çudia Kapelo, Uolkotjashtë Kupës së Botës
LONDER- Fabio Kapelo ka bërë përzgjedhjen përfundimtare të skuadrës që do të marrë pjesë në Botërorin e Afrikës së Jugut, duke shkurtuar listën nga 30 në 23 futbollistë. Nuk kanë munguar surprizat në vendimet e teknikut italian, ç’ka ka krijuar jo pak polemika në Angli. Kapelo ka lënë jashtë dy sulmuesit Teo Uolkot e Darren Bent, ndërkohë që ka konfirmuar besimin për Xho Kol, Shon Rajt-Filips dhe Emil Heski. Po ashtu, Stefën Uornok është përzgjedhur përpara Leiton Baines. Megjithatë, përjashtimi i talentit të Arsenalit Uolkot është ajo që ka shkaktuar habinë më të madhe në Angli, duke qenë se ai u mor edhe në Kupën e Botës në Gjermani nga ish-trajneri Sven Goran Erikson. Atëherë Uolkot nuk kishte bërë ende debutimin me skuadrën e parë të Arsenalit, por suedezi i besonte shumë talentit të tij. Gjatë sezonit eliminator të Botërorit 2010 ai tregoi se ishte mjaft i vlefshëm për Anglinë, duke shënuar madje një tripletë në ndeshjen e fituar 4-1 në Zagreb ndaj Kroacisë. Por, në vendimin e Kapelos duket se kanë ndikuar paraqitjet e Teo Uolkot në miqësoret e fundit. Italiani ka treguar edhe në të shkuarën se u jep shumë rëndësi të gjitha ndeshjeve, qofshin këto zyrtare apo miqësore. Ndaj Meksikës, Uolkot nuk ishte ai i zakonshmi, duke mos bërë as veprime që me Arsenalin i ka bërë me shumë lehtësi. Sipas Kapelos, gjendja e tij për momentin nuk është ajo për të marrë pjesë në turne kaq të rëndësishëm sa një Kupë Bote. Në “Uembli” mund të shihje qartë zhgënjimin në fytyrën e Uejn Runit, pasi Uolkot nuk i ofroi asnjë top të mirë nga krahu i djathtë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)