E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çdo vend ka rregullin e vet për përdorimin e simboleve”

27/01/2012  Kufizimi i përdorimit të flamurit, Kryeministri pro parlamentit të Malit të Zi

Reagimi i Aleancës Kuqezi: Berisha s’kishte axhendë të qartë në Mal të Zi

Kryeministri Berisha ka përkrahur ligjin e miratuar pak ditë më parë nga parlamenti i Malit të Zi, i cili kufizon mënyrën e përdorimit të simboleve dhe flamurit në institucionet shtetërore. Ndonëse për këtë nen të posaçëm ka reaguar i gjithë spektri politik shqiptar dhe deputetët shqiptar në parlamentin e Malit të Zi, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi legjitime rregullimin me ligj të kësaj çështjeje nga çdo shtet. “Mendimi im miqësor është ky: në institucionet publike çdo vend rregullon me ligj përdorimin e simboleve. Edhe vendet më të lira në botë e kanë rregullin e tyre”, - tha kreu i qeverisë shqiptare. Ndërkohë preferencat e qytetarëve për flamuj dhe simbole për Berishën nuk duhet të ketë asnjë lloj preokupimi. “Individët janë individë, sektori publik është sektor publik. Në Shqipëri ju garantoj se, po të kaloni, një shtëpi e shikoni me një flamur, sepse djali punon në atë vend dhe ka nxjerrë fitimet që vjen dhe ndërton shtëpinë, ndërsa një shtëpi tjetër ka një flamur tjetër. Por në të gjitha rastet flamujt janë vetëm për të nderuar dhe ne duhet të nderojmë flamujt e njëri-tjetrit, sepse janë simbole të sakrificave të bëra për liri dhe dinjitet kombëtar në çdo vend”, - deklaroi shefi i qeverisë shqiptare pas takimit që zhvilloi me kreun e komunës së Ulqinit Nazif Cungu. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit Berisha u pyet edhe për pozitën e shqiptarëve në Malin e Zi. “Unë vlerësoj se marrëdhëniet ndëretnike në Mal të Zi kanë njohur zhvillime qartësisht pozitive dhe i kanë realizuar këto zhvillime në mënyrën më të qytetëruar”, - tha shefi i ekzekutivit shqiptar. Ndërsa kryekomunari Cungu, duke iu referuar zhvillime politike në Shqipëri, uroi që jubileu shekullor i shpalljes së pavarësisë të stoliset me përfitimin e statusit të kandidatit për në Bashkimit Europian.

Kuqezinjtë

Menjëherë pas deklaratës së kryeministrit në Mal të Zi ka ardhur reagimi i Aleancës Kuqezi, e cila është shprehur në një njoftim për shtyp se Kryeministri nuk ka pasur një axhendë të qartë në lidhje me vizitën e tij në Mal të Zi, si dhe nuk ka qenë informuar për ligjin e ri të parlamentit malazez, i cili dënon çdo individ që ngre flamurë që nuk janë të atij vendi. “Aleanca Kuqezi i tërheq vëmendjen kryeministrit të Shqipërisë që në vend që të merret me klithmat nacionaliste të shqiptarëve të vërtetë do të ishte më mirë që me të njëjtën vendosmëri gjatë vizitës së tij në Malin e Zi të kishte planifikuar një axhendë të qartë mbi ligjin e parlamentit e Malit të Zi, që ndalon dhe gjobit ata qytetarë të tij që përdorin, valvitin dhe ngrehin flamurin shqiptar. Është detyrim i kryeministrit shqiptar të mbrojë simbolin tonë kombëtar - flamurin kuqezi”, - thuhet në reagimin e Aleancës Kuqezi. Kjo aleancë i ka kujtuar dhe një herë kryeministrit se censusi është një deformim i realitetit, pasi shqiptarët nuk janë 2.8 milionë, siç është deklaruar në përfundim të tij.

