Çarja e shekullit që nuk ka përfunduar
Në Kosovë, Qeveria nuk synon fare zvogëlimin e papunësisë por rritjen e rrogave për ata që janë të punësuar sa për të zbutur efektin e inflacionit ku kontribuon edhe vetë kjo rritje
Kursim e shkurtim apo stimulim e investim? Hayek apo Keynes? Kjo është e njëjta pyetje. Që prej krizës globale financiare të shtatorit 2008, përleshja e këtyre dy titanëve është kthyer në arenën botërore të makroekonomisë.
Për John Maynard Keynes-in thuhet ta ketë lexuar secilin autor të rëndësishëm të ekonomisë. Sot, ai është një autor që smund ta anashkalojë asnjë ekonomist. Bashkë me Friedrich von Hayek-un paraqesin dy makroekonomistët kryesorë të shekullit XX. Idetë e tyre dominuan në mënyrë sukcesive përgjatë qindvjeçarit që e lamë pas. Para Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos menjëherë pas përfundimit të saj, Teoria e Përgjithshme e Punësimit, Interesit dhe Parasë përbënte lektyrën e detyrueshme shkollore të aq shumë qeverive të shteteve perëndimore.
John Maynard Keynes dhe Presidenti i ShBA-ve, Franklin Delano Roosevelt, e kanë njohur dhe ndikuar shumë njëri-tjetrin (në veçanti i pari të dytin). Roosevelt jorastësisht pat thënë në mes të Depresionit të Madh që e vetmja gjë që duhet ti frikësohemi është frika. Pa John Maynard Keynes-in nuk do ta kishim New Deal-in e famshëm të Presidentit Roosevelt dhe sigurisht, për pasojë, as famën e këtij të fundit.
Premisa e Keynes-it ishte që të mbahet nën kontroll niveli agregativ i kërkesës me punësim të plotë dhe mundësisht pa inflacion. Qeveria duhet të kujdeset që kërkesa agregative të jetë aty në mënyrë që të vijmë te punësimi i plotë. Kujdesu për papunësinë dhe buxheti do të kujdeset për veten e tij, thoshte Keynes. Paralelisht me këtë, shpërndarja më e barabartë e pasurisë e ndihmon rritjen e kërkesës agregative. Më shumë para në më pak duar, paraqesin rrezik më të madh. Shpërndarja më e barabartë e rrit stabilitetin dhe sigurinë si dhe e mban në një pikë më të lartë kërkesën agregative.
Po ashtu, investimi e cyt kërkesën efektive e cila paraqet motorin e ekonomisë dhe mu këtu vie në shprehje roli i shtetit: sigurimi që do të ketë investime sepse tregun e paralizon frika drejt panikut apo plogështia. Te asnjë individ smund të llogarisim sikurse te shteti, apo jo? Secili individ mund të veprojë arsyeshëm por kolektivisht mund të humbim nga kjo.
Kursimet e secilit nuk e rrisin kursimin e të gjithëve sepse e reduktojnë kërkesën në tërësi dhe i zvogëlojnë edhe vetë kursimet mandej, përkatësisht vlerën e tyre.
Pra, nëse secili ka sukses, atëherë të gjithë do të dështojmë dhe pastaj edhe suksesi i secilit do të bie. Çka është e vërtetë për pjesët nuk është e vërtetë për tërësinë. Virtyti privat bëhet vesi publik. Nuk mund ta kuptosh dhe as ndërtosh makroekonominë përmes analizave mikroekonomike induksioni sna ndihmon.
Kur ekonomia është e nxehtë kursimi është i mirë sepse kërkesën e tepërt e zvogëlon, mirëpo jo edhe kur ekonomia ka marrë teposhtën. Pra, kur ekonomia bie nuk duhet të kursejmë më shumë, por të shpenzojmë më shumë. Çdo kursim ia zvogëlon rrogën dikujt tjetër. Kursimi duhet të ndodh kur kemi tepër, jo kur nuk kemi. Në periudhën e boom-eve janë të mira kursimet dhe rritja e tatimeve, jo në kohën kur ato shpërthejnë.
Lord Skidelsky është në mesin e profesorëve që e ka ringjallur fuqishëm Keynes-in në debatet e viteve të fundit. Rëndësia e ideve në ekonomi, thotë ai, nuk është më pak e rëndësishme sesa interesat e fuqive të mëdha. Mirëpo, nëse shohim historinë atëherë këto dy gjëra shpesh qëndrojnë të lidhura: fuqitë e mëdha dhe idetë dominuese të epokës.
