E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekët bëhen pronarë të OSSH-së

Marrëveshja parashikon, gjatë këtij viti, mosrritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët.

Brenda tre muajve, kompania çeke CEZ, do të marrë nën pronësi rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike


TIRANË - Çekët marrin zyrtarisht Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Kontrata me vlerë 102 milionë euro, e cila i ofron 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, kompanisë CEZ, u firmos dje midis drejtorit të saj, Vladimir Schmalz dhe ministrit të Energjetikës, Genc Ruli.

Marrëveshja hyn në fuqi tre muaj pas firmosjes, ku brenda kësaj periudhe pritet zyrtarizimi i garancisë financiare të Bankës Botërore, që siguron blerësin nga mosrespektimi i kontratës nga pala shqiptare dhe aprovimin e saj nga Kuvendi i Shqipërisë.

"Ne shpresojmë të ndërtojmë një rrjet të suksesshëm shpërndarjeje edhe në Shqipëri, ashtu siç kemi bërë në shumë vende të rajonit, ku jemi prezentë. Për këtë jemi gati të fillojmë të plotësojmë të gjitha detyrimet tona.

Ne presim që brenda tre muajsh, edhe autoritetet vendase, por edhe ato ndërkombëtare, si Banka Botërore, dhe IFC-ja, të përmbushin detyrimet që kanë marrë përsipër, që ky proces të realizohet përfundimisht", - u shpreh Vladimir Schmalz, drejtor i blerjeve në kompaninë CEZ.

Këtë fakt e konfirmoi edhe përfaqësuesi i IFC-së, Shahbaz Mavaddat, institucioni që ka këshilluar qeverinë në procesin e privatizimit. Sipas tij, që marrëveshja të quhet e mbyllur, duhet që Banka Botërore të konfirmojë garancinë financiare për kontratën dhe më pas të marrë edhe miratimin e Kuvendit.

"Performanca e sektorit të energjisë në Shqipëri ka qenë problematike për shumë vjet. Vitin e kaluar, më pak se 50 për qind e energjisë së përcjellë nga sistemi i shpërndarjes është paguar. Humbjet në sistemin e shpërndarjes për një kohë të gjatë, kanë qenë më të këqijat në Evropë",- tha dje gjatë nënshkrimit të kontratës, Camille Nuamah, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri.

Vetëm disa ditë më parë, qeveria ndau llogaritë e OSSH-së dhe të KESH-it, duke i trashëguar këtij të fundit borxhin prej 5.5 miliardë lekësh të kredive të marra nga Banka Europiane e Investimit.

Pjesë e kontratës midis qeverisë shqiptare dhe privatizuesit çek, është edhe një klauzolë, ku parashikohet mosngritja e çmimit të energjisë për këtë vit. Gjatë një konferencë për shtyp, disa javë më parë, ministri Ruli siguroi se, pavarësisht privatizimit të OSSH-së, Enti Rregullator i Energjisë nuk do të ndryshojë tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët, përgjatë këtij viti.

Sipas marrëveshjes, kostoja nga ngrirja e rritjes së çmimit për këtë vit, do të kompensohet përgjatë viteve të ardhshme, ku krahas rritjes së parashikuar, do të shpërndahet edhe përqindja e rritjes që ishte parashikuar për 2009-ën. Thelbi i negociatave të gjata midis palëve, kanë qenë humbjet nga niveli i lartë i mosarkëtimeve dhe nga rrjeti i shpërndarjes tejet i amortizuar.

Për pasojë, në kontratën e shitjes është përpiluar një strategji, e cila parashikon uljen e tyre deri në 17 për qind brenda 5 vitesh. OSSH-ja e mbylli vitin e shkuar me një bilanc humbjesh 32.7 për qind. I njëjti nivel parashikohet të mbahet edhe gjatë këtij viti, ku tashmë OSSH-ja do të jetë nën administrimin e CEZ-it.

Bisedimet e shitjes së OSSH-së kanë mbetur disa herë në vendnumëro, për shkak të niveleve të larta të humbjeve që do të trashëgonte privatizuesi i saj. Pas hapjes së procedurave të privatizimit nga qeveria shqiptare, kompania çekë rezultoi se kishte një ofertë më me interes dhe u shpall fituese në tetor të vitit 2008.

Kushtet e vështira financiare të OSSH-së, bënë që, gjatë bisedimeve për privatizimin e saj, kompania CEZ të kërkonte edhe një garanci financiare nga Banka Botërore.

76 për qind është pjesa e aksioneve të OSSH-së që ka blerë kompania çeke CEZ

102 milionë euro është shuma që CEZ do të paguajë për blerjen e OSSH-së

5.5 miliardë lekë është borxhi i OSSH-së që, me vendim, qeveria ia kalon KESH-it

17 për qind është parashikimi i uljes së humbjeve të OSSH-së brenda 5 viteve

50 për qind e energjisë së përcjellë në rrjet, është paguar nga konsumatorët në 2008-ën


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›