E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çavez, thjesht si kujtesë për vdekatarët

Arben Rrozhani- Hugo Çavez nuk është më. Ishte një ikje e paralajmëruar, sepse Ai lart e di dhe vendos ciklin vital për cilindo të vdekshëm në këtë botë, ku jemi thjesht kalimtarë e ku mundemi ose jo të lëmë ndonjë gjurmë, emër, apo imazh të mirë. Kur Nancy Iriarte Díaz, ish-gruaja e parë e Çavez, botoi me pseudonim letrën e hapur “Disa konsiderata për vdekjen tënde”, në “El Universal”, një nga gazetat më të mëdha të Venezuelës, në tetor 2011, bota u trondit. Ishte nekrologji, epitaf që në gjallje, një çjerrje maske për njeriun më të fuqishëm të së majtës ekstreme në Amerikën Latine. Duke mos u nisur nga urrejtja e gruas së tradhtuar dhe të nëpërkëmbur, por me fatin e çdo qenieje njerëzore, e cila nuk mund të negociojë për ciklin vital, atë çka është paravendosur dhe do të ndodhë, edhe kur ai është vetëshpallur i plotfuqishmi në tokë. Fatalitet? Jo realitet, të paktën për rastin Çavez. Dhe jo vetëm. Udhëheqësi 58-vjeçar i Venezuelës mund të krenohej me qeverisjen e tij që nisi rrugën autoritariste prej vitit 1999, për mandatin e dytë më 2006, për të tretin në tetor të 2012. Mund të krenohej për shtetëzimet, për idenë e ringjalljes së Bolivarizmit, për vetëshpalljen një Robin Hood modern, që u rrëmben miliardat të pasurve dhe ua shpërndan të varfërve, për boom-in ekonomik, duke shfrytëzuar qenien e Venezuelës në vendin e katërt të eksportuesve të naftës në botë. Deri këtu... Lideri i madh, ky bolivarist, majtist dhe mik për kokë me diktatorët që ikën para tij, ose janë rrugës, si të gjithë e shtroi qilimin e kuq të paradës madhështore mbi kockat, vuajtjet, përbaltjen çnjerëzore që iu bë kundërshtarëve politikë, vetëm pse kishin mendime të tjera nga ai. Troç siç e thotë Nancy Iriarte Díaz, në letrën e hapur botuar 18 muaj më parë, kur i “pavdekshmi” Çavez i zgërdhihej vdekjes: “Nuk dua që të ikësh nga kjo botë pa të dhënë lamtumirën, sepse një numri të madh njerëzish u ke bërë një të keqe të pamasë, ke shkatërruar kushedi sa familje, ke detyruar turma të tëra bashkëpatriotësh të braktisin atdheun, ke zhytur në zi një numër të pallogaritshëm vatrash, ata që ti i quaje armiqtë e tu i përndoqe pa mëshirë, i mbylle nëpër qeli që nuk i meritojnë as shtazët, i poshtërove e i talle, jo vetëm se të dukej vetja tepër i fuqishëm, por edhe i pavdekshëm…Por edhe për të kujtuar se fundi nuk ishte me ty”. Kthehemi te udhëheqësit tanë. Nuk kemi patur shumë, por i kemi patur shumë gjatë, me rekorde që bolivaristi venezuelian nuk arriti t’i përmbushë. Kur Enver Hoxha u shua në 9 prill 1985, la poshtë një popull pa din e pa iman, të sfilitur nga prona e falimentuar shtetërore, një popull të ndarë mes armiqve dhe “tanëve”, një popull të zhveshur nga çdo e mirë materiale, qoftë edhe për nevojat më njerëzore që Europa i kishte kaluar që në vitet e para pas Luftës së dytë Botërore. Kur Sali Berisha erdhi si “Mesia” i shqiptarëve pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, më e pakta ishte të ëndërroje. Zyrtarisht do të hanim me lugë floriri. Realisht mbi 1 milion shqiptarë provuan rrugën e kurbetit, duke lënë kockat maleve, si në Gramoz, apo në detin Adriatik dhe Jon. Kur luga e floririt u konvertua me një thes të “florinjtë” ku u futën 1.2 miliardë dollarë kursime të shqiptarëve në firmat piramidale dhe ish-presidenti u largua nga pushteti me revoltën popullore, u mendua se me kaq do të mbaronte cikli drejtues i një udhëheqësi autoritar, që kishte lënë pas një vend të shkatërruar, ekonomi të falimentuar, një bilanc të përgjakshëm me 4 mijë të vrarë, popull të traumatizuar që duhej ta riniste gjithçka nga e para si në vitin 1991. Për të riardhur sërish në shtator 2005, në krye jo vetëm të Ekzekutivit, prej nga nuk ka ikur ende. Të lodhurit duke bërë opozitë, apo zemërzinjtë, prej gati tetë vitesh kanë pritur një “vetëtimë” nga lart që godiste këtë lider të djathtë që vjen i brumosur nga e majta