Shtyhet projekti për kryerjen e Mamografisë për 1 muaj e gjysmë
Emanuela Sako
Shtyhet afati për ekzaminimet e kancerit të gjirit për 1 muaj e gjysmë me anë të aparaturës së Mamografisë. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me palën italiane të projektit “Interreg 3”, ka bërë furnizimin me filma të 4 qendrave spitalore ku është vendosur Mamografia. Mjeku Radiolog në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3, Aurel Kopeci, shprehet për gazetën “Albania” se pak ditë më parë është bërë furnizimi me 6 mijë filma që nevojiten për kryerjen e ekzaminimeve, të cilat janë shpërndarë në të 4 spitale rajonale ku ndodhet aparatura e Mamografisë. Sipas specialistit Kopeci, çdo vizitë e kryer kërkon katwr filma për aparaturën dhe në këtë shifër që është dhënë nga Ministria e Shëndetësisë përmblidhen të gjitha vizitat që do të kryhen në bazë të projektit. Ministria e Shëndetësisë nuk ka gjetur ende një zgjidhje përfundimtare për kryerjen e vizitave, nëse projekti do të vazhdojë të shtyhet me muaj apo nëse do të vendoset që përfundimisht të kryhet me pagesë.
Pagesa
Një vizitë e Mamografisë në Spitalin Onkologjik në QSUT kushton 1800 lekë, ndërsa gratë kanë preferuar që të kryejnë vizita falas në Poliklinikën e specialiteteve NR.3, ku ndodhet aparatura e Mamografisë. Por, nëse projekti do të kishte afat të fundit 1 muaj e gjysmë të gjitha pacientet do të detyroheshin që të kishin të njëjtën tarifë me spitalet e tjera. Mjeku Kopeci sqaroi se në këtë qendër janë kryer rreth 5 500 ekzaminime gjatë kësaj faze, nga ku janë evidentuar rreth 130-140 raste me kancer, të cilat janë kapur në fazat fillestare. Mjekët kërkojnë të sensibilizojnë të gjitha gratë për kryerjen e vizitave të herëpashershme me këshillën e specialistëve, pasi në të kundërt neglizhenca mund të jetë fatale për jetën e tyre. Mamografia duhet të kryhet tek të gjitha gratë që janë në moshën 40 deri në 70 vjeç. Ndërsa për femrat mbi moshën 25 vjeç deri në 35-40 duhet të kryejnë EKO, por nuk përjashtohet edhe vizita me anë të Mamografisë.
Çështja
Çështja e përfundimit të projektit për kryerjen e ekzaminimeve të kancerit të gjirit, u bë shkak që Ministria e Shëndetësisë të kërkojë shtyrjen e afatit për kryerjen e vizitave falas në bazë të projektit. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, pak kohë më parë, sqaroi se për parandalimin e kësaj sëmundjeje te femrat janë bërë projekte që kanë rezultuar të sakta dhe që kanë shpëtuar jetën e shumë grave. Ekzaminimet e gjirit po kryhen falas, falë programit “INTERREG III”, i financuar nga Komuniteti Europian, përmes rajonit të Pulias (Itali) për Shqipërinë, që tani është në përfundim. Mamografia ndodhet në 4 spitalet të vendit, si në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë. Sipas të dhënave janë në të gjithë vendin janë kryer rreth 13.500 vizita, nga të cilat 250 raste janë kapur në fazat fillestare të sëmundjes. Kapja në fazat fillestare mundëson kurimin e sëmundjes dhe më shumë mundësi jetese.
5 Tetor 2008