Çdo vit nga një (mos)arsye të re për trazirat e 97-s
Kryeministri ka deklaruar në forumin e organizuar nga “The Economist” në hotel “Sheraton” se, shkak për rrëzimin e piramidave, ishte bërë etja e pronarëve të tyre për fitime të mëdha. D.m.th., me pak fjalë, kriza e vitit 1997, kishte ardhur nga etja e Vehbi Alimuçës, atij të Gjallicës, etj., për fitime përrallore.
Ka dhjetë vjet që jep nga një arsye çdo vit. Në fillim ua futëm grekëve. Thamë që ata i bënë piramidat dhe sollën lekë nga Greqia. Dhe për Vehbiun, ata fajësuam. Derisa erdhi Vehbiu një ditë dhe na shpjegoi se, trurin e firmës, e kishte nga Kurveleshi. Tek arka kishte Xhanen, mbesën e tij, të madh të administratës kishte Xhaferrin, burrin e mbesës, kurse me transfertat për jashtë shtetit, merrej vajza e mbesës, Aurela. Atë e mbante, se dinte anglisht. Na e mbushi mendjen Vehbiu i shkretë që s’ishin grekë.
Atëherë ndërruam argument. Thamë e bënë komunistët. Se kjo mbesa e Vehbiut, me burrin e vajzën, ishin të majtë. Pastaj, vonë nga 2004-a, erdhi ky Lul Basha nga Kosova dhe tha: “Po deshët mos e përmendni më atë punën e komunistëve, se atë gruan që ka qenë mbesë e Vehbiut, e kishte vjehërr. Që atëherë hoqëm dorë, nuk fajësojmë më as komunistët për piramidat.
Pra, grekët na ikën, komunistët na ikën, ia rrasëm rebelimit. Berisha formuloi tezën e rebelimit komunist dhe ia plasëm. Pastaj mori Ben Imamin shef kabineti, e harruam dhe rebelimin. I ndjeri Gazidede kishte dhe ca arsye të tjera, por, kur u kthye dhe pa se ç’bëhej, nuk foli fare. Kështu që na ikën nja pesë arsye. Çdo vit ua ndërrojmë njerëzve arsyet. Tani, Berishës i del që shkak paska qenë që ata donin fitime përrallore. Kam frikë se do dalë prapë puna te njerëzit e Lul Bashës dhe do ta ndërrojë. Se e ndërron ai.
Ja, pardje, në varrim të të ndjerit Gazidede, e ndërroi prapë, tha rebelim komunist. E vuri prapë në siklet Kullurin që ishte aty, i cili është shef kabineti i zotit Imami, i cili, nga ana e tij, është shef kabineti i atij burrit. Prandaj mos e merrni seriozisht, se e ndërron prapë ai.