Vranë tetë vjet më parë në Shkodër, arrestohen në Itali
Tiranë - Interpol Roma njoftoi dy ditë më parë homologët në kryeqytetin shqiptar se ishin arrestuar me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë shtetasit shqiptarë Taip Katica, 52 vjeç, dhe Genc Katica, 36 vjeç, të dy nga Shkodra. Arrestimi i tyre u bë për llogari të Interpol Tiranës pasi të dy ishin në kërkim për vrasje. Dy vëllezërit mbrëmjen e 4 prillit të vitit 2000, mendohet se në lagjen Partizani në Shkodër kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Jetmir Dhampiri. Ky i fundit po udhëtonte së bashku me shtetasin Ardian Bregasi me një makinë tip Lancia, me targa të huaja MI9E2632, në pronësi të shtetasit Ardian Bregasi. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Dhampiri është vrarë nga vëllezërit Katica. Shtetasit në fjalë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr. 217, datë 10.06.2008, ka caktuar masën e sigurisë “rrest në burg” për këta shtetas, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” të kryer në bashkëpunim, dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Për ekstradimin e tyre autoritetet italiane të drejtësisë kanë kërkuar dërgimin e dokumenteve në rrugë diplomatike.
Itali, arrestohet shqiptarja që gjobiste të droguarit
Një 30- vjeçare shqiptare është arrestuar në Bari të Italisë pasi akuzohet se së bashku me disa shtetas italianë detyronin shpërndarësit e drogës t’u jepnin 6000 euro për çdo sasi droge të shitur. Pas hetimeve të karabinierëve italianë kanë rënë në pranga një 35-vjeçar italian i quajtur Xhovani Xhalo dhe shqiptarja 30-vjeçare E. Dane, me të cilën bashkëjetonte, si dhe të 3 italianëve të tjerë, të cilëve policia italiane u ka bërë të ditur vetëm inicialet. Aktivitetin banda e kishte nisur rreth 1 vit më parë, ku ata jepnin kredi për drogë deri në vlerën 500 euro. Me kalimin e muajve borxhi ndaj tyre rritej dhe përdoruesit e drogës, nën peshën e borxhit, nuk ishin në gjendje t’ia dilnin më mbanë. Hetimet nisën më 12 gusht, kur një anëtar i bandës keqtrajtoi një 30 - vjeçar me qëllim që ta detyronte të paguante. Sipas medias italiane, 5 shtetasit italianë do hetohen në arrest me burg, ndërsa shqiptarja Eriselda Dane do të hetohet në arrest shtëpie.
Greqi, pranga 2 shqiptarëve, transportuan 46 klandestinë
Një operacion i organizuar nga forcat speciale të kufirit në një rrugë dytësore e Kosturit përdorej nga trafikantët shqiptarë për të kaluar emigrantë të paligjshëm në tokën greke u vunë në pranga 2 shqiptarë. Kështu dy ditë më parë mediat greke njoftuan se forcat kufitare greke arrestuan 46 refugjatë shqiptarë dhe dy trafikantët që kishin marrë përsipër t’i dërgonin ata në Greqi. Emigrantët e paligjshëm janë gjendur në karrocerinë e një kamioni me targa greke të stivuar si mall. Sipas raporteve të Policisë së Kosturit, kamioni rezultoi i vjedhur disa ditë më parë në kryeqytetin grek Athinë. Dy trafikantët shqiptarë, për të cilët nuk jepen të dhëna të identitetit të tyre, ishin të moshës përkatësisht 21 dhe 26 vjeç. Njëri prej tyre ishte shoferi i kamionit kurse tjetri rrinte përpara kamionit me një makinë të vogël, për ta lajmëruar në se kishte kontrolle policore në rrugë. Emigrantët shqiptarë të pyetur nga policia kanë sqaruar se kishin paguar nga 800 euro për secilin, tek dy trafikantët për t’i çuar drejt Selanikut dhe Athinës.
5 Tetor 2008