të jetë vetëm shqetësim i popullsisë çame. Ky problem jo vetëm që është i përmasave mbarëshqiptare por duhet të kthehet me emergjencë në axhendë agresive diplomatike, politike e shtetërore. Është me të vërtet dominim nga kompleksi i infioritetit nga ana shtetërore shqiptare që ky problem-plagë ose trajtohet nën zë e parcialish pse anashkalohet, aty ku duhbet të shtrohet e gjykohet. Është me të vërtetë e pafalshme që sot në këtë çështje nuk ngrihet zëri të paktën sa në vitet 20-të, kur Ministri i asaj kohe Mehdi Frashëri arrinte të vinte në lëvizje deri Lidhjen e Kombeve në lidhje me deportimin që po i bëhej popullsisë çame në Turqi e gjetkë. Natyrisht nuk mund të jemi aq infantinë sa të mos e kuptojmë pozicionin e vendit tonë dhe interesat në këto procese integruese. Por sot jetojmë në një botë e mjedis demokratik dhe nuk duhet nguruar kur bëhet fjalë për cenim skandaloz të të drejtave e lirive themelore të një pjese të rëndësishme të kombit tënd. E për më tepër kur sensibilizimi ndërkombëtar për Çamërinë ka marrë përmasa jo të vogla. Por ky sensibilizim nuk duhet t’i lihet okazionit, por të kthehet në strategji shtetërore. Problemi çam, deri dje tabu në Greqi, sot edhe në mjediset e intelektualëve helenë ka filluar të shihet me realizëm. Në shkurt të këtij viti maniakët e nacional-shovinizimit grek u tërbuan dhe reaguan ashpër, teksa në një simpozium të rëndësishëm në Universitetin e Athinës nga profesorë të Fakultetit të Padios u pranua botërisht genocidi shtetëror grek ndaj popullsisë çame. Po ashtu u tha hapur e vërteta se masakra ndaj çamëve padrejtësisht u kamuflua me teorinë e kolaboracionit çam me fashistët italianë gjatë luftës italo-greke. “Minoritarët grekë dhe jo çamët ishin kolaboratorë”, konkluduan vetë historianët helenë. Më tutje një tjetër eveniment mediatik po trondit kokat e nxehta të “MEGALDHES˔ në Greqi. Një dokumentar i rëndësishëm historik shumëserialësh që rrok periudhën 1897-1940 me fakte realiste i është qasur për herë të parë problemit çam. Drejtuesi i emisionit të prodhuar nga televizioni reputativ “SKY”, kryeredaktori Mihalis Kacigiras argumenton me dokumenta të pakontestueshëm se nuk është e vërtet teoria e kolaboracionit çam me fashizmin. Faktikisht kjo teori ka veshur për shumë kohë justifikimin e genocidit grek ndaj popullsisë çame. Pra jemi në kohë, kur vetë faktorë të rëndësishëm brenda Greqisë po ngrenë zërin për këtë problem. Kësisoj heshtja jonë shtetërore, politike, diplomatike por edhe Akademike është paradoksale. Ne duhet t’i rikonfirmojmë botës por edhe vetvehtes se problemi çam nuk është problem maltretimi i ndonjë enklave. Aspak! Çamët në Greqi kanë jetuar në trojet e tyre prej prehistorisë, biles të gjithë historografët e besueshëm dëshmojnë se paraardhësit e shqiptarëve aty (në Greqi) datojnë të jenë vendosur para grekërve. Nëse dikush tenton të faktojë të kundërtën, atëherë nuk të lën tempulli parailir i Dodonës dhe orakulli i tij i famshëm. Këtë e ka dëshmuar edhe Skymni (shek III-II para erës së re) apo Pouqueville në fillim shekullin e 19-të. Shqiptarët e Çamërisë me çdo akt, normë apo konventë ndërkombëtare duhet të rikthehen në tokën e pronën e tyre, sepse ata s’ishin as barbarë si sllavë, as ardhacakë dhe okupatorë. Jo! Popullsia çame ka rrënjët e veta etnike atje. Jo vetëm kaq, por shteti dhe kisha greke duhet të kërkojnë falje publike për genocidin dhe menjëherë të fillojnë dëmshpërblimin. Sot është epoka e internetit dhe jo e prostitutave greke që flinin dhe joshnin delegatët e Konferencës së Paqes në Paris (1919) në mënyrë që Venizellosi me shokë të triumfonin ndaj të drejtave të shqiptarëve. E thënë shqip është koha e shqiptarëve për të vënë në vend një pjesë të rëndësishme të padrejtësive të bëra ndaj tyre. Dhe pa dyshim pjesë nga më thelbësoret, më të freskëtat dhe më makabret është Çamëria. Çdo vonesë, kompleks, hezitim për profite fallso politike është i palejueshëm dhe tepër i kushtueshëm. Lëvizja në kohë e kontekst është rezultative. Unë e pranoj idenë paranojake, shoveno-nacionaliste që sundon shumë qarqe e lobe politike e religjioze në Greqi dhe jashtë saj. Por njëkohësisht jam po aq i informuar dhe i ndërgjegjshëm se pozita e këtyre qarqeve është në rënie pikiatë. Gjithshka është drejt dekonspirimit të së vërtetës. Por edhe nëna thuhet, se s’e ushqen fëmijën e vetë, po nuk qau. Kjo fjalë popullore nuk na fton drejt qaravitjes, por drejt konsistimit strategjik për të drejtat tona legjitime. Kosova, lufta, liria, pamvarësimi i saj treguan se jo vetëm koha është primare, por së pari insistimi sistematik në të drejtën tënde. Sot çështja shqiptare e për rrjedhim ajo çame nuk janë pa zë në botë. Multiplikativiteti ka mbaruar. Është një botë që synon të afrojë ditët e të vërtetave të mëdha që të qetësohet përfundimisht. E për ne shqiptarët sot, përkundër faktit nga jemi e ku jetojmë Çamëria është plagë në trupin tonë që pret medikament të shërohet përpara se të gangrenizohet. Është çmenduri të imagjinosh një popullsi në glob, të cilës i mungojnë varrezat e të parëve. E pra kjo është Çamëria. Shqipëria pa Çamërinë është një trup me krah të ndarë. Unë jam optimist në ngjitjen e këtij krahu që trupi ynë kombëtar të funksionojë normalisht. Falë Zotit, ku krah i ndarë ka siguruar mbijetesën dhe nuk është tharë.
5 Tetor 2008