“Çdo hap drejt integrimit është shpresë më shumë për zgjidhjen e çështjes çame”
Çështja “Çame” në Kuvend - PDIU apelon për miratimin e një rezolute
Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet Shpëtim Idrizi në emër të Klubit të Patrioteve të rinj i ka dhuruar të gjithë deputetëve materiale mbi genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe ka kërkuar një angazhim më të gjerë për zgjidhjen e çështjes çame. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Shoqata Çamëria; Klubi i Patriotëve të rinj, kanë organizuar JAVËN E ÇAMËRISË me moton: “Unë e dua Çamërinë”.
Kreu i PDIU-së, Idrizi tha dje gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë se, “ka ardhur koha që të miratohet përfundimisht një Rezolutë mbi çështjen çame, e cila ta sanksionojë përfundimisht futjen e kësaj çështjeje në axhendën tonë kombëtare”.
“’Java e Çamërisë’ synon të ketë të gjithë karakteristikat e traditës më të mirë të një jave të përkujtesës së këtij ‘shoahu’ mbi çamët. Termin shoah nuk po e marr hua padrejtësisht, tha Idrizi, duke shtuar se, janë disa arsye ku mbështetet paralelja e genocidit mbi hebrenjtë dhe çamët në Greqi”.
“Mbi çamët u ekzekutua një plan i përgatitur për t’i asgjësuar tërësisht si komunitet nga dheu i të parëve të vet; vetëm e vetëm, sepse ata i përkisnin një komuniteti etnik, fetar dhe social të ndryshëm nga popullsia shumicë. Kështu ishte dhe shoahu i njohur botërisht mbi hebrenjtë, u shpreh Idrizi, duke shtuar se, njëlloj si mbi hebrenjtë ky genocid u ekzekutua nga forca, të cilat më parë kishin bashkëpunuar me nazistët, siç ishin bandat e drejtuara nga Napoleon Zerva”.
“Kombi shqiptar ka rezultuar në fund të Luftës së Dytë botërore, kombi më mikpritës i hebrenjve”, tha Idrizi.
“Ne po festojmë këtë vit 100 vjetorin e shtetit të ri shqiptar, dhe në këtë përvjetor duhet të tregojmë më shumë kurajë politike dhe njerëzore. Kuraja është cilësi e njerëzve të lirë, e shteteve të lira, tha Idrizi, duke shtuar se, si parti kombëtariste, PDIU-ja nuk i ngjan partive me sfond racist të vendit fqinj, të cilët jo thjesht imitojnë nazistët si paraardhësit e tyre të Luftës së Dytë, por kanë dhe programe çlirimi të Shqipërisë nga shqiptarët”.
“PDIU sheh me shpresë, fitoren e forcave europianiste në Greqinë fqinjë, ashtu siç sheh me dëshpërim ekzistencën e forcave antieuropë brenda parlamentit grek. Ndryshe nga këto forca, PDIU, nacionalizmi shqiptar është një patriotizëm pro Europës, pro BE-së. Çdo hap i kombit shqiptar drejt BE-së, është një hap drejt barazisë së kombeve në Ballkan. Çdo hap yni drejt integrimit është shpresë më shumë për zgjidhjen e çështjes çame, brenda dokumenteve ndërkombëtare dhe europiane, brenda institucioneve të së drejtës ndërkombëtare”, theksoi kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Ndaj, vijoi ai, “ne mendojmë se ka ardhur koha që të miratohet përfundimisht një Rezolutë mbi çështjen çame, e cila ta sanksionojë përfundimisht futjen e kësaj çështjeje në axhendën tonë kombëtare”.
“Ky parlament nuk është si parlamenti i 2004-ës, ku ndërgjegjja kombëtare mungonte me tepri. Apo kur anëtaret e Shoqatës Çamëria rriheshin e gjakoseshin ne dyert e parlamentit te shqiptareve. Në këtë parlament të gjithë deputetët vlejnë njëlloj dhe ne shqiptaret e Çamërisë ju konsiderojmë të gjithëve si burra e gra me dinjitet e patriot”, tha Idrizi.
“PDIU-ja do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që ta shtyjë parlamentin ta miratojë rezolutën, qoftë dhe duke i bërë thirrje vullnetit të qytetarëve shqiptarë anembanë kombit”, përfundoi kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Dashamir Tahiri, deputet i PDIU-së: “Rezoluta në parlament, hapi i parë i zgjedhjes së çështjes çame”/Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri ftoi sot ligjvënësit e parlamentit shqiptar, që të mbështesin rezolutën për çështjen Çame. Tahiri tha se shumë shpejt rezoluta do jetë në parlament dhe ndaj kërkoi vëmendjen e anëtarëve të Kuvendit. “Dje (pardje) ishte dita e 27 qershorit, ditë e njohur nga parlamenti i Shqipërisë si dita e Genocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë. Ky është hapi që ka bërë deri tani ky parlament për çështjen çame. Por ne nuk do ta lëmë deri këtu, pasi çështja çame na takon të gjithë shqiptarëve, teksa është pjesë e pandashme e çështjes kombëtare. Prandaj, ju ftoj që të kalojmë rezolutën që do të vij shumë shpejt në Kuvend”, u shpreh deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri.