E Diel, 1 Nëntor 2026

Një 13-vjeçare me pistoletë në klasë, plagos moshataren

Plas pistoleta në mes të shkollës, plagoset rëndë një 13- vjeçare. Një ngjarje e paimagjinueshme ka ndodhur dje në mëngjes në shkollën e fshatit Zhupan të Fierit. Dy nxënëse të klasës së shtatë janë grindur dhe njëra prej tyre ka nxjerrë nga çanta një pistoletë TT dhe e ka shkrepur duke plagosur tjetrën në këmbë. Policia ka arrestuar pas një ore babanë e vajzës, duke e akuzuar për armëmbajtje pa leje, ndërsa vetë autorja e krimit është lënë e lirë, për shkak të moshës.

Ngjarja

Ka qenë ora 09:30 minuta, kur dy nxënëse të klasës së shtatë kanë nisur të debatojnë me njëra-tjetrën. Nuk kishte përfunduar ende ora e dytë e mësimit, por mësuesja ishte larguar përpara se të binte zilja, siç ndodh rëndom në shkollat e fshatrave. Sipas nxënësve të klasës ku ndodhi ngjarja, mësohet se nxënësja E. Hoxhaj ka nxjerrë nga çanta e librave një pistoletë dhe ka shtënë mbi nxënësen Albana B., e cila ka rënë pa ndjenja. Agresorja është larguar menjëherë me vrap. Drejtori i shkollës, Festim Metaj, si dhe mësuesja kujdestare, Drenila Fani, kanë transportuar 13-vjeçaren Albana B. drejt spitalit të qytetit të Fierit me një automjet të rastit. Pas mbërritjes në urgjencë, vajza e plagosur ka hyrë në sallën e operacionit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, e cila ka zgjatur afro dy orë. Pas portës së sallës së operacionit, prindërit e vogëlushes, të afërm dhe shumë banorë të fshatit Zhupan kanë pritur të shqetësuar një përgjigje nga mjekët, të cilët thanë fillimisht se vajza ishte jashtë rrezikut për jetën, por rrezikon të humbasë këmbën, pasi plumbi i ka përshkuar kockën.

Policia

Policia e Fierit ka mbërritur me vonesë në vendin e ngjarjes. Pas marrjes së dëshmive paraprake të nxënësve të shkollës, të klasës ku ndodhi ngjarja dhe të stafit pedagogjik, policia ka nisur kërkimet për autoren e plagosjes me armë. Ajo është ndaluar prej policisë rreth një orë pas ngjarjes, në shtëpinë e gjyshes së saj, ndërsa kishte me vete edhe armën, një pistoletë tip TT.

Burimet zyrtare policore tregojnë se ndaj nxënëses E. Hoxhaj nuk do të ketë masë për shkak të moshës, ndërkohë që burimet zyrtare policore thonë se ka nisur procedimin penal për "armëmbajtje pa leje" për babanë e minorenes, Hamza Hoxhaj. Ndërkohë, procedimi penal në gjendje të lirë ka nisur edhe për mësuesen kujdestare të dy vajzave të përfshira në konfliktin me armë.

Reagimi

Në shkollën 9-vjeçare të Zhupanit ka shkuar dje një ekip i Drejtorisë Rajonale Arsimore (DRA) Fier, në përbërje të të cilit ka qenë edhe një psikologe. Mësohet se të dërguarit nga DRA-ja kanë komunikuar me nxënësit dhe mësuesit, me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe daljes nga tensioni që ishin përfshirë. Ndërkohë që kreu i drejtorisë arsimore, Tahir Kastrati, dhe shefi i burimeve njerëzore Ilir Lugaj kanë qëndruar në mjediset e spitalit për t‘u interesuar për shëndetin e vajzës së plagosur. Kreu i drejtorisë arsimore në Fier, Tahir Kastrati, tha dje për gazetën "Shqip": "Është e dënueshme prania e armëve në mjediset e shkollave, por edhe në mjedise të tjera kur bëhet fjalë për fëmijë. Me aq sa jemi vënë në dijeni, konfirmojmë se E. Hoxhaj është nxënëse me rezultate të larta në mësime. Ajo është në këndin e krenarisë së shkollës. Armën e ka pasur me vete për ta fshehur nga i ati. Nëna i kishte kërkuar ta hiqte armën nga shtëpia, pasi babai e kishte kërcënuar disa herë. Pikërisht për këtë arsye arma është marrë nga 13-vjeçarja dhe është fshehur në çantën e saj të shkollës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›