Sipas Keynes-it, ne, thjesht, nuk e dimë të ardhmen prandaj tregjet financiare mund të bien përtokë. Nënvlerësimi i rrezikut bëhet kontribut në rëniet që pasojnë. Ne nuk e dimë çmimin e rrezikut. Përndryshe bankat sdo të kolapsonin. Aksioni dhe vendimi na shtyjnë të sillemi thuajse kemi kalkulim të mirë të rrezikut i cili besohet se njihet. Kështu, ardhmëria shihet si vazhdim i së tashmes. Gabimisht mendohet që mbasi njerëzit besojnë ata duhet të kenë të drejtë.
E vërteta subjektive subjektivisht objetivizohet ndonëse asnjëherë sështë atje objektivisht. Për më shumë se kaq, jo rreziku por paparashikueshmëria është problemi, paparashikueshmëria radikale. E ardhmja deri diku dihet, por jo edhe më tutje se aq. Disa ngjarje kanë gjasa dhe mund të maten e modelohen rreziqet që njihen konsistojnë në këtë pikë. Mirëpo, ka edhe rreziqe që nuk njihen. Pra, kemi dallimin midis asaj që është e gjasshme dhe asaj që është e pasigurtë. Ajo që është e gjasshme mund të vlerësohet. Në Wall Street, në vjeshtën e 2008-s kishim aso që e dinin që nuk dinë dhe aso që nuk e dinin që nuk dinë. Prej këtij sojit të dytë, që qartazi sishin Keynesianë, erdhën pjesa më e madhe e problemeve.
Kur tregjet pësojnë shok, ato nuk vetëkorrigjohen shpejt, por rrudhen, sepse njerëzit nuk shpenzojnë, por kursejnë. Kur bien shpenzimet private të njerëzve, qeveria duhet të injektojë shpenzim shtesë në ekonomi për rigjenerimin e rritjes ekonomike. Stimulet qeveritare u zbuluan prej Keynes-it. Në vitin 1929 qeveritë i kanë balancuar buxhetet duke besuar që kjo do ta kthejë besimin. Mirëpo, ky ishte një besim i gabuar. Pasuan 12 tkurrje radhazi. Recesioni e depresioni nuk ishin dështim i karakterit të njerëzve ose kompetencës së tyre, por dështim i idesë së caktuar. Edhe në shtator të vitit 2008 kishim veçse dështimin e aftësisë së presupozuar vetëkorrigjuese të forcave të tregut.
Në anën tjetër, Friedrich von Hayek ka besuar që kreditimi i tepërt shpie në tejinvestim dhe sjell krizën. Boomi është iluzion, humnera është realitet. Aty duhet pritur deri sa të likuidohen kreditë e këqija, të përzhiten ato. Hayek insistonte që duhet ta ndalim boom-in në mënyrë që ta ndalim shpërthimin. Nëse çereku i tretë i shekullit XX ishte Keynesian, çereku i katërt patjetër që ishte Hayekian.
Përderisa Keynes kishte hall investimet e pamjaftueshme, Hayek brengosej për llojin e keq të tyre. Pra, Keynes përqendrohej te ajo që sishte ende, ndërsa Hayek te karakteri i asaj që tashmë ishte. Për dallim nga Keynes që kërkonte që Qeveria të mos ishte dorështrënguar për stimulimet, Hayek shqetësohej se mos kredidhënësit do të ishin dorëlirë për ndërmarrësit tejambiciozë. Borxhet e tepërta dhe investimet e pakta për të dytë qëndrojnë në marrëdhënie kauzale por me kahje të kundërt. Ata kanë zgjidhje të ndryshme sepse i shohin ndryshe gjërat.
Hayek besonte te urtësia sublime e tregut që shpërndan pafund informacione, ndërsa kolegu i tij vjenez, Joseph Schumpeter, thoshte që kapitalizmi duhet të lejohet që ta ripërtrijë vetveten në kuadër të asaj që ai e quante shkatërrim kreativ (një term ky i huazuar prej ekonomisë politike të Marx-it). Kur tregjet bien, nxënësit e Hayekut me në krye Milton Friedman-in, thonë se ka pasur konfuzion ose iracionalitet tek njerëzit. Ata nuk e fajësojnë tregun, por njerëzit. (Në fakt, mund të thuhet se njerëzit e kanë fajin: ata njerëz që besuan në tërë këtë përrallë të mveshur me petku
