E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në krizë është gazetaria, jo shtypi!

Share

Nga Mero Baze

Nuk dua të futem në debatin për lirinë e shtypit në Shqipëri, aq me tepër që ky debat bëhet pis nga vetë mjedisi që e provokon si debat. Nuk jam i shqetësuar për gazetat që mbijetojnë duke u sponsorizuar ca me kamiona kromi pa faturë e ca me reklama të tepërta me faturë. Nuk jam i shqetësuar as nga pabarazia tashmë barbare e klanit qeveritar të medies, që zapton një Kinostudio të tërë përballë rivalëve të tyre superiorë, të cilëve u rrinë fadromat para redaksisë në pritje për të shembur redaksinë e lajmeve tek Piramida. Përsëritja e vazhdueshme e faktit që media në këtë vend u nxor nga tregu dhe u përdhunua si një prostitutë që do të mbijetojë, është një shëmti që do zgjasë edhe nëse qeveritë ndërrohen sërish.

Ajo që më shqetëson më së shumti këtë 3 Maj është se si të ngjallim shpresën që pushteti ynë, pushteti i medies, do të ringrihet në këmbë nga gazetaria dhe jo nga infrastruktura e shtypit. E vërteta është se në trupin e vdekur të shtypit të lirë nuk po mbijeton dot gazetaria. Nuk po them që nga rreth 2 mijë vetë që paguhen në shtypin shqiptar, gjysma të bënin gazetari. Po kërkoj shumë pak, dhjetë apo 20 prej tyre nga gjithë kjo armatë punonjësish të shtypit. Po kërkoj ndonjë reporter, që kur të shkruajë në gazetën apo revistën e tij, kur të dalë në emisionin e lajmeve apo në blogun e tij, unë ta lexoj apo të dëgjoj me kureshtje se çfarë do të raportojë. Nuk ka rëndësi ku e ka çuar vala e lumit, në cilën gazetë apo televizion. Mjafton që të më bindë ta lexoj për çfarë po raporton. Po kërkoj dikë që mendon kur shkruan dhe e di çfarë po të thotë.

Cektësia me të cilën gazetarët shqiptarë raportojnë lajmet, është arritja më e madhe kundër lirisë së shtypit në këtë vend, që ndonjë regjim ka arritur ndonjëherë. Është ndoshta e vetmja medie në botë, që nuk raporton më ngjarje apo zhvillime, por raporton deklarata dhe pasqyron ditën e punës së politikanëve apo aktorëve të tjerë publikë. Një qytetar shqiptar që do të mësojë fjala vjen cili është roli i djalit të Sali Berishës apo Familjes së tij në sabotimin e linjave të interkonjeksionit me Kosovën, nuk kupton dot asgjë pasi nuk gjen dot në median shqiptare asnjë raport të plotë që ta pasqyronte problemin në thellësi, ta raportonte si zhvillim dhe të vendoste personazhet në vendin e duhur. Gjeje ose një lajm që Shkëlzen Berisha thoshte nuk është e vërtetë, ose deklarata qe e akuzonin, ose një lajm që duhet të fitojë çmimi më i ulët, ose një lajm që e do fitojë oferta më e mirë se kështu e ka ligji, por nuk gjeje asnjë lajm që të sqaronte çështë kjo histori, nga lindi dhe ku po shkon.

Bashkë me reporterët që thuajse lindën të vdekur në këtë vend, po vdesin dhe gazetarët autoritarë, pasi media po relativizon atë që në shtypin perëndimor quhet opinion ose editorial, me broçkulla grafomanësh që vijnë nga politika apo rruga dhe që relativizojnë autoritetin e fjalës së shkruar apo të thënë me mediokritetin e tyre. Shikoni debatet televizive sa jo- produktive janë për arsyen e vetme se njerëzit që ftohen aty nuk përfaqësojnë kurrë palët reale në Shqipëri. Biles dhe kur ata shkojnë në emër të partive, nuk përfaqësojnë as identitetin e një pale, por përjashtimet brenda saj. Shikoni sa shpesh del në medie fjala vjen Mesila Doda, Edi Paloka, Fatbardh Kadilli apo Frrok Çupi. Ata nuk janë PD-ja. PD-ja është një parti e madhe që ka problemet e veta, por ajo kurrsesi nuk përfaqësohet nga cektësia dhe banaliteti i personave që janë caktuar të ushqejnë publikun në emër të saj. Kjo detyron po ashtu palën tjetër të çojë aty një profil të ulët, detyron moderatorët të marrin të ashtuquajtur opinionistë me honorare që kanë detyrë vetëm të mbushin orarin e studios me fjalë dhe në fund të arrihet qëllimi final i dështimit të një debati, të mos ballafaqohemi me problemin dhe zgjidhjen e tij.

