E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, polemika PS-Qeveri

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste i dërgon letrën e dytë për kartat e identitetit  Ministrisë së Brendshme dhe përfaqësuesve të lartë të misioneve që monitorojnë zgjedhjet në Shqipëri.Në letrën e tij, sekretari për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami i dërgon ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani shkruan se në përgjigjet e dërguara nga ky dikaster më datë 27 maj 2009, ka pasaktësi dhe se MB nuk ka dërguar informacion të plotë në drejtim të Komisionit ad-hoc apo Partisë Socialiste dhe se ka prova për ta vërtetuar. “Nuk është e vërtetë që MB të ketë nisur në drejtim të Komisionit ad hoc kuvendor apo të PSSH informacione për të gjithë datat 1 shkurt 2009, 20 mars 2009, 1 prill 2009, 7 prill 2009, 15 prill 2009, 30 prill 2009, 5 maj 2009 dhe 19 maj 2009 që ju përmendni në letrën e firmosur nga Z. Poni. Kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga zyra e protokollit të Kuvendit”, shkruan Islami në letrën e tij. Letra i është dërguar për dijeni edhe ambasadorit të OSBE-së Robert Bosch dhe ambasadores të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri, Audrey Glover. Sipas informacioneve të PS-së, Islami shprehet se situata rezulton ndryshe nga ajo që paraqitet në materialet që dërgon Ministria e Brendshme. Sipas tij, rrezikojnë katër qarqe, si ai i Kukësit, Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës, ku përqindja e votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar shkon nga 60-70 për qind e tyre. Gjithashtu, sipas tij, në 12 rrethe niveli i aplikimeve është nën 50 për qind, konkretisht në rrethet Dibër, Burrel, Bulqizë, Krujë, Kukës, Has, Tropojë, Lezhë, Mirditë, Shkodër, Pukë, Malësi e Madhe. Do të ishte me interes të kishim një përgjigje për gjendjen problematike të aplikimeve, ndërkohë që shumica e njësive vendore drejtohen nga PD. Duke iu referuar shifrave të dhëna nga Ministria e Brendshme në lidhje me numrin mesatar të aplikimeve në ditë Islami thotë se kur kanë mbetur 17 ditë pune deri më 12 qershor 2009, çdo stacion aplikimi mund të realizojë praktikisht gjatë kësaj periudhe jo më shumë se 400 (17*22=374) aplikime të votuesve pa pasaportë. Islami i kërkon Ministrisë së Brendshme kopje të listës së 979 763 shtetasve, që kanë aplikuar për letërnjoftimi deri më datë 25 maj dhe këto lista të vihen në dispozicion të PS dhe pas datës 31 maj.
Reagimi
Pak orë pas letrës së dytë që PS i ka dërguar Ministrisë së Brendshme, kreu i këtij dikasteri Bujar Nishani, në një konferencë për shtyp ka paraqitur gjendjen e deritanishme për numrin e shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike. Sipas Nishanit deri në fund të qershorit me këto ritme janë kapacitetet, që të pajisen me karta edhe rreth 400 mijë shtetas, që nuk disponojnë një pasaportë për jashtë shtetit. Në asnjë resht ministri i Brendshëm nuk i jep përgjigje kërkesës së sekretarit për çështjet zgjedhore në PS. “Nëse i referohemi totalit, kjo shifër kalon 450 mijë qytetarë pa pasaportë që kanë aplikuar. Opozita ka pretenduar që të pajisen 500 mijë qytetarë. Është plotësisht e mundshme të pajisen edhe 400 mijë të tjerë për karta, vetëm se ata duhet të jenë në Shqipëri, që të paraqiten tek zyrat e aplikimit”, ka pohuar Nishani. Ministri i Brendshëm, duke u mbështetur tek marrëveshja që qeveria arriti me kompaninë koncesionare ALEAT, sipas së cilës do të aplikojnë vetëm shtetasit që nuk kanë pasaporta, u shpreh se do të plotësohen me karta të gjithë shtetasit e kësaj kategorie. “Kemi rënë dakord me koncesionarin që ditët e punës do të vazhdojnë gjatë të shtatë ditëve të javës dhe orari ditor do të jetë nga ora 08:00-13:00 paradite dhe nga ora 17:00-21:00 pasdite”, u shpreh Nishani.

Qarqet problematike sipas PS

Kukës (mbeten pa aplikuar rreth 70 për qind e votuesve pa pasaportë)

Dibër (mbeten pa aplikuar rreth 60 për qind e votuesve pa pasaportë)

Shkodër (mbeten pa aplikuar rreth 59 për qind e votuesve pa pasaportë)

Lezhë (mbeten pa aplikuar rreth 54 për qind e votuesve pa pasaportë)

Të dhënat e ministrisë deri në 28 maj

Kanë aplikuar 1.132.806 shtetas

Janë prodhuar 990.962 letërnjoftime

420 000 janë pa pasaportë

Koncesionari i gatshëm të prodhojë dhe 400 000 karta deri në mesin e qershorit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›