enveriste, të cilës i shërbeu gjatë, të paktën me kartë anëtarësie prej vitit 1968. Më shpirtbutët kanë pritur një mrekulli nga qielli, që ta godasë në tru dhe të mos thotë nëpër tribuna: “këtu do më keni deri në 2035”, apo më e pakta edhe në mandatin e tretë, siç po na thotë nëpër takimet e fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Si shumë gazetarë te tjerë, e kam parë se çfarë do të thotë një moment delikat në ciklin vital të Sali Berishës. Ishim pak metra larg tij atë mbrëmje të 12 dhjetorit 2011, në hollin ajër-ndenjur të Pallatit të Kongreseve, ku PD-ja festonte përvjetorin e themelimit. Pamë zverdhjen, meitjen, pauzën e frikshme, vështrimin e përhumbur të kryeministrit që shikonte asgjëkundin në të majtë, krahët e truprojave që mbajtën dhe e çuan pas banerit festiv, për ta shtrirë në tavolinat e gostisjes së “kohës së Enverit”, ku i dhanë ndihmën e shpejtë. Shikonim fytyrat pa gjak të oborrit qeveritar, fiks siç shkruante Nancy Iriarte Díaz për oborrin e Çavez, dy muaj para se të ndodhte kjo tronditje në ciklin vital të kryeministrit të Shqipërisë: “...Të gjithë ata që të rrethojnë, të shohin me shqetësim e inat, sepse asnjërit prej tyre, asnjëherë, nuk i dhe mundësinë për të të zëvendësuar, tani ata po i lë me duar bosh, ndërsa vendin tënd po e lë në prag të një lufte. Këtë paske synuar? Ky paska qenë vizioni yt në këtë jetë? I ke bërë keq llogaritë me të varfrit, sepse tani ka më shumë të varfër se ç’kishte kur erdhe në pushtet, e shkele rëndë drejtësinë dhe lirinë, kur praktikisht ia dorëzove vendin tënd një force të huaj, që tani do të duhet të dëbohet me forcë dhe me koston e shumë jetëve”. Fatmirësisht ajo që kaploi atë natë kryeministrin ishte thjesht një virozë, një debolesë që u kalua pa pasoja. Por shumëkush, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, ka uruar atë natë që kryeministrit t’i vijnë mendtë, të mendojë pak për ciklin vital, qoftë si mjek, apo si pacient dhe të bëjë një bilanc jetësor dhe qeverisës: Kur duhet ta ndalë këtu turravrapin në kapjen e çdo gjëje në vend, kur duhet të bëjë një kthim koke prapa dhe të numërojë ata qindra shqiptarë që u zhdukën pa nam dhe nishan në kohën kur ishte president, në kërkim të ekzistencës njerëzore, të cilën nuk ua ofroi qeveria që u kish premtuar lugën e floririt, ato 4000 të vrarë në ikjen e tij të përdhunshme në 1997, ato 26 viktima të pafajshme të biznesit qeveritar në Gërdec në 15 mars 2008, apo më së fundmi, ata 4 shqiptarë të pafajshëm që u ekzekutuan në 21 janar 2011 vetëm pse ishin opozitarë politikë me të? Dhe të vendosë t’i thotë “mjaft” kësaj ndërmarrjeje personale, që nuk është as Bolivarizëm, as Theçerizëm, as Reganizëm, as Socializëm, as Kapitalizëm, por thjesht një Berishizëm, një projekt që ka prodhuar 55 miliarderë dhe qindra mijëra në zgrip të mbijetesës, një grusht biznesmenësh që rrëmbejnë dhe ndajnë gjithçka nga pasuria publike, përkundër shumë të tjerëve që po detyrohen të falimentojnë pse nuk mendojnë si kryeqeveritari. Disa grumbuj vilash të ultraluksit përballë defterëve pa fund për bukën e përditshme. Nancy Iriarte Díaz i shkruante Çavezit: “Tani do të ngelesh në histori si një tradhtar dhe burracak, sepse nuk u korrigjove kur pate mundësi, por e le veten në dorë të fodullëkut tënd, të idealeve të tua të marra, të ideologjisë sate të dështuar dhe hoqe dorë nga gjërat më të çmuara, nga liria jote dhe nga liria e të tjerëve, harrove se vetëm liria bën njerëz”. Po ne çfarë duhet t’i shkruajmë Berishës? Si do të ngelet ai në histori? Çfarë idealesh dhe ideologjie po ndjek për atë që po na thotë ditë-natë “Shqipëria vend i zhvilluar” apo Shqipëria dixhitale? A u korrigjua kur pati mundësi? Ka hequr dorë nga liria e vet dhe ka privuar lirinë e të tjerëve? Dhe në fund fare kur e ka menduar, nëse e ka menduar, se në fund të fundit, si të gjithë, me këdo që të dojë të krahasohet, është thjesht një vdekatar, si gjithë të tjerët? 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›