Kryeministri me prokurorin e BE-së

Të hapur për hetim ndaj akuzave të Dik Martit

Kryeministri Berisha takoi dje kryeprokurorin e task-forcës speciale hetimore të BE-së, ambasadorin Klint Uilliamson, i cili drejton hetimet e EULEX-it në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dik Martit. Sipas një njoftimi për shtyp, Uilliamson e falënderoi Kryeministrin për pritjen në këtë vizitë të dytë të tij në Tiranë, e cila ka për qëllim vazhdimësinë e bashkëpunimit të vendosur gjatë vizitës së tij të mëparshme. “Uilliamson nënvizoi se në takimet e zhvilluara deri tani kishte konstatuar gatishmërinë e plotë për bashkëpunim të qeverisë shqiptare dhe e falënderoi Kryeministrin për këtë. Në takim bashkëbiseduesit diskutuan për nevojën e institucionalizimit të këtij bashkëpunimi. Kryeministri Berisha u shpreh plotësisht dakord me institucionalizimin e bashkëpunimit midis autoriteteve shqiptare dhe EULEX-it. Ai tregoi gatishmërinë e plotë që të nënshkruhet sa më shpejt një marrëveshje apo të adoptohet legjislacioni i nevojshëm për krijimin e një kornize ligjore të plotë e të qartë, e cila që do t’i sigurojë EULEX-it zbatimin e plotë të mandatit të tij në hetimin e gjithanshëm të pretendimeve të raportit të Dik Martit. Në përfundim të takimit u ra dakord që institucionet përkatëse të fillojnë menjëherë punën për hartimin e kësaj kornize ligjore”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Ndërkohë kryeprokurori i BE-së një takim të ngjashëm ka zhvilluar edhe me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, gjatë së cilës ka marrë garancinë se Shqipëria është e hapur për çdo lloj hetimi që ka të bëjë me zbardhjen e ngjarjes. Hetimi i BE-së erdhi menjëherë pas akuzave të ngritura nga eurodeputeti zviceran Dik Marti, i cili akuzonte UÇK-në e Kosovës dhe autoritetet shqiptare për trafik organesh gjatë konfliktit në Kosovë.

Menjëherë pas kthimit nga Mali i Zi Kryeministri mbledh qeverinë

Berisha: Shpenzimet e ministrive të shikohen on-line

Menjëherë pas kthimit nga vizita në Malin e Zi Kryeministri ka zhvilluar mbledhjen e qeverisë, në fokus të së cilës ishin financat dhe transparenca ndaj publikut. Ministria e Financave ka arritur që në sistemin e thesarit të paraqesë on-line shpenzimet e një dite më parë. Qeveria shqiptare është ndër të paktat që bën një transparencë të tillë shpenzimesh. Ajo që kërkoj unë me vendosmëri është që kush të dojë të shkojë në faqen e secilës ministri dhe agjenci për të parë shpenzimet, - theksoi Berisha. - Aktet e kontrollit të kësaj qeverie dhe administrate duhet të botohet në faqen e institucionit përkatës. Departamenti i kontrollit në qeveri ka marrë porosi që të gjitha aktet përfundimtare të kontrollit t’i botojë në faqen zyrtare të tij, si një dëshmi e vullnet të transparencës së plotë”, - insistoi Berisha. Nga ana tjetër Kryeministri iu kthye dhe një herë vizitës që zhvilloi në Mal të Zi. Ai u shpreh në fjalën e tij se duhet të insistohet te marrëveshjet e Shqipërisë me vendet e rajonit. Kryeministri bëri thirrje për hapjen e pikës kufitare në Zogaj. “Vizita ime në Ulqin, qyteti që nga kohët ilire e deri në ditët më të vona ka përfaqësuar kombin me lundrimtarët e tij ndër më të aftë. Lundrimi i shqiptarëve ka qenë i pandarë. Ulqini ka një histori shumë të larmishme, por historia e fundit është ajo e një qyteti të famshëm në mbarë botën për potencialin turistik”, - u shpreh Berisha. Ai vijoi më tej se Shqipëria do të mbështesë fuqishëm anëtarësimin në NATO të Malit të Zi, me bindjen se është në interesin më të mirë të NATO-s. Nuk është hera e parë që Kryeministri si kryefjalë të tij ka transparencat në financat publike, për të cilat ende mbetet shumë për të bërë, sidomos në prokurime dhe përfitimet në fonde nga kompani të ndryshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›