Çamët, Idrizi i PS-së formon parti të re me deputetin e PDI-së
TIRANË - Dy deputetë, Shpëtim Idrizi që deri dje ishte në Partinë Socialiste bashkë me të vetmin deputetit të PDI-së, Dashamir Tahiri kanë formuar një parti të re që quhet 'Për drejtësi për Unitet' (PDU).
Formacionin më të ri politik e lancoi sot, Shpëtim Idrizi, që është edhe kryetar i kësaj partie. "Kemi vendosur krijimin dhe shpalljen e një partie të re, me anë të së cilës do të ngjallim shpresat te të gjithë ata që do të ndjekin rrugën tonë", tha mes të tjerash Idrizi.
Sipas tij, PDU nuk është një parti si gjithë të tjerat, por ajo ka si pikë kryesore zgjidhjen e çështjes çame.
"Zgjidhja e çështjes çame është mjaft e rëndësishme, pasi është më e madhja e pazgjidhur ende nga autoritetet dhe qeveritë e deritanishme të tranzicionit", tha mes të tjerash gjatë prezantimit të partisë së re, drejtuesi i saj, deputeti Shpëtim Idrizi.
"Ne do të bëjmë shumë për unitetin kombëtar dhe kemi krijuar bindjen tonë se përse asnjë nga partitë nuk e ka zgjidhur deri tani çështjen çame", tha më pas ai.
Duke shtuar më pas se programi i partisë "Për Drejtësi për Unitet", PDU, paraqet si pjesë të rëndësishme të programit të saj edhe çështjen e emigracionit, të cilën e ka quajtur me natyrë kombëtare. "Duhet ta promovojmë çështjen çame dhe genocidin e mbetur pa fajtor ndaj popullatës çame", përfundoi fjalën e tij Idrizi, duke theksuar se për këtë do të bashkëpunohet me Greqinë, në kuadrin e parimeve të fqinjësisë së mirë.
Në krah të tij ka qenë edhe deputeti i partisë së çamëve, Dashamir Tahiri, i cili deklaroi largimin nga PDI dhe bashkimin me partinë më të re PDU. Dashamir Tahiri ishte deputeti i parë nga radhët e Çameve që fitoi pas 4 vjetësh themelimi të partisë, një vend në parlament. Marrëdhëniet e tij, jo të mira me kryetarin e PDI-së, Tahir Muhedini u panë që pas mbarimit të zgjedhjeve.