E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen me 150 kg drogë, qëllojnë me armë ndaj policisë

27/01/2012  Identifikohen 6 trafikantë, braktisën drogën në rrugën drejt Greqisë

GJIROKASTER- Oficerët e antidrogës në Gjirokastër finalizuan në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin e koduar “Akulli”, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 150 kilogramë mariuanë, që kishin për destinacion Greqinë, dhe u shpallën në kërkim gjashtë trafikantë. Specialistët e antidrogës kishin marrë informacion se rreth orës 03.00 të mëngjesit, gjashtë shtetas të armatosur po transportonin 4 çanta shpine të mëdha me lëndë narkotike në pyllin e Katundës mbi fshatin Dritë, të komunës Dropulli i Sipërm në afërsi të kufirit jeshil me shtetin grek. Policia bën me dije se pas gjysmë ore oficerët e antidrogës kanë evidentuar transportuesit dhe pasi u janë afruar në një distancë rreth 100 metra u kanë bërë thirrje të ndalojnë. Të gjashtë transportuesit e çantave me drogë nuk i janë përgjigjur thirrjes, madje kanë hapur zjarr në drejtim të policisë. Gjatë operacionit të gjashtë personat kanë qëlluar në drejtim të oficerëve për gjysmë ore, ndërsa njëkohësisht lëviznin me shpejtësi në drejtim të kufirit grek. Mandej të gjashtë transportuesit e drogës kanë hedhur armët e zjarrit, si dhe çantat me lëndë narkotike dhe janë futur në territorin grek duke përfituar nga errësira, pylli i dendur dhe terreni mjaft i ngrirë. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan katër çanta të mëdha të mbushura me lëndë narkotike të hedhura në vende të ndryshme në mes të shkurreve, si dhe tre armë zjarri pistoletë, dy prej të cilave të tipit “TT” dhe një e tipit “Zastava”. Sipas policisë, në katër çantat u zbuluan 125 pako të mbështjella me letër natriban, që mbanin gjithsej rreth 150 kg marijuanë. Policia ka identifikuar personat e dyshuar që transportonin lëndën narkotike, tre prej të cilëve janë nga fshati Lazarat dhe tre nga Gjirokastra.

Policia e Gjirokastrës po punon në bashkëpunim me oficerët e antidrogës të Janinës për kapjen e gjashtë trafikantëve, të cilët janë në akuzë për trafikim ndërkombëtar droge dhe armëmbajtje e municione luftarake pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›