E njëjta gjë ndodh dhe ne gazeta. Përveç katër- pesë gazetarëve me autoritet, për të cilët mund të ndalësh e të blesh gazetën, ata që futen në kolonën e komentatorëve janë ose propagandistë politikë ose profile të ulëta grafomanësh që shërbejnë për të krijuar zhurmë dhe paqartësi rreth problemeve me të cilat ndeshemi. Kjo e ka bërë gazetarinë shqiptare një specie në zhdukje në një pyll të madh dhe të harlisur mediatik, që është mbjellë dhe rritet nga pushteti pikërisht që aty të mos mbijetojnë gazetarët. E ardhmja e gazetarisë shqiptare është gazetaria, ashtu si e ardhmja e shtetit ligjor në Shqipëri do të jenë institucionet dhe jo ndërtesat apo rrugët. Nuk na hyjnë shumë në punë dhe nuk jemi në garë me ata që po bëjnë ndërtesat luksoze, që po marrin rroga të larta apo që harxhojnë miliona për kamera dhe studio. Sot me një iPad në dorë mund të bësh blogun më të lexuar dhe me një Skype mund të bësh emisionin më të shikuar si gazetar.

Dëgjoja dje në tryezën e opozitës debatin nëse ka shtyp të lirë apo jo në Shqipëri, nëse gënjen apo jo Freedom House, nëse i paguan rrogat dhe siguracionet Irfani, Koçoja apo Sandri që janë simbol pronarësh. Ky është pikërisht debati që pushteti kërkon të bëhet për shtypin. Pasi e ka hequr atë nga tregu, pasi ka ndërtuar një sërë rregullash ku të mos konkurrohet, por të sponsorizohen, pasi ka degraduar standardin profesional dhe ka vrarë shpirtin e gazetarisë në vend, po i jep dhe dorën e fundit, po ngjall debat nëse shtypi është i lirë të zgjedhë të jetë i lumtur duke qenë luajal me pushtetin dhe duke mos i krijuara atij probleme, apo të keqkatandiset duke mos pasur rroga për disa muaj.

Dëgjova liderin e opozitës që premtoi një platformë për të ardhmen e shtypit nën qeverinë e tij. Edi Rama, i cili ende shkruan më mirë se shumë më të mirët e shtypit në Shqipëri, premtoi Aktin e Lirisë, ose ligjin e shtypit që na duhet aq shumë, transparencë në informacionin publik dhe barazi në reklama. Është një ëndërr e bukur, por nuk na hyn e gjitha në punë. Na hyn në punë dhe më pak. Lëreni shtypin të mbijetojë vetë. Lëreni të vdesë vetë e të ringrihet vetë. Lëreni të vdesë nga biznesmenët dhe të ringrihet nga gazetarët si pushtet më vete. Lëreni të lindin gazetarë në këtë vend, se ngado që kthej kokën më shfaqen njerëz që duan të dinë si bëhet para dhe karrierë me shtypin. Kur ky mekanizëm të rregullohet, atëherë respektojeni shtypin si pushtet më vete. Gazeta Tema Online është sot gazeta më e lexuar në Shqipëri, e verifikueshme lehtë nga statistikat online, por është gazeta me thuajse asnjë reklamë dhe një redaksi simbolike, me gjyqe të përjavshme me biznesmenë, gjyqtarë e qeveritarë, për të cilat nuk duam asnjë ndihmë. Kërkojmë vetëm një nder. Ata që rrahin gjoksin se janë milionerë dhe kanë TV e gazeta pa fund, të mos e përdorin pushtetin politik dhe atë financiar për të na mbytur ne që skemi asgjë. Të mos na marrin dhe shtëpinë ku banojmë dhe redaksinë ku punojmë dhe të mos na detyrojmë të shesim dhe kompjuterin. Nuk dua ti pengoj të bëjnë gazeta apo televizione pa fund. Le ti bëjnë se rishpërndajnë paret e vjedhura. Nuk kam asnjë shqetësim nga dëshira e tyre për të dalë në fotografi me Sali Berishën apo Edi Ramën dhe për të trembur policët në rrugë. Nuk i trembem shtypit pasi nuk konkurroj dot me ata që ndërtojnë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›