E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Opozita të kthehet në Parlament

30/09/2009  Qëndrimi i OSBE-së

Kreu i OSBE-së në Tiranë, ambasadorit Robert Bosch, i ka bërë thirrje Partisë Socialiste që të rikthehet në Parlament. Pas takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta, Bosch theksoi se Parlamenti është vendi i duhur për bashkëpunim politik, ku qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë mbi rekomandimet e OSBE–ODIHR-it për zgjedhjet. Ai nuk ka përdorur aspak një gjuhë diplomatike për të shprehur qëndrimin e tij ndaj bojkotit të Parlamentit nga ana e opozitës. Sipas tij, opozita duhet të jetë pjesë e Parlamentit, sepse për të zbatuar rekomandimet e raportit të ODIHR-it ajo duhet të jetë pjesë e tij. “Ne jemi gati për të mbështetur Shqipërinë, në rast se kërkohet për të ndihmuar qeverinë dhe opozitën brenda Parlamentit, për të zbatuar realisht rekomandimet e raportit të ODIHR-it. Për ta bërë këtë, opozita është realisht e nevojshme dhe sigurisht kjo bëhet vetëm në Parlament”, - deklaroi i prerë ambasadori Robert Bosch. Kreu i prezencës së OSBE-së në qëndrimin e tij të prerë dhe pa kurrfarë mëdyshje u ka dhënë përgjigje edhe pretendimeve të opozitës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve, të cilat sollën mazhorancën aktuale, është i certifikuar dhe të rregullta. Kështu, në përgjigje të interesimit të medies se opozita kërkon rinumërimin e votave në zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe nëse kjo është një kërkesë ligjore nga ana e opozitës, kur ajo e quan këtë edhe një kusht për pjesëmarrje në parlament ambasadori Bosch u përgjigj se zgjedhjet morën vulën finale, pasi u përdorën të gjitha mjetet ligjore. “Nuk jam këtu si jurist ose si përfaqësues i Gjykatës Kushtetuese, por me sa e gjykoj unë të gjitha mjetet ligjore janë përdorur dhe rezultatet e 1 gushtit janë në rregull”, - deklaroi kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›